Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Dështimi i pamerituar për shqiptarët
English

Dështimi i pamerituar për shqiptarët

Opozita ka nisur një proces transparence për veprat më të rënda të korrupsionit. Forca e së vërtetës në dëshmitë tona publike, për çdonjërin prej rasteve konkrete që kemi nxjerrë në dritën e diellit, e ka shqetësuar thellë qeverinë dhe ka vënë në lëvizje kundër nesh makinën e baltës

Nga Edi Rama

Kriza politike në Shqipëri po shkon në një pikë pa kthim.

Më lejoni më parë t’ju kërkoj një minutë zi për vdekjen thellësisht tronditëse të katër fëmijëve në Sukth, që i vrau varfëria dhe errësira e një shtëpie ku deri parmbrëmë merrte frymë një copëz e Shqipërisë reale.

Duke e ndjekur i shtangur, si mbarë ky popull, reportazhin e asaj tragjedie mu krijua një paralele me asfiksinë sociale që shkakton politika e helmimit të përditshëm të mendjeve shqiptare me gjuhën e urrejtjes e dasisë dhe baltën e shpifjeve pafund. Ky helm vdes përditë nervin e reagimit ndaj problemeve reale e të mprehta që kanë njerëzit, duke i mbajtur ata në jermin e tifozllëkut e të thashethemnajës politike pa i lënë t’i ndjejnë as ngjarjet më tragjike si përgjegjësi morale të atyre që e drejtojnë si s’ka më keq këtë vend.

Kjo Asamble Kombëtare mblidhet pas dy vendimesh të një rëndësie të jashtëzakonshme të Europës së Bashkuar për vendin tonë.

Dy vendime të përmbledhura në një mesazh të fortë, kuptimplotë, tejet shqetësues për ne të gjithë:

Shqiptarët kalojnë pa viza derën e Europës, kurse qeveria e Sali Berishës mbetet në provimin më të rëndësishëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian!

Kuturisja e Saliut për të bërë fushatë duke gënjyer edhe Europën me një mal letrash që nuk reflektojnë realitetin solli si pasojë shuplakën më të rëndë që Brukseli i ka dhënë Shqipërisë për shkak të qeverisë.

Çfarë dështimi i pamerituar për shqiptarët e marrë peng nga një qeveri që nuk e kanë zgjedhur!

Shqipëria në NATO nuk e kapërceu dot pragun e Bashkimit Europian, sepse Sali Berisha nuk e gënjen dot më Europën për parlamentin, krimin, korrupsionin, drejtësinë, pronat, mediat. Gënjeshtari i pashtershëm i atyre që s’dinë shqip dhe i atyre që dinë vetëm shqipen e tij, nuk i’a mbulon dot më Europës duke akuzuar opozitën as dështimet e veta, as duart e qeverisë të zhytura në llumin e punëve të zeza, as edhe karagjozllëkun e ndërkombëtarizuar të një kryetareje kuvendi. E cila, shumë fatkeqësisht, model të vetëm të autoritetit ka arrogancën e kryetarit të kooperativës ku ka punuar si e persekutuar nga diktatura dhe jo elegancën e paraardhësve fisnikë të familjes së saj.

Nga një anë duhet ta falënderojmë Jozefina Topallin, që me vulgaritetin e saj të bujshëm ndihmoi në demaskimin e farsës që luhet përditë në parlamentin e dalë prej votave të vjedhura, ku deri edhe votat i vidhen opozitës sy për sy, si të ishin tallonat e naftës apo dietat që kryetarja ia firmos vetes pa kriter e karar.

Por më anë tjetër le të mendojmë e vendosim për të kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, lidhur me këtë dështim të madh në rrugën e integrimit, dhe le të shikojmë mundësinë e nismës së mosbesimit të kryetares si një pengesë e identifikuar deri nga vetë Komisioni Europian për arritjen e standardeve europiane në jetën parlamentare të vendit.

Një nisëm mosbesimi, pikërisht për këtë dështim të pashoq, meriton edhe kreu i kësaj qeverie të dalë nga votat e vjedhura që po vjedh të ardhmen e këtij vendi për të mbajtur pushtetin e oborrit e pasuruar oborrin e pushtetit. Le ta eksplorojmë edhe këtë mundësi si një akt të dobishëm që mund të mos sjellë rrëzimin e qeverisë në Kuvendin e votave të hapura e të kontrolluara me favoret e pushtetit të korruptuar dhe korruptues, por padyshim mund të nënvizojë qartë ndarjen mes atyre që në atë parlament mbrojnë interesat e oborrit të Sali Berishës dhe nesh që mbrojmë interesat e Shqipërisë që jeton jashtë atij oborri e jashtë Europës së Bashkuar për shkakun e atij oborri.

Dështimet e qeverisjes, të materializuara në krizën e demokracisë, drejtësisë, ekonomisë, në krizën e gjithanshme të krejt shoqërisë shqiptare, bënë që vendi ynë të hyjë në historinë e integrimit europian si i pari vend që merr kartonin e kuq të Bashkimit Europian për keqqeverisjen dhe i refuzohet statusi i kandidatit për mospërputhje të plotë me standardet europiane.

Edhe në këtë sfidë rrezikojmë të mbetemi të fundit fare sic ndodhi për heqjen e vizave. Të cilën Saliu e feston me të madhe në vend të dorëheqjes që duhet të jepte pas dështimit më të madh që një kryeministër shqiptar mund të kishte në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Dhe ndërkohë që Saliu harxhon para për të mbuluar me zhurmën e festës zymtinë e këtij dështimi unikal jo vetëm për historinë e Shqipërisë po edhe të BE-së, fondet europiane për punësimin, zhvillimin rajonal e bujqësinë mbeten, si rezultat i refuzimit të statusit, një tjetër mundësi e larguar në kohë për popullin shqiptar.

Vetëm për faj të Sali Berishës.

E vërteta është se mes interesave të pushtetit të oborrit dhe standartit europian të organizimit të shtetit e të shoqërisë, Sali Berisha ka bërë zgjedhjen e tij në dëm të Shqipërisë e shqiptarëve, duke shtrënguar fort nën sqetull grupin më të korruptuar e të kapur prej fijeve të interesave kriminale që Shqipëria ka pasur ndonjëherë në qeveri qysh prej vitit 1992.

Shpresojmë që ky të jetë alarmi i zgjimit nga gjumi për të gjithë – u shpreh zyrtari i lartë i Komisionit Europian.

Në fakt është koha që Shqipëria e tërë të hapë sytë dhe të shohë humnerën që e pret, po s’u ngrit të ndalë marshimin qorr të Sali Berishës drejt qëllimit të mbrapshtë për ta kthyer këtë vend në një bajrak ku Kushtetuta është një libër si gjithë të tjerët. Ku zgjedhjet janë një farsë me fund të parashkruar. Ku parlamenti është vendi i përqeshjes së opozitës. Ku ligjet janë letra pa vlerë në realitetin e mungesës së ligjshmërisë. Ku ekonomia e vendit është e kapur prej interesave materiale të oborrit të bajraktarit. Ku pushtetet e pavarura janë masha të qeverisë së pazgjedhur dhe ku qytetarët janë robërit e një pushteti që nuk i le të zgjedhin.

Ky projekt i mbrapshtë personal i Sali Berishës i shkaktoi Shqipërisë humbjen e shansit historik, për të bërë në 28 qershor 2009, të parat zgjedhje të lira e të ndershme të standardeve europiane, pas të parës herë në historinë e saj pluraliste që palët ranë në një mendje për Kodin e ri zgjedhor nëntë muaj përpara zgjedhjeve. Përmes një konsensusi që jo vetëm i hapi lirisht dyert e NATO-s vendit tonë, por edhe shënoi një hap të konsiderueshëm përpara drejt një politike shqiptare të çliruar prej konfliktit tradicional, ne treguam para zgjedhjeve të shkuara atë që jemi gati ta ritregojmë përsëri sot nëse Sali Berisha i hap rrugë zbatimit të Rezulotës së Parlamentit Europian për hetimin e zgjedhjeve.

Çlirimi i energjive të pafundme të vendit, demokracia europiane në këtë vend, ligjshmëria dhe barazia para ligjit e njerëzve të këtij vendi, konkurrenca e lirënëekonominë shqiptare dhe ndarja e drejtë e barrës së taksave e detyrimeve mbi supet e këtij populli, s’mund të ndodhin kurrsesi pa çliruar zgjedhjet prej fuqisë deformuese të pushtetit të korrupsionit.

Ne nuk i duam zgjedhjet e lira për vete, po për lirinë e të gjithëve.

Vetëm duke i ridhënë popullit të drejtën të gjykojë lirisht qeverinë e vet, i jepet Shqipërisë mundësia të zgjedhë sesi të qeveriset dhe i jepet fund sundimit të saj prej atyre që nuk e lënë të zgjedhë.

Lejomëni ta përsëris sot se, ndryshe nga ç’ka dashur të na pikturojë propaganda e shëmtuar e qeverisë, ne s’kemi qenë asnjëherë maksimalistë në kërkesën tonë. Vijimësisht jemi përpjekur të ofrojmë zgjidhje kompromisi për këtë krizë, që e ka shkaktuar Sali Berisha dhe e thellon Sali Berisha.

Sigurisht s’kemi hequr e s’do të heqim dorë nga transparenca.

Por kemi kërkuar një zgjidhje që, pa e kompromentuar transparencën, garanton kompromisin për daljen nga kriza politike. Natyrshëm kemi qenë të vëmendshëm për të dëgjuar e kuptuar edhe të tjerët, veçanërisht miqtë e partnerët ndërkombëtarë, dhe të hapur për të modifikuar qëndrimin në përputhje me qëllimin.

I falënderoj të gjithë, pa përjashtim.

Kush më shumë e kush më pak, kush më shpejt e kush më vonë, miqtë dhe partnerët e këtij vendi, të majtë e të djathtë, kanë ardhur në të njëjtën pikë: Duhen hetuar kutitë e materialeve zgjedhore për të zgjidhur krizën e realizuar transparencën.

As më shumë as më pak po kutitë ku fshihet arma që vrau zgjedhjet si në Ruzhdie. Kutitë ku rri mbledhur i gjithë llumi i korrupsionit zgjedhor. Kutitë ku mbahet peng Shqipëria e qytetarëve me listat e manipuluara, identitetet e falsifikuara, komisionerët e korruptuar.

Ofertën tonë të re qeveria e ka në tavolinë. Është një shqipërim i drejtpërdrejtë i Rezolutës së Parlamentit Europian. Është një ofertë e re që ka marrë deri sot një përgjigje të vjetër.

Asnjë fjalë nuk ka në tekstin e asaj oferte për fletët e votimit, sepse, shqip fare, nuk i kërkojmë fletët e votimit për këtë hetim.

Për t’i dhënë fund kushtëzimit të marrëdhënies me parlamentin na mjaftojnë kutitë e materialeve zgjedhore në dispozicion të komisionit hetimor dhe pastaj të gjitha informacionet e nevojshme shtetërore që lidhen me përmbajtjen e çdo kutie që duam të hetojmë.

OSBE-ja s’mund të rrijë më e të vështrojë sikur e gjitha kjo s’ka të bëjë me misionin e saj. S’mundet as të përsërisë në boshllëk thirrjen njëzetvjeçare për një ndryshim të ri të ligjit zgjedhor, ndërkohë që edhe në opinionin e Bashkimit Europian shprehet qartë se problemi ynë madhor mbetet zbatimi i ligjit dhe prej një viti e më shumë opozita kërkon hetim pikërisht për sa e si është zbatuar ligji zgjedhor në fuqi. Pa këtë hetim ne s’mund të ndryshojmë në letër Kodin Zgjedhor siç kemi bërë njëzet vjet, ndërkohë që ka njëzet vjet që sëmundja e deformimit të zgjedhjeve ndryshon formë po nuk shërohet pikërisht sepse ligji nuk zbatohet as sa e as si duhet. Aq më e domosdoshme bëhet transparenca e zgjedhjeve të shkuara kur në vigjiljen e zgjedhjeve vendore, qeveria ka rinisur të verë përsëri në lëvizje fuqinë antikushtetuese të abuzimit me pushtetin, duke i kaluar parlamentit masa tërësisht antidemokratike për të marrë rob bashkitë e komunat e opozitës pa filluar beteja. Nuk mund ta mendojmë që misionit të OSBE-së në Tiranë i mjafton një tjetër reformë në letër pas të cilës përsëri Shqipëria nuk i kap standardet europiane në zgjedhje, ndërsa opozitës shqiptare i duhet një garanci reale që zgjedhjet e ardhshme s’do jenë si të shkuarat dhe këtë garanci thjesht letrat e shkruara, qoftë edhe me konsensus, nuk e japin dot në Shqipërinë e sunduar nga Sali Berisha.

