Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Edi Rama: Ju tregoj lidhjet me Tan Lepurin
English

Edi Rama: Ju tregoj lidhjet me "Tan Lepurin"

Tiranë, 20 Nëntor 2010 NOA - Emri i Dritan Avllaj, renditet nder ata mbi te cilet hidhet baltë nga mazhoranca, deklaroi Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në një intervistë ku rendit arsye sipas tij pse ndodhin këto sulme. "Kjo është një çështje që ka të bëjë me mbiprodhimin e makinës së baltës në kushtet kur ne kemi ekspozuar fakte dhe jo llafe, prova, jo shpifje, për keqqeverisjen për shkak të korrupsionit dhe interesave tërësisht korruptiv të oborrit të pushtetit", - u shpreh z. Rama gjatë një interviste për gazetarin ALfred Peza në Tv Ora News.

Rama theksoi se "unë kam plot miq e të njohur dhe nuk është hera e parë që një njeri i njohur i imi kthehet në personazh të makinës së baltës, keni dëgjuar të tjerë emra në të shkuarën dhe do të dëgjoni me siguri të tjerë në të ardhmen, sepse kështu punon makina e baltës".

Më poshtë ndiqni intervistën e plotë të zbardhur:

Ka një datë për fillimin e ndërtimit të Xhamisë?

Ne duam të nënshkruajmë fillimisht një marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësuesit e komunitetit mysliman pasi sigurisht që edhe xhamia ashtu sikundër edhe muzeu i ri i Tiranës, si godina të reja në qendër do t’i nënshtrohen asaj që parasheh plani francez i qendrës për çdo godinë të re, një konkursi ndërkombëtarë. Në këtë rast ne pa dyshim nuk mund veçse ta organizojmë në bashkëpunim me përfaqësuesit e komunitetit, përveçse me arkitektët dhe ekspertët që do të marrin pjesë në të sepse në fund të fundit është ky komunitet që do ta marrë në dispozicion këtë projekt-ide pastaj do ta kthejë në projekt-zbatimi dhe pastaj do ta realizojë. Unë besoj se do të jemi në gjendje të bëjmë detyrën tonë, ashtu sikundër shpresoj që të gjitha palët të bëjnë detyrën e tyre dhe këtu nënkuptoj edhe qeverinë.

Nuk është premtim elektoral? Zoti Olldashi tha që e keni bërë këtë premtim edhe në vitin 2007...

Personi të cilin ju citoni nuk shquhet as për seriozitet, as për besnikëri ndaj të vërtetës në thëniet e tij dhe as për ndonjë zhvillim mendor dhe kulturor të atillë që të marrë më shumë kohë se çfarë mori në këtë bashkëbisedim.

E mirëpriti komuniteti mysliman meqë patët edhe një takim?

Unë besoj që kjo ishte një e re shumëpritur dhe për këtë edhe e mirëpritur. Unë nuk doja të shtyja më tutje, pasi siç e thashë, secili këtu bën detyrën e vet. Unë nuk shoh në këtë çështje një çështje me të cilën duhen korrur fryte elektorale apo politike. Është një tempull i munguar i një besimi të madh mes shqiptarësh dhe është një ngrehinë e cila plotëson një trekëndësh që e bën të prekshme, e bën të dukshme, e bën të pranishme konkretisht, fizikisht në qendër të kryeqytetit tonë, atë që është përmbajtja e bashkëjetesës në këtë kryeqytet ku tre besime të mëdha mirëkuptohen dhe i japin këtij qyteti një unikalitet që ne duhet ta bëjmë prezent dhe ta kultivojmë në funksion të bashkëjetesës qytetare për fëmijët tanë dhe për të gjithë brezat që do të vijnë.

Meqë jemi tek ndërtimet e reja në qendër të Tiranës, meqë jemi tek këto objekte. Një diskutim tjetër ka pasur në lidhje me ndërtimin e parlamentit të ri. Ju i keni dërguar një letër kryetares së Kuvendit për të mos marrë pjesë në komision shtetëror për kompleksin e ri parlamentar. Kjo letër tregon se ju do e braktisni përgjithmonë këtë proces...

