English

Bie zjarri në një shtëpi, vdesin 4 fëmijët e asfiksuar në gjumë

Durrës, 11 nëntor, NOA – Orët e para të mëngjesit të sotëm, në një banesë që ndodhet në afërsi të Kantinës së Verës në Sukth, janë gjetur të vdekur 4 fëmijë.

Ngjarja tronditëse, siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Durrësit, mësohet se ka ndodhur në familjen Xheka, ndërsa në mënyrë të menjëhershme pas marrjes së njoftimit për tragjedinë në fjalë, në vendngjarje kanë shkuar drejtues të Policisë së Durrësit, shërbime policie, drejtues të pushtetit vendor si prefekti dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit etj.

Po kështu, të njoftuar nga shërbimet e sallës operative, në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe zjarrfikës, punonjës të urgjencës së Spitalit Rajonal Durrës, etj.

Grupi hetimor vazhdon kryerjen e veprimeve të para hetimore dhe nga hetimet e deritanishme rezulton të kenë gjetur vdekjen përkatësisht fëmijët Robert Xheka, 13 vjeç; Vilson Xheka, 11 vjeç; Kasandra Xheka, 9 vjeçe dhe Nertila Xheka, 6 vjeçe.

Po nga veprimet paraprake hetimore mendohet se shkaku i vdekjes së këtyre fëmijëve është asfiksia nga gazrat e shkaktuar nga një zjarr i rënë në një nga qoshet e dhomës ku ata ndodheshin.

Vatra e zjarrit paraprakisht mendohet të jetë një qiri i ndezur për ndriçim si rezultat i mungesës së energjisë elektrike.

Në momentin e ndodhjes së ngjarjes në fjalë, në banesë nuk ndodhej asnjë nga prindërit (babai prej disa muajsh nuk jetonte me familjen për shkak të konflikteve familjare, ndërsa nëna që prej pasdites ndodhej në punë).

Nga ana e policisë, me praninë e ekspertëve të fushave të ndryshme vazhdon kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore për konkludim mbi shkaqet që çuan në këtë ngjarje.

n.e/NOA

KOMENTE