Refuzimi i kreut të qeverisë për të hapur qoftë edhe kutitë e materialeve zgjedhore, duke kundërshtuar me forcë deri dhe vetë mbështetësen e njohur të tij Doris Pack - e cila kërkoi pikërisht hapjen e tyre në takimin e fundit të PE në Tiranë dhe u mbështet hapur në këtë propozim dje edhe nga Drejtori i Ballkanit në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit pranë Komisionit Europian Pierre Mirel - provon jo vetëm mungesën e gatishmërisë për të zgjidhur krizën, siç shkruan opinioni i Komisionit Europian, por më keq akoma, synimin për të grabitur edhe zgjedhjet e ardhshme njësoj si të shkuarat.

Ky, ky dhe vetëm ky, është shkaku i krizës që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë!

Saliu kërkon të vrasë zgjedhjet e ardhshme dhe vetë shpresën e shqiptarëve tek e ardhmja me armën që mban fshehur në kutitë e mbyllura të zgjedhjeve të shkuara.

Ne, Partia Socialiste, në front me opozitën e bashkuar shqiptare, i jemi kundërvënë dhe do të vazhdojmë t’i kundërvihemi me të gjithë forcën e protestës sonë planit ogurzi të Saliut për zgjedhjet e ardhshme, duke ofruar zgjidhje transparente e sigurisht kushtetuese për krizën politike, por duke refuzuar të tjera zgjedhje pa garancitë e transparencës e të kushtetutshmërisë.

Duke u ulur në tavolinën e dialogut kurdoherë që të krijohet mundësia për të nxjerrë vendin nga kriza, por duke u derdhur edhe më të shumtë në rrugën e protestës me kurajon e fuqinë e të drejtës për zgjedhje të lira e të ndershme të standardeve europiane në mes të Europës, ne do ta çojmë përpara misionin tonë për ta mbyllur epokën e zgjedhjeve të grabitura në vendin tonë.

Kriza e sotme e Shqipërisë është kriza e strategjisë së Sali Berishës për të qëndruar në krye të qeverisë me vota të vjedhura, sunduar vendin duke i mbajtur me pahir të mbyllura kutitë e së vërtetës dhe goditur përditë në themel demokracinë, drejtësinë, ekonominë e shqiptarëve në një konflikt shkatërrues interesash. Të tjera interesa Shqipëria, të tjera interesa qeveria.

Opozita ka nisur një proces transparence për veprat më të rënda të korrupsionit. Forca e së vërtetës në dëshmitë tona publike, për çdonjërin prej rasteve konkrete që kemi nxjerrë në dritën e diellit, e ka shqetësuar thellë qeverinë dhe ka vënë në lëvizje kundër nesh makinën e baltës.

Duke e përshkruar makinën e baltës Roberto Saviano shprehet:

Cilido që i vihet kundër kriminalitetit të organizuar – i çfarëdo forme qoftë ky kriminalitet, deri lart në qeveri – merr mbrapsht baltën e delegjitimimit, deri edhe pas vdekjes. Demokraci në rrezik do të thotë që kundërvëniet ndaj qeverisë të marrin si përgjigje sulmin e makinës së baltës. Sulmohet personi, jeta e tij private, momente e dobësi njerëzore të njeriut, balta hidhet furishëm për të provuar në sytë e publikut se të gjithë jemi njësoj. Të gjithë jemi pis. S’ka dallim mes nesh. Logjika e vënies në lëvizje të makinës së baltës është kush ngre sytë dhe kritikon merr mbrapsht baltë, kujt i shkon mendja se mund t’i marrë vendin atyre që kontrollojnë pushtetin e pret sulmi i baltës, prandaj ulini sytë dhe mbyllni gojën, lëreni më mashtruesin të fitojë…

Dhe e vërteta është se sulmi i baltës ka qenë e vetmja përgjigje e hordhisë së Sali Berishës ndaj çdo dëshmie e fakti që ka provuar korrupsionin, kapjen e shtetit, kriminalizimin e ekonomisë për llogaritë e oborrit të pushtetit.

Unë e njoh këtë makinë, e provoj prej vitesh tashmë peshën e shijen e rëndë të baltës mbi fytyrën time, ndjehem keq për Ilir Beqen e për gjithë deputetët e deputetet e grupit tonë parlamentar që, veçanërisht pas fillimit të procesit të transparencës sonë për korrupsionin e Saliut e të ministrave dhe oborrtarëve të tij, kanë provuar të njëjtën gjë vetëm sepse kanë thënë publikisht të vërtetën.

Por u kam thënë dhe u them se ky është çmimi i Shqipërisë më të mire, që kemi në zemër e mendje dhe duam të ndërtojmë së bashku, duke e ndarë këtë vend nga politika e vjetër e së shkuarës e duke krijuar një model të ri marrëdhëniesh të politikës me njerëzit.

Ne s’mund të heshtim, ne s’duhet të heshtim, ne s’do të heshtim përballë duarve të fëlliqura të pushtetit që kërkon të na fëlliqë me shpifje, fyerje e kërcënime sa herë që themi atë që shohim e kuptojmë.

Kam dëgjuar kritika, madje edhe nga njerëz që s’mund të thuhet se mbrojnë qeverinë, të cilët e konsiderojnë pa vend edhe këtë aspekt të betejës sonë opozitare, transparencën e keqqeverisjes. Thonë se nuk është detyra e opozitës të bëjë konferenca shtypi për korrupsionin, po e prokurorisë që të merret me korrupsionin. Opozita sipas tyre duhet t’i çojë dosjet në prokurori.

Po le të jemi të ndershëm kur flasim dhe të mos flasim për vendet ku normalisht ndodh kështu, po për vendin tonë, ku s’besoj ta mohojë kush se, po të mos ishin ato konferencat tona të shtypit, s’do ishte marrë kush ndonjëherë me lumenjtë e Shqipërisë të kthyer në sheshe ndërtimi për familjet e ministrave e të deputetëve të oborrit.