Jo, ky është një detaj që në fakt shpjegon thjesht atë që është në të vërtetë ky komision shtetëror, një trup politike e ngritur për të udhëhequr një proces që praktikisht nuk mund ta udhëheqë. Askund në asnjë vend të botës demokratike, të botës së qytetëruar, të Evoprës së zhvilluar, nuk ndodh që një trupë e kësaj natyre të udhëheqë një proces për një konkurs arkitekture. Për më tepër, në pikëpamje të etikës zyrtare ajo mbledhje ishte e njoftuar në një formë krejt banale dhe ditën e mbledhjes u ndryshua dhe ora aty për aty, gjë që tregon që as kryetarja e Kuvendit, as kryeministri, as ministrat, nuk kanë ndonjë axhendë pune javore, por improvizojnë çdo ditë punën që duhet të bëjnë. Ndërkohë që është e qartë se e vetmja punë që bëjnë vërtetë seriozisht dhe 24 orë pa ndërprerë është se si të sulmojnë opozitën që e kanë shpallur dhe armik të këtij vendi dhe të integrimit. Madje gati sa nuk e thonë që problemi i vetëm që ka ngelur pa zgjidhur në këtë vend është opozita. Por, përtej kësaj, ajo që vlen të thuhet është se çfarë po bën Sali Berisha me një objekt të trashëgimisë historike dhe kulturore të këtij qyteti dhe të këtij vendi, është një barbari absolute, të cilën me fjalë të qarta e ka kritikuar mbarë opinioni i vet, arkitektëve, e kanë kritikuar edhe zëra autoritarë të trashëgimisë kulturore-botërore dhe vetë arkitektja që ka konceptuar dhe realizuar planin e qendrës, dhe mbarë opinioni publik.

Megjithatë ju dhatë votën pro bashkë me zotin Ruçi për ngritjen e komisionit për parlamentin e ri...

Jo, jo. Që të sqarohemi, është ekzaktësisht e njëjta mendësi me të cilën diktatura dhe Enveri prishën dhe shkatërruan pjesë të tëra të trashëgimisë kulturore, është e njëjta mendësi dhe e njëjta barbari kulturore, një mendësi talebane, e cila i ka bërë dëme të mëdha Shqipërisë në të shkuarën dhe vazhdon t’i bëjë dëme edhe sot në të tashmen, për shkak edhe vetëm të faj të Sali Berishës, i cili sigurisht nuk kupton fare nga këto punë. E vetmja gjë që realisht ka vokacion të brendshëm për të bërë është të prishë, të dëmtojë, të shkatërrojë, sigurisht në emër të luftës kundër komunizmit, kundër një komunizmi të cilin ai i ka shërbyer besnikërisht për çerekshekulli dhe viktimë e të cilit ai është, në mendësinë e tij, në mënyrën se si i kupton dhe u qaset gjërave. Një gjë është e sigurt, që në këtë rast kjo që ndodh me piramidën është e pashembullt, qoftë në aspektin kulturor, qoftë në aspektin ligjor, pasi nuk bazohet në asnjë procedurë Kushtetuese dhe ligjore vendimmarrje, por bazohet thjesht dhe vetëm në barbarizmin e Sali Berishës, i cili e ka thënë dhe vazhdon ta thotë me këmbëngulje se do ta prishë piramidën dhe se ky është një vendim i formës së prerë.

Ju jeni kundër prishjes?

Unë jam absolutisht kundër prishjes dhe kam argumentuar shumë qartë se në rast se ka një ide për ta kthyer piramidën dhe hapësirën rreth saj në një parlament të ri dhe në një kompleks të ri parlamentar, kjo është një ide e cila duhet eksploruar dhe duhet propozuar nëpërmjet projekteve të ndryshme nga arkitektë dhe jo një ide e cila duhet të shërbejë si një alibi për të bërë një shkatërrim të madh. Sigurisht që nxjerrja në konkurs e kësaj hapësire, bashkë me piramidën për një kompleks të ri parlamentar u jep mundësinë arkitektëve që të bëjnë propozime nga më të ndryshmet. Vetëm mbi atë bazë mund të gjykohet se çfarë duhet bërë me piramidën dhe kush është projekti më i mirë që vlerëson atë çfarë ekziston duke e kthyer në një realitet të ri në funksion të së ardhmes...

...Pra ju jeni dakord që duhet një kompleks i ri parlamentar?

Ka plot e plot e shembuj, me mijëra shembuj, se si gjenialiteti i arkitekteve përmes konkurseve ndërkombëtare ka sjellë propozime dhe zgjidhje nga më të habitshmet, dhe nga më të paparashikueshmet. Sigurisht nuk i takon një kryeministri, e aq më pak një kryeministri si ky i yni, i cili nuk ka kurrfarë kulture në këtë drejtim dhe nuk ka kurrfarë tagri për t’u marrë drejtpërdrejt me këtë çështje që të paravendosë se ky objekt duhet prishur, dhe për më tepër pastaj kur u thotë shqiptarëve se këtë e bën për arsye ekonomike sepse duke e prishur piramidën kursen 20-30 milionë euro. Ndërkohë që kjo është një marrëzi e pashoqe për këdo që kupton se kështu siç është edhe në pikëpamje thjesht të kostos, piramida përmban një vlerë që me shembjen e saj shkatërrohet, ndërkohë që me integrimin e saj në një projekt të ri, sigurisht do të përfitojë. Sigurisht do të ishte shumë më e arsyeshme financiarisht që mbi bazën e kësaj piramide të ndërtohej parlamenti i ri. Do të ishte shumë më e arsyeshme dhe simbolikisht që një godinë e ngritur për kultin e diktatorit të kthehej në një hapësirë për tempullin e demokracisë. Pa dyshim, do të ishte plotësisht e arsyeshme që në të gjithë këtë histori Sali Berisha të mos përzihej dhe Jozefina Topalli me të gjithë ata kompaninë që mblidhen atyre për të bërë mbledhje pas mbledhjesh pa asnjë kuptim, nuk kanë asnjë arsye që të mblidhen, boll që këtë gjë t’ua delegojnë ekspertëve dhe ekspertët le ta ndjekin, në fund sigurisht një juri ndërkombëtare të vendosë.

Për ta mbyllur kapitullin e piramidës do të shtoja që ndërkohë shqiptarëve u janë shpenzuar në mënyrë abuzive shumë para. Së pari, u janë shpenzuar para për një konkurs të mëparshëm pikërisht për parlamentin e ri, i cili e respektoi planin e qendrës duke e orientuar konkursin në hapësirën e pasme të godinës ku sot janë zyrat e parlamentit, ish-komitetit qendror. Nga ky konkurs doli një ide që në gjykimin tim dhe në gjykimin e shumë njerëzve ishte spektakolare dhe për këtë arsye juria ndërkombëtare, me një presidente jurie që është një ndër arkitektet më ta famshme sot të botës, e vlerësoi si projektin që duhet të kthehej në parlamentin e ri të shqiptarëve. Unë nuk e harroj takimin me zonjën Aulenti pas konkursit ku unë e përgëzova për kurajën e jurisë për të zgjedhur projektin më të guximshëm dhe më kontraversial, pasi zgjidhte çështjen e sallës së re të parlamentit mbi godinën ekzistuese të komitetit qendror, duke i dhënë mundësinë Tiranës dhe Shqipërisë që të kishte një sallë parlamenti unike në llojin e vet, drejt qiellit. Ajo m’u përgjigj, kurse unë shpresoj që ju të keni kurajën që të mos trembeni nga ky projekt dhe ta realizoni. Faktikisht Jozefina dhe Saliu u trembën nga ai projekt, trembje mirëfilli provinciale, e njerëzve të pakulturuar, të cilët nuk e kuptuan vlerën e atij projekti.

Nuk ka arsye për ofendime të tilla...

