Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Qeveria vendos shpërblim special për familjet e të pushkatuarve pa gjyq, detajet e plota
English

Qeveria vendos shpërblim special për familjet e të pushkatuarve pa gjyq, detajet e plota

Tiranë, 17 Nëntor 2010 NOA - Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe paragrafit të tretë, të nenit 2, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi sot përcaktimin e procedurave të shqyrtimit administrativ të kërkesave dhe masës së dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991.

Në poshtë vijon vendimi i plotë:

Ministria e Drejtësisë kryen shqyrtimin administrativ të kërkesave për dëmshpërblim financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1944 – 1.10.1991, dhe përcakton masën e dëmshpërblimit financiar, si më poshtë vijon: I. Procedura e shqyrtimit administrativ të kërkesave

A. Fillimi i shqyrtimit të kërkesave

1. Ministria e Drejtësisë shqyrton kërkesat për dëmshpërblim financiar, të familjarëve të viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike.

2. Afati i paraqitjes së kërkesave të familjarëve të viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, është deri 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Mosparaqitja e kërkesës brenda këtij afati sjell humbjen e të drejtës së dëmshpërblimit për familjarin e viktimës të ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike.

3. Me “ekzekutim padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike”, në kuptim të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, si dhe të këtij vendimi, për efekt të dëmshpërblimit financiar, kuptohet humbja e jetës, si pasojë e ekzekutimit, pa një vendim gjykate të formës së prerë, pa një akt administrativ apo urdhër hetuesie, për shkak të një vepre penale politike, të listuar në nenin 5, të këtij ligji, gjatë periudhës 30.11.1944 – 1.10.1991.

4. Familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën, me shkrim, për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, sipas formularit të aneksit “A”, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Formulari i paraqitur në aneksin “A” së bashku me formularin tip shpërndahen pranë çdo filiali të Postës Shqiptare sh.a., sipas nenit 21, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

5. Kërkesa paraqitet nga paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, si dhe fëmija/fëmijët e vëllëzërve dhe motrave. Familjarët në shkallë më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake.

6. Kërkesa shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm: a) të dhëna për përbërësit e gjendjes civile të viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, në kohën e ekzekutimit; b) të dhëna për kohën e ekzekutimit; c) aktin administrativ apo dokumentin zyrtar, të lëshuar gjatë periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991, që provon ekzekutimin pa gjyq, për motive politike; ç) certifikatën e vdekjes së viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, dhe certifikatën e trungut familjar; d) dokumentacionin që provon lidhjen familjare të dërguesit me viktimën e ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, si dhe dokumentacionin që provon se cilët nga familjarët përfitues janë të gjallë; dh) çdo informacion, lidhur me gabimet ortografike apo materiale të përbërësve të gjendjes civile të viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, për identifikimin e saktë të tij; e) një adresë të saktë, të zgjedhur për komunikim.

Certifikatat e lindjes duhet të jenë lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kërkesës.

7. Kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit financiar përcillen pranë Ministrisë së Drejtësisë, nëpërmjet Postës Shqiptare sh.a. dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, për dërguesin me vendndodhje jashtë vendit, sipas parashikimeve të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar. 8. Pas regjistrimit të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 6, të këtij vendimi, struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë fillon procedurën e shqyrtimit administrativ për përfitimin e dëmshpërblimit financiar.

B. Shqyrtimi i kërkesës

1. Çdo kërkesë i nënshtrohet, paraprakisht, hetimit administrativ në sektorin e gjendjes gjyqësore, në Ministrinë e Drejtësisë, (skedarët e përgjithshëm dhe ata të posaçëm, për të përndjekurit politikë të regjimit komunist).

2. Pas verifikimit të drejtpërdrejtë të informacionit, kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 – 1.10.1991.

3. Autoritetet përgjegjëse, brenda afatit 30-ditor nga depozitimi i dosjes, njoftojnë, me shkrim, ministrin e Drejtësisë dhe i përcjellin, bashkëlidhur, një kopje të dokumenteve përkatëse arkivore.

Përgjigjja e autoriteteve përgjegjëse është sipas tekstit në vijim:

“Pas shqyrtimit të kryer në burimet arkivore të institucionit tonë, në bazë të nenit 27, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr._______, datë _______, “Për përcaktimin e procedurave të shqyrtimit administrativ të kërkesave dhe masës së dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991”, ju vëmë në dijeni se subjekti kërkues:

a) është ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, në vitin ______;

b) nuk ka të dhëna.”. Kur është e mundur, autoritetet përgjegjëse japin të dhëna edhe për veprën penale politike, për kryerjen e të cilës viktima është ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq. 4. Autoritetet përgjegjëse për përgatitjen e përgjigjes shfrytëzojnë burimet e tyre arkivore, të krijuara para datës 1.10.1991, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi tregojnë të dhëna për rrethanat e ekzekutimit pa gjyq të viktimës për një vepër penale politike, të listuar në nenin 5, të ligjit nr.9831/2007, të ndryshuar.

5. Informacionet e bashkërenduara depozitohen në dosje. Punonjësi përgjegjës, në përputhje me nenin 28, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, përgatit relacionin, të cilin ia paraqet ministrit të Drejtësisë.

6. Në rast se, nga verifikimi i autoriteteve përgjegjëse në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 – 1.10.1991, nuk disponohen të dhëna për kërkuesin, atëherë punonjësi përgjegjës i propozon ministrit ta klasifikojë kërkesën si të pabazuar në ligjin nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, dhe në këtë vendim, për mungesë provash.

7. Klasifikimi si i pabazuar në ligjin nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”,të ndryshuar, dhe në këtë vendim, për mungesë provash, bëhet edhe për rastet kur dosja përmban si dokument provues vendimin e komisionit trepalësh apo vërtetimin e faktit të vrasjes pa gjyq, të dhënë me vendim gjykate, të lëshuar pas datës 1.10.1991.

8. Ministri i Drejtësisë, në mbështetje të propozimit të strukturës përgjegjëse, urdhëron pranimin apo refuzimin e saj, i cili është i formës së prerë.

II. Përllogaritja e masës së dëmshpërblimit financiar

1. Familjarët e viktimave të pushkatuara pa gjyq, për motive politike, për vuajtjen dhe persekucionin, përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë, gjithsej, në masën e 8 (tetë) viteve kompensim dënimi me burgim. Kompensimi financiar kryhet në bazë të përllogaritjes sipas së cilës, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, dëmshpërblimi financiar është në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë. Nga shuma që çdo subjekt i ekzekutuar pa gjyq, për motive politike, përfiton nga ky vendim, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme.

2. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Entin Kombëtar të Banesave dhe Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, bëjnë përllogaritjet e masës së dëmshpërblimit financiar, në përputhje me pikën 1 të këtij kreu, dhe me rregullat e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Minstrave nr.1253, datë 2.7.2008, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të vlerësimit për dëmshpërblimin e përfituar nga ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist”.

III. Autoriteti përgjegjës për miratimin e dëmshpërmblimit financiar

1. Këshilli i Ministrave është autoriteti përgjegjës që miraton dëmshpërblimin financiar dhe, me vendim, përcakton gjenealitetet përkatëse të të ekzekutuarit padrejtësisht, pa gjyq, për motive politke, mënyrën e ekzekutimit dhe shumën e dëmshpërblimit financiar, gjenealitetet e sakta të familjarëve dhe masën përkatëse të dëmshpërblimit të tyre.

2. Ministria e Drejtësisë është autoriteti përgjegjës që shqyrton kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, sipas ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, dhe të këtij vendimi. Kur, pas shqyrtimit administrativ, rezulton se kërkesa është e drejtë dhe e bazuar në ligj dhe në këtë vendim, ministri i Drejtësisë i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e dëmshpërblimit financiar.

3. Këshilli i Ministrave shqyrton propozimet e dërguara nga ministri i Drejtësisë brenda dy javëve kalendarike. Vendimet hyjnë në fuqi menjëherë dhe botohen në ‘Fletoren zyrtare”.

4. Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan fondet në mënyrë proporcionale për të gjithë familjarët e viktimave të pushkatuara, pa gjyq, për motive politike, me kusht që vlera e dëmshpërblimit, gjatë fazës së parë, të mos jetë më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë dhe jo më e vogël se 100 000 (njëqind mijë) lekë.

5. Shuma e llogaritur transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë, të përzgjedhura, sipas nenit 33, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

6. Mbikëqyrja e mënyrës së shpërndarjes së çdo dëmshpërblimi kryhet sipas dispozitave të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

IV. Kërkesat për dëmshpërblimin financiar të familjarëve të viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, të paraqitura pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”,, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shqyrtohen sipas procedurave të këtij vendimi. Për këtë qëllim struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, fillon menjëherë shqyrtimin administrativ të kërkesave të depozituara.

V. Ngarkohet ministri i Drejtësisë, ministri i Brendshëm, ministri i Financave, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit, drejtori i Entit Kombëtar të Banesave dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KOMENTE