English

Nesër konferenca “Supporting Albanian ICT Companies Access to Credit”

Tiranë, 18 nëntor, NOA – Të premten në 19 nëntor në ambientet e Hotel “Tirana International”, do të zhvillohet konferenca me titull “Supporting Albanian ICT Companies Access to Credit”, e promovuar nga Ministria për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës me mbështetjen e Kooperacionit Italian për zhvillim.

Kjo konferencë u drejtohet kryesisht sipërmarrësve shqiptare, që punojnë në fushën e komunikimit dhe teknologjive të informacionit, dhe ka si qëllim të evidentojë rëndësinë strategjike të teknologjive të reja në zhvillimin e rritjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

Konferenca zhvillohet në kuadrin e Programit të Zhvillimit të Sektorit Privat, fushë në të cilën Italia me një angazhim prej rreth 30 milion euro, është lider në Shqipëri ndëpërmjet financimit të një linje kredie dhe të një fondi garancie në favor të NVM-së.

Një vëmendje e veçantë do i kushtohet marrëdhënieve midis ndërmarrjeve dhe botës akademike, bashkëpunimi i të cilave është thelbësor për të zhvilluar akoma më tej teknologjite e reja e për të gjetur zgjidhje të reja në përputhje me kërkesat e NVM.

Për këtë qëllim në këtë konference do të marrin pjesë dy ekspertë italianë në sektorin e ICT-së, që do të prezantojnë disa raste-studimi.

Konferenca do të nisë në orën 9.00 me pjesëmarrjen e Ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ilir Meta, dhe Ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Saba d’Elia.

Gjithashtu në këtë konferencë do të marrin pjesë Drejtori i Kooperacionit Italian për Zhvillim, Aldo Sicignano, dhe Presidenti i AITA (Albanian Information Technology Association), Dritan Mezini.

NOA
KOMENTE