English

PS: Krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng zgjidhjen e krizës dhe integrimin

Tiranë, 18 nëntor, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi gjatë diskutimit të lirë në seancën e sotme parlamentare akuzoi qeverinë se janë pikërisht krimi dhe korrupsioni dy shtyllat kyçe, të cilat i mbyllën derën e Evropës, Shqipërisë.

Deputeti Toçi theksoi se Shqipëria brenda një dite mori dy mandate nga institucionet evropiane, një për popullin, i cili nga mesi i dhjetorit do të mund të lëvizë i lirë, dhe një “shuplakë” për qeverinë, të cilës iu refuzua kërkesa për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Deputeti socialist, akuzoi ndërkaq qeverinë se është e vetmja, të cilës i refuzohet ky status pas aplikimit me kokëfortësi e nxitim, një status që këtë herë e fituan edhe shtetet fqinje, sa i përket Malit të Zi, i cili nuk është ende as anëtar i NATO-s.

Duke e cilësuar opinionin e KE-së si një përgjigje të hapur, pa asnjë diplomaci, që iu dha një qeverie të dështuar dhe një kryeministri të dështuar, Toçi ritheksoi se raport-progresi i KE-së lëshoi kritika ndaj institucioneve të shtetit dhe mospërmbushjes të standardeve nga ana e tyre; ndaj moszbatimit të ligjeve; ndaj Kuvendin ku nuk funksionon demokracia parlamentare dhe opozita dhunohet; për korrupsionin e lartë që ka prekur ndjeshëm gjyqësorin, ekonominë, shëndetësinë, të drejtat e pronës, prokurimet publike etj, si dhe kritika për mungesën totale të hetimeve, dhe dënime qesharake që dëshmojnë për klimën e pandëshkueshmërisë në vend.

“Të gjitha këto opozita dhe shqiptarët po i thonë që prej një viti e gjysmë, ndërsa Berisha, në vend që të reflektojë për shqetësimet që ngre BE-ja, po bën të gjitha përpjekjet për të ndërhyrë për ndryshimin e raportit, tek miqtë e tij të vjetër europianë. Por dje, po nga Komisioni Evropian iu bë e qartë Berishës se nuk ka vend për ndryshimin e raportit, por për të ndryshuar qëndrimet mbi bazën e detyrave që vihen”, theksoi deputeti Toçi.

Ai evidentoi si rastin më tipik të pandjeshmërisë ndaj problemeve të qytetarëve dhe të drejtave të tyre mbi pronën, trajtimin e banorëve të Orikumit dhe Dukatit, në rrethin e Vlorës, të cilët prej vitesh kërkojnë zgjidhjen e problemit me rrugë ligjore dhe, për shkak të synimeve grabitqare të këtij pushteti, janë ngritur në protesta të ligjshme.

Ai akuzoi qeverinë se po përdor edhe policinë e shtetit deri në denatyrim dhe përdhosje të statusit dhe figurës së saj, për të mos u dhënë përgjigje mbi 80 dosjeve me dokumente pronësie të paraqitura, si dhe shumë çështjeve të hapura në gjykatat e shkallëve të ndryshme, duke ushtruar mbi banorët dhunë dhe duke i akuzuar ata me të padrejtë.

Në këtë kontekst ai vuri në dukje se përmes dhunës së ushtruar është vënë në rrezik jeta e Jorgo Kazhelit e Albert Hibroj, që vetëm dje kanë mundur të dalin nga spitali i Vlorës, me fraktura në kokë e në trup.

E nën këtë frymë solidariteti, deputeti Fatmir Toçi i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha të marrë përgjegjësitë për situatën e krijuar me pronat në Dukat dhe Orikum, por edhe në Hamallaj të Durrësit dhe të zgjidhë problemet e pronave me banorët e zonave me rrugën ligjore dhe të dialogut.

“I bëjmë thirrje Sali Berishës, përgjegjësit të kësaj situate në Dukat, Orikum, por edhe në Hamallaj e në vende të tjera, t’i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave, që po e mbajnë peng stabilitetin dhe zhvillimet normale të vendit. Dhe t’u kërkojë falje banorëve në Bashkinë e Orikumit që nuk e ka mbajtur premtimin paraelektoral për zgjidhjen e këtij problemi, por që e harroi sapo u sigurua që me vjedhjen e votës që u bëri shqiptarëve mund ta vazhdonte mbretërimin e tij”, theksoi nga foltorja e Kuvendit, deputeti Toçi.

Ai ritheksoi se Partia Socialiste është e vetmja forcë reale demokratike në vend, e cila do t’i zgjidhë përfundimisht këto probleme dhe do ta nxjerrë vendin nga kriza shumëplanëshe që ka pllakosur në vend.

Në fund deputeti socialist, argumentoi se “me ndjenjën e përgjegjësisë për fatin e integrimit të vendit, ne vendosëm të hidhnim një hap tjetër për zgjidhjen e krizës, që nuk është tërheqje nga kauza jonë, por përpjekje për të shbllokuar krizën e për të realizuar reformën zgjedhore, rrugë, e cila duhet të kalojë nëpërmjet hetimit parlamentar”, tha deputeti i PS-së, Fatmir Toçi.

mit/NOA
KOMENTE