English

Rama: Pa hetimin e materialeve zgjedhore s’ka zgjedhje të mundshme

Tiranë, 17 nëntor, NOA, Update - Pa hetuar kutitë e materialeve zgjedhore dhe duke përjashtuar tashmë, fletët e votimit, s’ka reformë zgjedhore dhe s’ka as zgjedhje të mundshme në Shqipëri.

Kështu ka deklaruar shefi i selisë rozë në një konferencë për shtyp të mbajtur sot ku i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha të pranojë ofertën e re të opozitës për zgjidhjen e krizës politike me hetimin e materialeve zgjedhore.

“Oferta jonë e re është e vetmja shpresë për të dalë nga kriza politike, duke bërë transparencën e zgjedhjeve të shkuara e shpëtuar zgjedhjet e ardhshme”, theksoi Rama.

“Sali Berisha ka dështuar në fshehjen e së vërtetës mbi krizën politike. Ai duhet t’i japë përgjigje ofertës së re të opozitës, të cilën ia kam lënë unë vetë në tavolinë javë më parë dhe duhet të zgjidhë krizën politike, që vazhdon të dëshmojë se Komisioni Europian ka plotësisht të drejtë kur thotë në opinionin e vet se qeveria nuk është e gatshme ta zgjidhë”, tha kryesocialisti Rama.

Shefi i opozitës nënvizoi rishtas se berisha ka dështuar në qeverisjen e vendit me vota të vjedhura dhe mbi kuti të mbyllura, andaj sipas Ramës ai duhet të mos e pengojë më tutje transparencën, por të pranojë ngritjen e komisionit hetimor dhe t’i hapë rrugë hetimit të kutive të materialeve zgjedhore, për t’i hapur dorazi rrugë edhe reformës zgjedhore.

“Beteja jonë për shpëtimin e zgjedhjeve, çlirimin e tyre nga korrupsioni e presioni i pushtetit të korruptuar të Saliut, është e vetmja shpresë për ta vënë qeverinë në varësi të popullit duke e çliruar popullin nga varësia prej qeverisë”, theksoi sakaq Rama.

Kreu i partisë Socialiste, argumentoi më tej se Sali Berisha ka dështuar, sepse mes standardeve evropiane dhe klanit të tij të korruptuar në pushtet, zgjodhi të përfaqësojë këtë klan duke keqqeverisur me votat e vjedhura, që mban peng në kutitë e mbyllura dhe duke shpallur opozitën armike të vendit e të integrimit.

Kryesocialisti rama akuzoi kryeministrin berisha se po kërkon të fshehë dështimin e tij me një betejë qesharake, por shumë të dëmshme për Shqipërinë, duke iu kundërvënë opinionit të Bashkimit Europian, të cilat, duke refuzuar kërkesën e qeverisë për statusin e kandidatit, nuk refuzuan shqiptarët por vetë Sali Berishën dhe keqqeverisjen e tij.

Rama bëri thirrje që kryeministri Sali Berisha duhet të largohet, duke shtuar se e vetmja shpresë për një qeverisje transparente dhe një model të ri zhvillimi është Partia Socialiste dhe opozita e bashkuar.

“Sot Partia Socialiste është e vetmja shpresë dhe largimi i qeverisë e vetmja rrugë për të rifutur Shqipërinë në binarët e integrimit”, deklaroi kryetari i PS-së, Edi Rama.

mit/NOA
KOMENTE