Ka akoma, shumë akoma, për të nxjerrë në dritë nga ai batak i pistë koncesionesh korruptive mbi lumenjtë, por askush nuk e di nëse prokuroria i ka hyrë të paktën lumit të kontratave të shkelura e rishkelura me firmë ministri. Deri edhe duke shkelur mbi vetë marrëveshjet e ratifikuara në parlament.

S’do ishte marrë kush ndonjëherë as me krimet në sektorin e naftës, ku është implikuar drejtpërdrejtë Sali Berisha, për përfitime kolosale e të paligjshme, dhe ku dëshmitë e opozitës për favorizimin flagrant të një zotërie të lidhur disafish me oborrin e Saliut, nxjerrin në dritë vetëm një pjesë të vockël të llumit të korrupsionit në këtë sektor.

Askush nuk e di nëse prokuroria është futur sot e gjithë ditën në dokumentet zyrtare të cilat provojnë se as pushtuesit që nxorën naftë në Shqipëri, kur shqiptarët ishin vetëm skllevër në atdheun e tyre, nuk e grabitën e shkatërruan këtë pasuri kombëtare me babëzinë dhe dritëshkurtësinë e këtij pushteti të dalë prej votave të vjedhura.

S’do ishte marrë kush me këto e me të tjera vepra të rënda të korrupsionit, apo shkelje të hapura të ligjit për konfliktin e interesit, nga ministra e ministre, që ne i kemi ballafaquar e do të vazhdojmë t’i ballafaqojmë me prova e fakte përballë publikut, në kushtet kur prokuroria përpëlitet nën presionin e makinës së baltës, kur media kërcënohet përveçse me baltën e shpifjeve edhe me dhunën mafioze mbi burimet e veta të financimit dhe kur shoqëria civile sheh punët e veta për të mos bërë punën e saj.

Synimi i makinës së baltës thotë Saviano është të krijojë në radhë të parë rreth teje, tek njerëzit që të duan e të ndjekin, dyshimin se mos vallë ato që thuhen janë të vërteta dhe të fusë mes tyre mosbesimin.

Edhe këtyre fjalëve unë, si edhe të tjerë ndër ju, ua njoh mirë kuptimin për shkak të eksperiencës sime me sulmet e makinerisë së baltës. Por, midis heshtjes pa kosto dhe fjalës që kushton shtrenjtë, e kam bërë zgjedhjen time më shumë se njëzet vjet më parë e s’mund ta rishoh sot, kur detyra e nderi i kryetarit të Partisë Socialiste kërkojnë, në emër të interesit të kësaj Shqipërie të marrë peng e të së ardhmes të çdo njeriu të zakonshëm të këtij vendi, çuarjen deri në fund të betejës opozitare edhe për transparencën e keqqeverisjes.

***

Mbiprodhimi i shpifjes së 20 përqindshit ndaj meje, për të ngulur në kokën e njerëzve si të vërtetë një produkt të mirëfilltë të makinës së baltës, në kushtet kur transparenca jonë u kthye në çështje dite për publikun, mbase bëri që shumëkush të binte viktimë e qëllimit të kundërshtarit për t’i bërë të gjithë të duken njëlloj. Kjo është shpresa dhe shtegu i vetëm i Sali Berishës, të na bëjë pis që pisllëku ku është nakatosur i tëri të mos bjerë në sy, që njerëzit të mos shohin më dallim e shpresë, që Shqipëria të mos gjejë më forcë për të besuar tek mundësia e modelit të ri të bashkëjetesës e zhvillimit që ne ofrojmë.

Nuk do ta komentoja këtu para jush, këtë pjesë që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mua, sikur kjo pjesë të mos kishte të bënte në fakt drejtpërsëdrejti me fatin e betejës sonë dhe sikur kjo parti të mos ishte sot e vetmja shpresë për të jetuar nesër në një Shqipëri ku kryeministri nuk gënjen ditën e nuk grabit natën. Ku qeveria punon me përkushtim për hallet e problemet e njerëzve dhe nuk ka punë të vetme të sajën luftën barbare kundër opozitës. Ku vendimet shpjegohen e merren me transparencë dhe nuk ndodh si me municionet e Gerdecit, me fondet e Rrugës së Kombit, me përmbytjet e Fierzës, me pronat e Orikumit e të krejt vijës bregdetare dhe me çdo pronë të madhe publike a private nëpër Shqipëri - ku është futur konflikti pasi Saliu ka ngritur dorën për gjoja plane të mëdha zhvillimi, të cilat në fakt frymëzohen nga babëzia e oborrit të pushtetit si në qindra raste, apo diktohen nga injoranca salebane si në rastin e piramidës në Tiranë. (Ku thonë se paska nja dy pronarë e ndërtues që e shtyjnë nga pas piramidën dhe gjenden mu pranë veshit të Saliut, po kjo mos e qoftë e thënë e tekefundit ne s’e mbajmë shënim pasi ndryshe nga Saliu dëshmojmë vetëm me prova e fakte, të cilat në këtë rast nuk i kemi.)

S’ka pikë dyshimi se kështu unë po e ringre furinë e baltës ndaj meje, por fakti që kjo parti, si e vetmja shpresë, nuk duhet kurrsesi të humbasë kohë të çmuar e kthjelltësi shikimi për shkak të baltës së pritshme në këtë betejë themelore për të ndarë të shkuarën nga e ardhmja, përmes një modeli të ri qeverisjeje e zhvillimi për vendin, më detyron të ndalem në pak shpjegime që, me të drejtë a jo, s’i kam quajtur të nevojshme më parë.

Unë nuk besoj se ne jemi më të mirë se shqiptarët e tjerë, as se ata që janë kundër nesh. Nuk besoj as që unë vetë jam më i mirë se ju. Nuk jam as më i mirë se ata ndër ju që nuk mendojnë si unë, apo që madje mund edhe të besojnë se jam unë e keqja e punës sonë.

Por besoj, megjithë mend e megjithë zemër se ne, ne të gjithë, jemi ndryshe nga kundërshtari ynë politik.

Jemi ndryshe nga oborri i këtij pushteti votash të vjedhura, që s’ka tjetër vizion për të ardhmen përvec kapjes përfundimtare të shtetit për interesat e njerëzve të pushtetit, s’ka program tjetër për të tashmen përveç zhytjes së Shqipërisë në borxhe që do i paguajnë të rinjtë e sotëm të këtij vendi, s’ka mësim tjetër nga e shkuara përveç manualit të vënies në punë të makinës së baltës ndaj kundërshtarit sa herë zëri shqetësues i së vërtetës kundër pushtetit bëhet kumbues.

