English

Projektligji “Për Artin dhe Kulturën”, pritet miratimi në Parlament

Tiranë, 18 Nëntor, NOA/ Milena Selimi - Projektligji "Për Artin dhe Kulturën" kalon së shpejti në Parlament. Pas një odiseje me argument pro dhe kundër në komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, mbështetur dhe kundërshtuar nga grupet e interesit, artistë, drejtues të institucioneve të kulturës, në një mediatizimim jot ë paktë në faqet e shtypit, po i afrohet vendimit final, që mbetet miratimi nga Parlamenti.

Një pjesë mendojnë se mbi këtë ligj "bie mallkimi" i ligjit "Për Teatrin" që nuk u zbatua kurrë dhe u pasua nga një ligj tjetër i pazbatuar.

Të tjerë e quajnë ligj "reformues" sepse u jep mundësi subjekteve të private të konkurrojnë.

Ligji i ri parashikon që buxheti të kalojë nga ministria në Qendrën Kombëtare të Artit dhe Kulturës, e cila ka një bord që propozohet nga titullari i institucionit. Ministri Xhaferaj e cilëson një "model i funksionimit, deri diku i pavarur, i institucioneve të publike të artit dhe kulturës".

Pika e fundit e diskutimeve mbeti ankesa për financimin e projekteve dhe veprimtarive artistike kulturore. Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve financon nga fondi buxhetor "projekte artistike e kulturore me synim ruajtjen e trashëgimisë dhe vlerave kombëtare në funksion të politikave kulturore të përvitshme, si festivale, konkurse kombëtare, veprimtari jubilare, promovime dhe botime kolonash."

Cili është rezultati i një festivali që mbështet me para të taksapaguesve në vlera deri dhe 10 milionë lekë (të reja) buxhete që konkurrojnë buxhetin e Teatrit Kombëtar?-një pyetje që nuk merr përgjigje nga përfaqësuesit e MTKRS-së, present në debatet e projektligjit.

Në diskutimet e fundit u konstatua nga deputetja Luzia Xuvani: “Projektligji nuk artikulon artet vizuale; nuk reformon institucionet; ka një globalizëm të ekzagjeruar; e vetmja risi është Teatri i Komedisë; ndërsa Teatri Kombëtar mbetet në atë atë status të turpshëm për vlerat që përfaqëson”.

Deputeti Mark Marku i të njëjtës linjë diskutimi, shtoi se "subvencionimi nga fondi buxhetor i kompanive private të artit nuk mund të jetë financim total" sepse kështu nxitet parazitizmi e jo konkurrenca për një produkt që të vlerësohet nga tregu. Marku tha se politikë kulturore është ajo që financon "edukimin e publikut" dhe jo ajo që "jep asistencë për artistët".

Të rejat e projektligjit:

Krijohet Qendra Kombëtare të Artit dhe Kulturës.

Krijohen Teatri Kombëtar i Komedisë dhe Cirku Kombëtar.

Pushteti vendor jep 30% të buxhetit të kulturës për mbështetjen e teatrove.

Subvencionim nga fondi buxhetor i kompanive private të artit.

Fondet për projektet artistike nuk i nënshtrohen legjislacionit për prokurimin publik.

Kanë thënë për projektligjin në Kuvend:

Kiço Londo, Teatri i Metropolit: “Historia e legjislacionit të artit skenik në 20 vitet e fundit ka një parabolë të çuditshme. Ka një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1993, me të cilin të gjitha institucionet vazhdojnë të punojnë. Është bërë një ligj në vitin 2000, i cili dështoi. Është bërë edhe një ligj në vitin 2006, i cili gjithashtu dështoi. Me këtë ligj shteti po stimulon ngritjen në nivelin kombëtar të çdo lloj vlere të dyshimtë. Ky është masonizëm komunist”.

Zhani Ciko, Teatri i Operës dhe Baletit: “Në rast se Kuvendi do ta miratojë këtë ligj, do të bëjë hapin e parë cilësor me këtë ky ligj, që një pjesë e buxhetit të pushtetit lokal të kalojë në funksion të institucioneve artistike. Kjo është reforma për mua. Kjo është gjë e madhe që do të lejojë që edhe një komunë të japë diçka për kulturën, për angazhimin e njerëzve. Kjo është pika e re, është ideja e re që sjell ky ligj”.

Arben Kumbaro, regjisor: “Bëni një ligj, nga sot e tutje, preje me thikë, mos merr njeri pa audicion dhe pa kontratë artistike, jo me urdhër politik. Kjo histori duhet të marrë fund. Ju lutem, reflektoni thellë për këtë ligj dhe mos e kaloni, sepse do të ketë reperkusione të rënda në menaxhimin e atyre pak parave që ka kultura shqiptare!”.

Ndriçim Xhepa, aktor: “Ky ligj që i takon artit, nuk dua të shihet me ngjyrat e flladit kuq e blu, ngjyra partiake, se është turp. Ikën 20 vjet... Unë kam përshtypjen se ky ligj kërkon të mos nxitohet as ministri, as komisioni parlamentar, siç është bërë në vite”.

Mark Marku, deputet: “Gjëja më e mirë që është arritur me këtë ligj, është kjo: për herë të parë me një ligj ministria bëhet një institucion politikbërës dhe krijon struktura të tilla që merren me shpërndarjen e fondeve. Krijimi i Qendrës Kombëtare të Artit mendoj se e zgjidh këtë problem”.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE