English

Topi u uroi besimtarëve myslimanë Kurban Bajramin

Tiranë, 15 Nëntor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi u ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen festën e Kurban Bajramit nëpërmjet një mesazhi dërguar Bashkësisë Myslimane Shqiptare dhe Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.

“Me rastin e festës së Kurban Bajramit ju uroj përzemërsisht shëndet, begati, mbarësi e harmoni në familjet tuaja, mes miq e njerëzisht të dashur, mes shpresës dhe gëzimit për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt për ju dhe fëmijët tuaj. Kjo ditë e shenjtë në kalendarin islamik i mbush zemrat e gjithsecilit besimtar mysliman me dëshirën për të kryer vepra fisnike, për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit me ndjenjën e mirëkuptimit, sakrificës dhe të solidaritetit, në ditë të mira e të vështira, me lutjen që besimi tek i Plotfuqishmi, respektimi i vullnetit të tij, të na ndihmojë, të gjithë ne shqiptarëve, për të kapërcyer sfidat më të vështira të jetës dhe për të ruajtur zakonet dhe traditat e paraardhësve tanë”, u shpreh ai.

Kreu i shtetit tha se beson se vlerat e larta morale, mendimet e ndritura dhe qëllimet e dobishme, që karakterizojnë çdo besimtar të vërtetë, mund të luajnë një rol vendimtar në përballimin e atyre fenomeneve negative, që shpeshherë shfaqen në jetën e një individi, në jetën e një shoqërie, ashtu sikundër jam i bindur se ato do i shërbejnë synimit të përbashkët për ruajtjen dhe transmetimin në breza të trashëgimisë sonë të vyer të harmonisë dhe të tolerancës fetare, si dhe do i kontribuojnë zhvillimit të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit në dobi të së ardhmes së popullit shqiptar.

n.e/NOA

KOMENTE