Edhe unë jam ndryshe, pavarësisht se çfarë me siguri ka arritur të ndryshojë, cënojë, deformojë, në imazhin tim publik balta e duzinës së viteve në këtë arenë, ku jam futur vetëm për të ndryshuar gjërat e këtij vendi.

Jam ndryshe pavarësisht se në punën që bëj me kaq shumë pasion, për Tiranën Europiane tash dhjetë vjet apo për Shqipërinë Europiane, bashkë me ju, me të gjithë socialistët, tash pesë vjet, mund të kem bërë edhe shumë gabime përkatëse, në bashki a këtu në parti.

Po tjetër është një gabim në gjykim, në vlerësimin e një situate apo marrjen e një vendimi, kur punon për arritjen e qëllimeve të njohura, publike, fisnike, tjetër është veprimi a vendimi për përfitime të paligjshme, korrupsioni a ryshfeti. Veprime a vendime të tilla s’kanë pasur dhe s’do kenë kurrë të bëjnë me mua. Shpeshherë ndjehem vërtet keq, kur shoh e dëgjoj sesi të vërteta të thjeshta, lehtësisht të lexueshme në letra që gjenden sa hap e mbyll sytë, tërësisht të kuptueshme pa pasur nevojë për shpjegime, por për të cilat jam gjithnjë i disponueshëm të shpjegohem, kthehen nga makina e baltës në një kolerë që shpon deri edhe hundë miqsh e mjegullon edhe vështrime dashamirëse.

Nuk ndjehem keq për vete jo, po për projektin tonë të përbashkët të Tiranës Europiane. Të cilin me pasionin e një njeriu të dashuruar pas një ëndrre, e kam udhëhequr e çuar përpara bashkë me ju, me gjithë qytetarët e dashamirësit e këtij qyteti, që vetëm dhjetë vjet më pare, kish humbur nën jashtëqitjen e një kapitalizmi të ardhur nga pylli. Ndërsa sot, në vetëm dhjetë vjet, ka shumëfishuar vlerën e çdo prone të trashëguar nga çdo banor i saj, tokë apo shtëpi, pikërisht falë transformimit kolosal që ne i kemi bërë duke e kthyer nga qytetin ku të gjithë donin të iknin në kryeqytetin ku cdo shqiptar ka dëshirë të vijë.

Lejomëni të jem më konkret.

Makina e baltës ka mbiprodhuar shpifjen e lejeve të ndërtimit që betonizuan Tiranën nën qeverisjen tonë. Po a e dini të dashurit e mi sesa përqind e territorit të këtij qyteti është ndërtuar me lejet e këtyre dhjetë vjetëve – në fakt nëntë vjet sepse vitin e fundit s’është dhënë asnjë leje? Vetëm 1%!

Kurse në tërë pjesën tjetër të Tiranës, në 99% të territorit të saj, dora e bashkisë ka ndërtuar e rindërtuar vetëm rrugë, kanalizime, ujësjellës, rrjete ndriçimi, shkolla, kopshte, banesa sociale, hapësira të gjelbërta e fasada të vjetra.

Makina e baltës ka mbiprodhuar shpifjen e shumëkatëshave që kanë zhdukur Tiranën.

Po a e dini sa është mesatarja e kateve të ngritura në Tiranë në këta dhjetë vjet?

1.7!

Vetëm 7 kate, ndërkohë që përveç dy a tre rastesh të parashikuara me plan sic janë për shembull kullat e qendrës, prej shumë vitesh bashkia ka imponuar, si në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë, kufirin e sipërm të nëntë kateve.

Po mesataren totale të kateve brenda 49 kilometrave katrorë të Tiranës sot e merrni dot me mend?

Vetëm 2 kate!

Megjithatë, pa humbur kohë tjetër me plot të vërteta të tjera të thjeshta e domethënëse si këto për plot shpifje të makinës së baltës, lejomëni të vij tek mbiprodhimi i shpifjes më të fundit. Për të cilën ju detyrohem një shpjegim pak më të imët: 35 katëshat tek liqeni për të marrë unë 20 përqindshin nëpërmjet Tan Leprit!

Së pari, a e dini ju se unë nuk e kam votuar në KRRT-në e Tiranës kthimin e asaj zone sportive poshtë digës në zonë për ndërtim? Jo, nuk e kam votuar ndërrimin e destinacionit të asaj zone, siç nuk kam votuar asnjë leje ndërtimi në Tiranë në vitet 2005-2007, ku çdo leje është dhënë me shumicën vendimmarrëse të Saliut në KRRT. Por unë jam i detyruar nga ligji të firmos çdo leje që jep KRRT-ja edhe pa pëlqimin tim. (Pra nëse Saliu nuk do të donte, s’jepej në Tiranë asnjë leje, siç nuk po jepet tash një vit, pikërisht sepse, në kuadrin e planit makabër të tharjes së burimeve financiare të Bashkisë së Tiranës, salebani i madh nuk do që ne të marrim qoftë edhe një qindarkë në arkën tonë nga taksa e ndërtimit).

Së dyti a dini sesa pjesë të territorit të kësaj zone zë prona e “mëkatit” të këtij njeriut, të cilin makina e baltës e paraqet si përfaqësuesin e interesave të mia në një kontratë që në të vërtetë s’ka as edhe një lidhje me mua dhe as me Bashkinë e Tiranës?

1.7 përqind!

Dhe së treti a e dini që as ky 1.7 përqind dhe asnjë pjesë tjetër e parashikuar për ndërtim në këtë territor, ku të tjerë të njohur apo miq të mitë janë angazhuar për të investuar në sipërfaqe shumë më të mëdha sesa i shumë e kotpërfoluri Dritan Avllaj, nuk janë materializuar në asnjë leje ndërtimi?

Sepse në dhjetë vjet kam njohur shumë sipërmarrës, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, me plot ndër ta kam krijuar edhe marrëdhënie miqësore, po asnjë herë nuk kam qenë për askënd ura për të kapërcyer ligjin.

