English

Shpërndante drogë nëpër shkolla, kapet nxënësi me gjysmë kg marijuanë

Gjirokastër, 16 Nëntor, NOA - Arrestohet në flagrancë një nxënës në shkollën e mesme “Industriale” të Gjirokastrës, i cili shpërndante lëndë narkotike në shkollë, me gjysmë kilogramë marijuanë.

Ngjarja konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet e policisë së qytetit jugor, sipas të cilave, në vijim të kontrolleve të ushtruara herë pas herë në ambjenet shkollore për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e goditjen e shpërndarëse të lëndëve narkotike në to, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative u zhvillua një tjetër kontroll në një konvikt të shkollave të mesme.

Konkretisht, kontrolli u krye në konviktin ku janë akomoduar nxënësit e shkollave të mesme “Industriale dhe Pedagogjike”, ku në katin e dytë në një nga dhomat e këtij konvikti, nga kontrolli i ushtruar ka rezultuar se në njërin prej dollapeve ishte një qese plasmasi ku brenda saj kishte rreth 400 gramë lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se kjo qese i përkiste 18-vjeçarit me inicialet F.M, lindur dhe banues në Tepelenë , nxënës në vitin e pestë të shkollës Industriale bë Gjirokastër.

Nga informacionet e marra në rrugë operative rezultoi se ky person këtë lëndë narkotike do ta shpërndante në ambjente të ndryshme shkollore në qytetin e Gjirokastrës.

Nga ana e policisë u bë sekuestrimi i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale si dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F.M, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, vepër kjo e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE