English

Vetëvendosje! refuzon deklaratën e partive për zgjedhjet

Prishtinë, 15 Nëntor, NOA - Lëvizja Vetëvendosje! nuk ka marrë pjesë dhe as që e ka nënshkruar deklaratën e përbashkët të partive politike dhe subjekteve elektorale lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit 2010.

Në një deklaratë për shtyp, krerët e saj kanë deklaruar se ajo e mban një qëndrim të tillë, meqenëse nuk u beson partive politike në pushtet.

“Këto parti deri tani e kanë dëshmuar në shumë raste se nuk punojnë sipas asnjë kodi, etik a të mirësjelljes, dhe se janë të gatshme që për interesa të tyre të ngushta politike financiare e klanore ta shkelin secilin premtim që i kanë dhënë popullit të Kosovës”, citojnë krerët e Vetëvendosjes.

Ndërsa shtojnë se populli i Kosovës është dëshmitar i një abuzimi të skajshëm të besimit të tij nga partitë politike që kanë qeverisur deri tash me vendin dhe që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje ku jemi sot.

“Këta politikanë e kanë vjedhur votën e popullit të Kosovës, e kanë keqpërdorur pozitën e tyre për interesave të një pakice njerëzish, e kanë privatizuar pushtetin për interesa të tyre personale, i kanë shkelur madje edhe ligjet dhe rregullat që vet i kanë pranuar dhe aprovuar, janë bërë pjesë e planeve dhe vendimeve politike dhe ekonomike që bien ndesh me vullnetin e popullit dhe kësisoj e kanë dëmtuar rëndë Kosovën. Të nënshkruash tash deklaratë të përbashkët me këta njerëz nënkupton se ekziston një shpresë për reformimin e tyre, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje! i sheh këta politikanë si të pashpresë dhe nuk u beson fare. Meqenëse është kështu ne nuk do të bëhemi pjesë e një maskarade të tillë formale siç është deklarata lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit 2010”, përfundon deklarata e “Vetëvendosjes”.

n.e/NOA

KOMENTE