E pra, makina e baltës ka bërë edhe në këtë rast atë që bën gjithmonë, sepse njeriu që e vë atë në lëvizje, Sali Berisha, në asnjë mënyrë e rrugë tjetër nuk mund ta godasë, dëmtojë, imazhin tonë e ta pengojë fuqinë tonë të ndryshimit, ndryshimin e shpresën që ne bartim pikërisht sepse jemi të ndryshëm nga kundërshtari ynë. I cili është drejtpërdrejtë përgjegjës jo vetëm për krizën e gjithanshme të vendit sot, po edhe për përmbytjet çdo vit e më biblike të Shqipërisë, nga veriu në jug. Sepse fara e shkatërrimit të shtetit e të pasurisë publike që ai ka mbjellë, qysh në vitin 1991 me salebanizmin e tij, ka prodhuar në këta njëzet vjet shkatërrimin e vetëdijes së bashkësisë e të pasurisë së përbashkët.

Një nga rezultatet e këtij shkatërrimi janë përmbytjet, të cilat nuk ka sesi të mos jenë biblike, kur pyjet janë shpartalluar e së fundmi çdo muaj Saliu heq nga inventari i tyre nga njëqind e dyqind hektarë për t’i futur në hipotekat e oborrit të pushtetit. Kur kodrat e ullishtave a gjithsesi të pemëzuara pranë zonave të banuara janë masakruar e deri pallatizuar nga salebanët e vegjël të pushtetit vendor. Kur e gjithë infrastruktura pritëse e kulluese e vendit - për të cilën ky llafazan i çartur dhe kryeministër i paaftë si askush në historinë e këtij vendi, kujtohet vetëm kur ka përmbytje - ka marrë fund. Kur ndërtimet kuturu, mbi tokën e çmuar të bukës, mbi kanale e kolektorë, anës rrugëve e mbi rrugë, kanë dëmtuar rëndë fare jo vetëm vendin po edhe cilësinë e jetës së mëtejshme të atyre që i kanë ndërtuar me kursime sakrificash të mëdha pa menduar për kostot e pasojave të pashmangshme si këto. Kur masa të mëdha urbane si në rrethinat e Tiranës e Shkodrës që u zhytën dje nën ujë janë krijuar nga njerëzit duke u thënë “I gëzofshi shtëpitë tuaja!” për t’u marrë votat dhe duke i lënë të jetojnë mbi gropa septike më keq se në mesjetë.

Shiu biblik dhe tërbimi i lumenjve siç thotë Saliu janë një alibi e ulët përveçse qesharake!

Ja ku është Tirana. I njëjti shi që mbyti Bathoren, Paskuqanin, Vorën e shumë vende të tjera, pse nuk e mbyti Tiranën që para dhjetë vjetësh zhytej në ujë edhe pas një shiu vere?

Sepse në Tiranë ka dhjetë vjet që salebanizmi godet, bën dëm, pengon, po nuk qeveris dhe as imponon dot modelin e rrumpallës, ku për të hapur një rrugë të re nacionale mbushet me dhe e me plehra çdo kanal, shtrat lumi apo rrëpirë në anë të saj dhe ku pastaj fillojnë mbi dherat e ngjeshur ndërtimet pa kriter e as karar si askund në botën e mirëqeverisur.

Shqipëria ka hyrë me këmbët e saj e me mendjen e Saliut në një periudhë vulnerabiliteti të madh mjedisor, me përmbytje të përvitshme e rrëshqitje të përjavshme dherash nga të katër anët, jo për shkak të shirave biblikë, po për shkak të erozionit të madh që është vepra madhore e politikës së vjetër në pushtet.

Jetojmë hakmarrjen e natyrës së atdheut tonë, për të gjitha zullumet e katrahurat e pseudozhvillimit shthurës të frymës salebane të njëzet vjetëve.

Ja pse sot, për këto e për shumë e shumë të tjera, ne jemi e vetmja shpresë, Partia Socialiste është e vetmja shpresë për ta futur vendin në rrugën e arsyes, të ligjit e të ndarjes së detyrave të shtetit nga interesat e pushtetit. Duhet të bëjmë për llogari të shqiptarëve shtetin e shpërbërë për llogarinë e pushtetit të Saliut. Dhe duhet të zhbëjmë themelet e veprave të korrupsionit që kanë lindur nga korruptimi i pushtetit legjislativ nën presionin e interesave të pushtetit ekzekutiv.

Ne jemi e vetmja shpresë për ta shpëtuar varkën e ekonomisë shqiptare përpara sesa ta mbysë politika kundër së ardhmes që Saliu po bën sot duke e zhytur në borxhe tërë shoqërinë dhe çdo familje të zakonshme shqiptare që s’përballon dot rritjen astronomike të çmimeve.

Ne jemi e vetmja shpresë për ta rishpërndarë barrën e taksave e të detyrimeve mbi supet e shqiptarëve në mënyrë të drejtë, duke e ndaluar taksimin më shumë të atyre që fitojnë më pak, si edhe duke i dhënë fund rrjepjes me gjoba mafioze të atyre që fitojnë më shumë e taksohen më pak. Por duke i dhënë njëkohësisht fund shtypjes me fatura të rënda të atyre që paguajnë gjithmonë për vete dhe për ata që nuk paguajnë.

Ne jemi e vetmja shpresë për ta çliruar nëpunësin e shtetit, mjekun e mësuesin, jo vetëm nga barra e padrejtë e taksave e detyrimeve, e cila sot për ta është më e rëndë sesa pesë vjet më parë, por edhe, e mbase në radhë të parë, nga frika e bindjeve personale për shkak të bukës së gojës. Me ne në qeverisje s’do ketë më kurrë mjekë, mësues e nëpunës të trembur nga fakti se nuk u pëlqen qeveria, të marrë me pahir në mitingjet tona apo të ndaluar të marrin pjesë në takimet e kundërshtarit dhe të flasin hapur me përfaqësuesit e opozitës.

Ne jemi e vetmja shpresë për sipërmarrjen që të çlirohet prej kthetrave të tmerrshme të monopoleve të Saliut e prej mungesës totale të shtetit garant të një legjislacioni fiskal stabël e të zbatuar njësoj për të gjithë, jo të ndryshuar 60 herë në pesë vjet e të shkelur pambarimisht për të dhunuar, deri në kushtet e falimentimit, biznesmenë që financojnë media kritike ndaj qeverisë apo që thjesht nuk hyjnë më në të preferuarit e oborrit të Saliut.

