English

PS, Leskaj: Opozita ofroi disa herë alternativa për zgjidhjen e krizës

Tiranë, 15 nëntor, NOA – Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mediat dhe deputetja e PS-së. Velentina Leskaj u takua në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë me europarlamentaren Britta Thomsen, anëtare e Aleancës Progresiste e Socialistëve dhe Demokratëve, Sekretarin e Përgjithshëm të Lëvizjes ndërkombëtare Evropiane, Diogo Pinto, Presidentin e kësaj Lëvizjeje në Danimarkë, Erik Boel.

Gjatë takimit diskutimi u orientua mbi zhvillimet e fundit në vendin tonë mbi procesin e integrimit europian, procesin e liberalizimit të vizave dhe mbi Opinionin e Komisionit Evropian mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Zonja Leskaj theksoi rëndësinë që ka integrimi europian për vendin si dhe pengesën, e cila vjen si pasojë e situatës politike të krijuar në vend.

“Opozita i ka ofruar disa herë alternativa dhe zgjidhje për të dalë nga kjo krizë, alternativa të cilat gjithmonë janë rrëzuar nga mazhoranca”, tha deputetja Leskaj.

Europarlamentarja Thomsen, shprehu shqetësimin e saj për situatën aktuale në sferën politike dhe ndikimin jo pozitiv që sjell në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

Ajo theksoi se vetëm palët në Shqipëri mund ta zgjidhin këtë krizë dhe se institucionet europiane janë të gatshëm të ofrojnë gjithë ndihmën e mundshme, por dialogu midis dy forcave duhet të fillojë sa më shpejt.

Ndërsa, Diogo Pinto, Sekretar i Përgjithshëm i “European Movement International” (EMI), u fokusua në misionin e EMI-t në procesin e zgjerimit të BE-së dhe mbështetjen që kjo organizatë e rëndësishme është e gatshme të ofrojë për Shqipërinë.

Pasi u njoh me eksperiencën dhe kontributin në lidhje me shoqërinë civile, Pinto ftoi deputeten Leskaj në Kongresin, që do të mbahet në Stamboll në fillim të vitit 2011, i cili i dedikohet bashkëpunimit e dialogut midis qeverive dhe shoqërisë civile në vendet, të cilat synojnë anëtarësimin në BE.

mit/NOA
KOMENTE