English

Berisha: Heqja e vizave, shqiptarët tashmë kanë përfituar dinjitetin dhe nderimin

Tiranë, 12 nëntor, NOA Update – “Nga ky shesh le të shprehim falënderimet më të thella për qeveritë dhe kombet e Bashkimit Evropian, që na dhanë besimin e tyre për heqjen e vizave”.

Me këto fjalë, kryeministri Berisha iu është drejtuar të gjithë të pranishmëve në koncertin e madh festiv “Pa Viza në Evropë”, në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet, duke shtuar me entuziazëm se të gjithë qytetarët tashmë kanë përfituar dinjitetin dhe nderimin duke u lehtësuar nga regjimi i vizave dhe se tani, ata do të mund të vizitojnë të lirë Evropën.

“Ky vendim është gjithashtu vendimi i Shqipërisë pa kufi, e cila do të jetë gjithmonë e më shumë e preferuara e Evropës, për mikpritjen e saj dhe pasuritë e saj të vyera”, shtoi ai.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë u shpreh se “rruga jonë drejt Evropës është rruga drejt suksesit të vërtetë, është rruga për të cilën ne jemi të vendosur të ecim të sigurtë dhe ta bëjmë gjithmonë e më të bukur atë”.

“Lajmi i heqjes së vizave për Shqipërinë, si edhe ai i të qenit Njëshi në botë për tërheqjen e turistëve janë mundi dhe djersa e çdo shqiptari, janë dinjiteti juaj. Sot kemi Shqipërinë pa viza, nesër kemi atë Evropiane”.

n.e/NOA

KOMENTE