Mungesa e kulturës në këtë rast nuk është aspak një ofendim, është një konstatim i cili buron dhe nga mënyra se si e shpjegojnë refuzimin ndaj atij projekti, që tregojnë qartësisht mungesë kulture në rastin më të mirë, për ta thënë në mënyrën më të butë. Sepse për të qenë besnik ndaj asaj që realisht është një qasje e atillë, duhet thënë injorancë. E pra, u harxhuan një pjesë parash për një konkurs që nuk u kthye në realitet, thjesht dhe vetëm sepse u trembën nga një projekt i guximshëm, apo sepse e quajtën atë me një kosto të paarsyeshme, ndoshta.

Sipas jush fshihet diçka prapa gjithë kësaj?

Nuk fshihet ndonjë gjë e madhe përveçse asaj që duket, injorancë dhe arrogancë pa fund, improvizim i përditshëm për t’u dhënë shqiptarëve mundësi të konsumojnë gjëra që praktikisht i bëjnë të harrohen për një moment problemet reale që kanë përditë dhe në fakt s’ua zgjidh askush. Më pas, u shpenzuan para për ta kthyer piramidën në teatër, në momentin kur për ta nxjerrë Top Channel nga piramida duhej një alibi dhe disa miliona euro kontribute të shqiptarëve për buxhetin e shtetit u hodhën për një projekt teatri, i cili ishte një absurditet i vërtetë, në një hapësirë që nuk mund dot praktikisht të kthehej në një teatër, sallë artesh, galeri artesh, të gjithë këto marrëzira që Saliu i rreshtoi në improvizimin e radhës.

Improvizimi ka filluar që në kohën e qeverisjes socialiste...

Ndërkohë hidhen një sërë parash tjera për një konkurs tjetër. E pra, i gjithë ky është një organizim që tregon se sa amatoreske, se sa pa vizion, se sa program, se sa pa plan është kjo qeveri në punët e saj.

Por ka edhe një debat tjetër pikërisht këtë javë, në lidhje me një tjetër ndërtim, përsëri në Tiranë, përsëri një projekt i madh, të paktën se ka dhe emrin Unza e Madhe. Në lidhje me këtë është mbledhur KRRTRSH dhe aty është diskutuar që do të fillojë puna pas dy muajsh për ndërtimin e kësaj unaze dhe ku kryeministri ka artikuluar që kritika ndaj Bashkisë dhe ndaj jush direkt që e keni vonuar sëtepërmi fillimin e këtij projekti...

Edhe kjo është një tjetër çështje në të cilën përsëri injoranca, arroganca, abuzimi me pushtetin dhe mbi të gjitha politika, koncepti i mbrapshtë i Saliut që politika është mbi të gjitha dhe për hir të politikës çdo gjë mund të bëhet. Ky projekt, i cili është i gatshëm dhe për të cilin ne kemi negociuar dhe jemi marrë vesh me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që të marrim një kredi për ta realizuar këtë projekt, i vlerësuar si i shkëlqyer nga kjo bankë, është bllokuar arbitrarisht, personalisht nga Sali Berisha për një kohë shumë të gjatë, me një qëllim të vetëm, që të vij sot në ditën kur fillon dhe nxehet makineria elektorale dhe të thotë që bashkia nuk e bëri dhe po e bëj unë. Dhe në mënyrën më të paturpshme në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, për një projekt që vlerësohet rreth 20 milionë euro vendos vetëm 5 milionë lekë. 5 milionë lekë ka vendosur qeveria për vitin 2011, vetëm që të shkojë atje, të presë një shirit, të thotë e filluam unazën e re që nuk e filloi Bashkia e Tiranës po e fillojmë ne.

50 mijë dollarë?

Po. Thjesht vetëm për t’i hedhur hi sy njerëzve që po fillojmë unazën e re dhe ndërkohë duke refuzuar një kredi, të cilën Bashkia e Tiranës e kishte negociuar, për të cilën kishte një marrëveshje me Ministrinë e Financave dhe për të cilën Bashkia e Tiranës ishte e gatshme të përballonte të gjitha interesat në vitet në vijim duke u dhënë qytetarëve unazën e re, mbi bazën e një projekti, të konsideruar të shkëlqyer.

Zoti Berisha pretendon që ju i keni fshehur për një vit rresht projektin...?!