Ne jemi e vetmja shpresë për fshatin shqiptar, për sipërmarrjen në bujqësi e për perspektivën e investimeve të kursimeve të emigrantëve në fshat. Ashtu siç jemi e vetmja shpresë për më të rinjtë e më të moshuarit, por, si për paradoks edhe për pronarët e të përndjekurit, të cilët sot kanë zënë vend në programin tonë të ri politik. Ne emër të tyre dua t’i bëj një apel Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar të Dashamir Shehit, që të marrë pjesë në tryezën e opozitës së bashkuar, qoftë edhe vetëm për të diskutuar e gjetur gjuhën e përbashkët për rrugën e format me të cilat do t’u kthejmë në vend, të dy këtyre grupeve të interesit të nëpërkëmbura tash 20 vjet nga Saliu, dinjitetin e kërkesave të tyre legjitime.

Ne jemi sot e vetmja shpresë për Shqipërinë pa vizën e turpshme të refuzimit të Bashkimit Europian mbi fytyrë. Për Shqipërinë, e cila njësoj si shqiptarët që do të takohen në tryezën e familjes së tyre të bashkuar për një gëzim a cfarëdo rasti në Greqi, Itali a kudoqoftë në Europë, të takohet me Greqinë, Italinë, Francën, Gjermaninë e këdo tjetër në tryezën e vendimmarrjes së familjes së përbashkët europiane. Për Shqipërinë që Sali Berisha e la pas dyerve të Europës sepse e do peng të derës së oborrit, ndërkohë që shqiptarëve thuajse po vdes t’u thotë, “O rrini me mua nën sundimin tim o ikni ku të doni jashtë shtetit se këtu s’keni tjetër shans e shpresë!”…

Ja pse e neveris sot aktin e ulët të Vangjel Tavos, që nxori në tender mandatin e të vetmes shpresë të miliona shqiptarëve që nuk jetojnë në oborrin e pushtetit të Saliut.

Ja pse e shoh sot me pezm shfaqjen e rishfaqjen prej vitesh të Fatos Nanos në televizionin Klan, sa herë i duhet Saliut zëri i tij kundër kësaj shprese të vetme që quhet Partia Socialiste dhe që Fatosi u katandis ta thotë me zërin e vet se nuk e ka votuar e nuk do ta votojë.

E ja pse, po për të njëjtat arsye e në emër të së vetmes shpresë të shqiptarëve, ju bëj sot të gjithëve ju apelin për t’u ngritur më shumë se asnjëherë në rangun e lartë të shpresës që kjo parti duhet ta mishërojë ashtu si shqiptarët e dëshirojnë.

Një apel për t’u bashkuar më shumë e më fort se kurrë, jo në emër të shuarjes së dallimeve tona si njerëz të ndryshëm, me mendime e qasje shpeshherë të ndryshme ndaj gjërave dhe ndaj vetë njëri-tjetrit, po në radhë të parë në emër të atyre qindra mijërave që e shohin e dëgjojnë ç’bëjmë e ç’themi ne përditë me bindjen se jemi për ta e vetmja shpresë.

Kjo parti nuk është e imja, nuk është as vendi ku unë dua të dëgjoj vetëm jehonën e zërit tim apo të shoh vetëm fytyrën e miratimit pa debat të çdo gjëje që unë them.

Edhe këtu miqtë e mi, lejomëni ta them siç e mendoj, makina e baltës por fatkeqësisht jo vetëm ajo, ka arritur të shtrembërojë realitetin e mënyrës sime të të jetuarit të politikës e të detyrave të mia të jashtëzakonshme për nga pesha e përgjegjësisë, por edhe për nga bukuria e sfidës, duke më treguar në sytë e shumëkujt siç në të vërtetë nuk jam.

S’kam dyshim se edhe në drejtim të përmirësimit të cilësisë së klimës së dialogut e të mirëkuptimit mes nesh, si kryetar i kësaj partie të madhe, mund të kisha bërë më shumë. Por më anë tjetër askush s’duhet të dyshojë se unë jam i vetëdijshëm për barrën e rëndë që më keni ngarkuar dhe kurrë nuk e harroj atë që s’më lejohet në raport me lirinë e të drejtat e secilit, pavarësisht se jo gjithnjë secili prej nesh këtu mban mend atë që s’i lejohet në raport me këtë parti të të gjithëve. Duke e harruar këtë detyrim fillestar harrojmë në fakt fuqinë e shembullit që udhëheqësja e Partia Socialiste, të zgjedhurit e saj në parlament a në parti, duhet të japin në emër të së vetmes shpresë për Shqipërinë e marrë peng.

Problemet tona, sado parimore t’i quajmë shpeshherë për t’i bërë të duken më të mëdha se ç’janë, ambiciet e hatërmbetjet tona, janë pambarimisht të vogla në krahasim me plagët e demokracisë, drejtësisë, ekonomisë, të cilat infektohen përditë në këtë vend duke ndikuar çdo ditë e më për keq jetën e vështirë, të varfër e të papunë të miliona shqiptarëve. Janë pambarimisht të vogla në krahasim me misionin tonë të përbashkët e me detyrën tonë në përveçme në funksion të këtij misioni.

Kjo nuk është një ftesë për t’i lënë problemet mënjanë, ato janë pjesë e punës dhe e bashkëjetesës sonë në këtë parti, ku problemet tregojnë të vërtetën e madhe se në këtë hapësirë ka liri për të gjithë dhe ka lëvizje rrymash e mendimesh, të vlefshme ose jo, por gjithnjë me mundësinë për t’u shfaqur.

Ky është një apel për ta parë veten e problemet tona me sytë e njerëzve tokëpërmbytur e shtëpirrëshqitur që na shohin sot si të vetmen shpresë. Me sytë e gruas, fëmijëve, vëllezërve të Fatmir Xhindit apo të atyre të Remzi Veselit që na shohin si të vetmen shpresë. Me sytë e pleqve të këtij vendi që po vuajnë muzgun e trishtë të një jete, ku afrimi i fundit të jetës shoqërohet me rritjen e çmimit të bukës e të ilaçeve, dhe që megjithatë na shohin si të vetmen shpresë. Me sytë e të rejave e të rinjve që sot harxhojnë kursimet e prindërve, për të marrë në të shumtën e herëve diploma pa asnjë vlerë në universitetet e panumërta të Saliut dhe për të cilët mbetemi, edhe nëse nuk e dinë akoma shumë prej tyre, e vetmja shpresë. Me sytë e një Shqipërie që nuk është një territor në hartë, as një territor që fillon aty ku mbaron hapësira e shtëpisë sonë, po është vendi ku bëjmë këtë punë pikërisht sepse qindra mijëra ndër ata që jetojnë nëpër të gjithë hartën e saj na besojnë si shpresën e vetme për zgjidhjen e njëmijë e një halleve të tyre.