Zoti Berisha gënjen si një zog që këndon. Pra, e vetmja gjë që realisht bën pa harruar asnjëherë që ta bëjë, është që të gënjejë. Për fat të keq, e them vërtetë për fat të keq, sepse mund të ishte krejt e mundur që palët në këtë vend të bënin një garë se kush vrapon më shpejt dhe qeveria, shumica me vota të vjedhura, sot shumicë të mos e harrojmë e asnjëherë, të garantonte me ide të reja dhe me shprehjen e aftësisë për t’i vënë në jetë këto ide më mirë se sa ne. Fatkeqësisht nuk ndodh kështu. Këtu gara nuk bëhet se kush shkon më shpejt drejt finishit, se kush i jep njerëzve rrugëdaljen më të sigurt dhe më të shpejt, por se kush godet më fort kundërshtarin dhe se kush hedh baltë më shumë ndaj kundërshtarit.

A do të fillojë dhe kur do të fillojë ndërtim i Unazës së Madhe?

Ne për fat të keq jemi bllokuar në këtë projekt, në mënyrë të qëllimshme, por nuk është problemi se jemi bllokuar ne, është bllokuar qyteti, janë bllokuar qytetarët e Tiranës vetëm për faj të Sali Berishës, i cili po për të njëjtat arsye ka bllokuar dhe realizimin e dy parkingjeve të mëdha nëntokësore në qendër të Tiranës dhe sot....

Pse ju ka bllokuar ai ju akuzon se s’keni ndërtuar asnjë parking?

Pikërisht që të dalë sot dhe të thotë se në Tiranë nuk ka parkingje nëntokësore. Ndërkohë që më lejoni t’ju them se vetëm me lejet tona të ndërtimit në Tiranë janë ndërtuar mbi 20 mijë vende parkimi nëntokësor në godina. Por, përtej këtyre, ne kemi një plan për parkingjet nëntokësore.

Dhe 20 mijë të tjera janë shitur për dyqane...

Fatkeqësia është se nuk është kontrolluar dhe zbatuar si duhet nga shteti, jo nga Bashkia.

Ju i jepni lejet e ndërtimet...

Lejet janë për parkime, por parkimet janë transformuar në dyqane postfaktum, pasi është marrë leja dhe pasi është realizuar godina. Megjithatë kjo nuk ka rëndësi, se nuk jemi këtu për këtë çështje, rëndësi ka që të gjitha këto janë sot alibitë e Sali Berishës për t’u thënë qytetarëve...

Po për dy parkingjet nëntokësore çfarë problemi ka?

Problemi, asnjë problem. I vetmi problem është se ato mbahen të bllokuara nga Sali Berisha, siç u mbajt e bllokuar unaza e re, siç u mbajt i bllokuar buxheti i qytetit, sot e gjithë ditën. Është rast unik, jo në historinë e Shqipërisë, por besoj në historinë e botës demokratike që një kryeqytet nuk zbaton dot buxhetin e vet dhe bllokohet me pahir për të mos i dhënë fund me sistemimin përfundimtar dhe atyre rrugëve të fundit dytësore që u kanë mbetur pa u sistemuar, në mënyrë që Sali Berisha të dalë dhe të thotë ja ku është një rrugë e pasistemuar, ja ku është një rrugë tjetër e pasistemuar. Është mentaliteti i njohur për bllokime.

A është bërë projekti? A janë gjetur financime? A kanë kaluar këto në KRT-në e qytetit?

Të mos humbasim këto, ju nuk keni nevojë që ta gjeni të vërtetën duke përsëritur të njëjtën pyetje 10 herë për mua apo për palën tjetër.

Mirë pra, ne duam të vërtetën tuaj se ju kemi këtu sot...

Unë po ju them që po, ne kemi gati parkingjet nëntokësore prej vitesh dhe mbahen të bllokuar nga Sali Berisha. Ne kemi gati projektin e unazës së re dhe kemi negociuar, dhe marrë aprovimin në parim për financimin e saj nga BERZH dhe për financimin e plotë të saj, pra rreth 20 milionë euro. Ndërkohë që është bllokuar për të thënë se nuk e bëmë dot ne dhe do ta bëjnë ata që vënë në buxhetin e vitit 2011 sa për fushatë, 5 milionë lekë të reja, 50 milionë lekë të vjetra, për t’u thënë qytetarëve të Tiranës dhe shqiptarëve ja po e bëjmë ne. Me të njëjtën logjikë kanë bllokuar buxhetin e qytetit, me të njëjtën logjikë kanë bllokuar praktikisht veprimtarinë e bashkisë kudo ku Bashkia mund të plotësonte nevojat e qytetarëve. Me të njëjtën logjikë kërkojnë të marrin taksat e qytetarëve që janë për qytetin, që janë kontribute të drejtpërdrejta për shërbimet e qytetit që të paguajnë kompanitë që kanë zgjedhur në mënyrë korruptive për të vendosur kasat fiskale. Pra, fitimin e parashikuar nga korrupsioni me kasat fiskale përmes kompanish të zgjedhura në rrugë korruptive, Sali Berisha kërkon ta marrë të plotë, duke ua marrë qytetarëve të Tiranës nga taksat dhe duke i thënë Bashkisë që nuk do t’i marrësh taksat e biznesit të vogël për të bërë shërbime ndaj qytetarëve sepse do t’i marrin këto kompani që kam zgjedhur unë që do të vendosin taksat fiskale të biznesit. Me të njëjtën logjikë kërkon të kufizojë me një veprim tërësisht antikushtetues, ashtu sikundër është antikushtetues e gjithë veprimtaria e Sali Berishës ndaj pushtetit vendor. Edhe grandin që quhet i pakushtëzuar pikërisht sepse u jepet bashkive dhe komunave që ta përdorin sipas nevojave të tyre duke thënë se vetëm 18% dhe jo më shumë do të shkojnë për paga. Ndërkohë në kuadrin e mbiprodhimit të baltës gjatë gjithë qeverimit të tij, sëfundmi, del dhe bërtet që Bashkia e Tiranës ka 4300 punonjës.

Sa ka në fakt?

Është një gënjeshtër e pashoqe, thuajse dyfishi i të vërtetës. Bashkia e Tiranës ka në totalin e vet 2767 punonjës dhe nga ky numër që të jem fare i saktë, pra 2767 dhe unë janë vetëm 350 punonjës që janë shtuar nga viti 2005 dhe ndërkohë administrata e Bashkisë së Tiranës, si administratë, ka vetëm 474 punonjës të cilët janë shtuar nga viti 2005 vetëm 53 për funksione të shtuara si legalizime, mjedisi, arsimi, çështje sociale, që kanë qenë funksione të reja. Ndërkohë që ne kemi shkurtuar të tjera funksione për shkak se duam të plotësojmë të gjitha këto. E pra, e shikoni se çfarë përmasash kanë prodhimet e makinerisë së baltës për të treguar të pavërteta çdo ditë dhe për t’i mbingopur qytetarët me to me mendësinë që shpif, shpif se diçka do të mbetet. Kjo është e gjithë e vërteta lidhur me të gjithë aksionin destruktiv, bllokues, dëmtues, të Sali Berishës dhe qeverisë ndaj Bashkisë së Tiranës, me të vetmin qëllim që t’u thënë qytetarëve që nuk u bë kjo, por ja do ta bëjmë ne. Ndërkohë që ne, pavarësisht gjithë kësaj i kemi çuar përpara punët dhe do të vazhdojmë t’i çojmë përpara.

Pra fushata ka filluar...

Unë po flas për makinën e baltës dhe po flas për shpifjet e kohëve më të fundit. Unë nuk po bëj fushatë dhe nuk ndihem në fushatë.

Nga mënyra se si po i drejtoheni kundërshtarit politik paska filluar fushata, të paktën nga pala tjetër...