Duke u munduar ta shoh pikërisht kështu, përmes atyre syve, veten e të gjithë ju, dua sot t’ju them se është dita për t’i shtuar radhët e kësaj asambleje dhe numrin e njerëzve që përgatisin vendimmarrjen tonë, jo dita për të parë me sy fshikullues në radhët e këtij forumi, të kryesisë apo të sekretariatit të kësaj partie të madhe, ku natyrshëm i duhemi njëri-tjetrit sepse jo veç e veç, po vetëm të gjithë bashkë mund ta mishërojmë denjësisht të vetmen shpresë.

E kam dëgjuar mikun tim tashmë të vjetër, po me siguri edhe të ardhshëm Bashkim Fino dhe ndaj me të shqetësimet serioze, reale, përgjithësisht të padiskutueshme në kohë normale, të shprehura me sinqeritetin e tij të njohur për çka duhet e mund të funksiononte ndryshe në radhët e forumeve tona drejtuese. Por kjo i dashur Bashkim nuk është një kohë normale dhe sfida jonë është sot një tjetër, ndërkohë që lermë të besoj se kjo qasje imja, në dukje jonormale sot është e duhura për t’i dhënë mundësinë gjithsecilit që në këtë betejë kaq të madhe, aspak normale, për të vetmen shpresë të shqiptarëve sot, të nxjerrë nga vetja më të mirën në shërbim të Partisë Socialiste.

Ja pse nuk dua të vëmë re sot kush ndër ne këtu, në asamble, kryesi, sekretariat, ka munguar në mbledhjet, takimet, protestat tona të gjithë kësaj kohe të mbingarkuar me vështirësi e mundime të mëdha apo ka bërë edhe të kundërtën e asaj që kemi bërë të gjithë, duke shkuar edhe përtej faktit të natyrshëm që jo të gjithë i kemi menduar të tëra njësoj.

Sot më duket dita për të vënë re kush mungon në tryezën e opozitës së bashkuar. Dita për ta ftuar nga kjo foltore Petro Koçin që ta përfaqësojë në atë tryezë partinë e tij të të gjithë socialistëve të larguar a munguar në këtë partinë tonë të madhe.

Sepse kjo parti e madhe, që e quajta besoj me plot të drejtë të vetmen shpresë, është një shpresë e pamundur pa një opozitë të bashkuar në një front sa më të gjerë. Dhe sepse s’ka më arsye në këtë botë që Petro dhe socialistët e ndarë nga ne për t’u bashkuar me Ilir Metën që ta luftonin Saliun më fort e më mirë se ne, sot të mos jenë në vendin që u takon në tryezën e madhe të opozitës ndërkohë që Iliri ka mbështetur barkun si ballistët e Ceco Musarajit mbi sofrën e pushtetit të korrupsionit.

E po njësoj, s’ka më asnjë arsye që Pëllumb Xhufi e Ndre Legisi të mos rikthejnë në këtë asamble sot vlerat e mbrojtura të një lëvizjeje socialiste që e degjeneroi veten në një krushqi të uriturish me pushtetin e Saliut. Sot ne kemi nevojë, këtu e në të gjitha nivelet e organizimit të partisë sonë, për përfaqësuesit e atyre socialistëve që u larguan nga PS-jë për t’i bërë më mirë popullit socialist, jo për të nxjerrë në pazarin e karrigeve të pushtetit lëkurën e tij. I ftoj edhe të gjithë kryetarët e rretheve të bëjnë të njëjtën gjë në çdo rreth të Shqipërisë me njerëzit e LSI-së që nuk ndoqën pas krushqit e Saliut.

Por duhet të vijnë sot në këtë asamble edhe Musa Ulqini, Stefan Cipa, Ndriçim Hysa apo Besnik Dervishi, deputetët që nuk hynë ndër lista apo pranuan edhe fundin e listës, por bënë gjithshka kishin në dorë, njësoj si gjithë deputetët e sotëm, për fitoren e Partisë Socialiste.

E ka vendin në këtë asamble pa asnjë dyshim edhe kryetari ynë i Këshillit Ekonomik Kombëtar, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani, për kontributet e profesionalizmin e të cilit çdo koment është i tepërt, ashtu siç besoj se të gjithë e mirëpresim edhe përfshirjen e Adriana Berberit që kontribuon me cilësi të lartë në bordin e këtij këshilli.

E ka vendin në këtë asamble edhe Erion Veliaj, kontributi opozitar i të cilit është i njohur dhe po ashtu edhe dëshira për t’u bashkuar me Partinë Socialiste është e materializuar në anëtarësimin në familjen tonë politike.

Por e ka vendin në këtë asamble edhe Agron Duka, që pas një largimi për arsye të njohura prej të gjithëve, është rikthyer pranë Partisë Socialiste duke kontribuar si një socialist i mirë.

Anila Batalli e Elisa Spiropali janë një grua e një vajzë që kanë dëshmuar se e ndjejnë veten pjesë të kësaj partie e të kauzës sonë deri në sakrifica të jashtëzakonshme si greva e urisë, pavarësisht se s’kanë asnjë detyrë organizative. Ju ftoj t’i pranojmë si një pjesë të re, që forcon zërin e gruas e të vajzës militante në radhët e kësaj asambleje.

Aldrin Dalipi është drejtori që ringriti gazetën “Zëri i Popullit” duke e shpëtuar nga falimentimi financiar dhe transformuar në një tribunë të betejës opozitare. Pjesëmarrja e tij në këtë asamble është vlerësimi i duhur për një kontribut të çmuar, po edhe nevojë e këtij forumi për zërin e tij. Në fund, por jo për nga rëndësia, le ta mirëpresim mes nesh edhe kryetarin e Shoqatës së Ushtarakëve, Medi Pogaçe, në respekt të shoqatës që përfaqëson e të përpjekjes së stërmundimshme të ushtarakëve lidhur me të drejtën e fituar e rifituar në Gjykatën Kushtetuese, por të mohuar forcërisht nga Sali Berisha.

* Fjala në Asamblenë Kombëtare e Kryetarit të PS

KOMENTE