Pala tjetër jeton si në fushatë që kur ka ardhur në pushtet dhe pasi e ka rimarrë të drejtën për të qeverisur jo nga vota e popullit, por nga vjedhja e votës, jeton edhe më shumë se në fushatë. Përpara pak ditësh ishim në një takim përpara protestës dhe po diskutonim lidhur me gjithçka që po i ndodh pushtetit vendor opozitar. Kjo që po bëhet në Tiranë është vetëm pamja më spektakolare, por kjo ndodh kudo. Bllokohen punët në qendrën e Durrësit për të mos lejuar që kryetari i Bashkisë së Durrësit të përfundojë një projekt ambicioz, një projekt Europian, një projekt që i jep Durrësit një qendër të re në Shekullin e ri. Bllokohet projekti i qendrës së Korçës në mënyrë që kryetari i Bashkisë së Korçës të mos mund të çojë përpara atë projekt dhe arrihet deri aty sa merret shteti i tërë, merret personalisht Sali Berisha së bashku me Ridvan Boden, i cili nga njëra anë shkon për të ndihmuar Skënderbeun të fitojë dhe nga ana tjetër godet mu në zemër qytetin e skuadrës së Skënderbeut për të mos lejuar që një punë të vazhdojë duke arritur deri tek bordurat e trotuareve të reja të qendrës së qytetit. Dhe kështu me radhë luftohen, pengohen, dëmtohen, punët e këtyre të zgjedhurve, të cilët do apo s’do Sali Berisha, i pëlqen apo s’i pëlqen Sali Berishës, kanë aftësinë të udhëheqin komunitetet e tyre me vizion dhe me kompetencë. Një kompetencë që buron nga modeli ynë i qeverisjes që është një model krejt i ndryshëm nga modeli i Sali Berishës.

Do të provohet shpejt ky model në zgjedhjet e 8 majit të 2011...

Modeli është i provuar në realitetet e këtyre qyteteve, është transformuar si nuk kishte mundësi të parashikohet Elbasani. Është transformuar dhe transformohet përditë në një mënyrë shembullore Korça, vazhdon të transformohet Durrësi, pavarësisht një trashëgimie shumë të rënduar me abuzivizëm. Transformohen të gjitha qytetet që ne qeverisim, ashtu sikundër transformohet përditë edhe Tirana, pavarësisht këtyre vështirësive. Kjo nuk është thjesht dhe vetëm meritë e disa individëve, s’e kam menduar dhe s’e kam parë kurrë si një meritë timen atë që ka ndodhur me Tiranën. Kjo është shprehje e një modeli që funksionon. Ky është modeli ynë qeverisës që funksionon, që kurrë nuk bazohet mbi bllokimin, pengimin, shkatërrimin e punëve të tjetrit, por që bazohet mbi pasionin për punën dhe dashurinë për atë çka kemi privilegjin të bëjmë, t’i shërbejmë të tjerëve duke qenë në krye të punëve. E pra, besoj që është shumë e rëndësishme t’u thuhen qytetarëve disa të vërteta shumë të thjeshta, të cilat janë të vërtetat e thjeshta të një politike të çartur, të mbrapshtë, të çoroditur, të vjetër sa s’thuhet më, që mundohet t’u japë qytetarëve sa më shumë arsye për të urryer tjetrin, sa më shumë arsye për ta konsideruar veten në luftë me një armik, sa më shumë arsye për të gjeneruar një mllef që pastaj shkon dhe përhapet deri në poret e fundme të kësaj qeverie të ndarë në mënyrë realisht dramatike, në tifozë partish, duke mbajtur gjallë një të shkuar, nga e cila Sali Berisha thotë se e ndau Shqipërinë. Në fakt Shqipëria sot e gjithë ditën është peng i kësaj të shkuare.

Do të kemi rast tjetër deri më datë 8 maj 2011 t’ia shpjegoni njerëzve...

Kjo nuk ka të bëjë me 8 majin, kjo është një histori që vazhdon 20 vjet me radhë dhe s’ka të bëjë fare me 8 majin dhe kjo është një histori e cila riciklohet fuqishëm sigurisht në prag të çdo kapitulli të ri, por ama është një histori që bën që sot Shqipëria të jetë refuzuar nga Bashkimi Europian për të qenë kandidate për Bashkimin Europian.

Përmendët pak më parë problemet që ka krijuar ose që i janë krijuar kësaj qeverie në lidhje me raportet tona integruese, një prej të cilëve ka të bëjë pikërisht me atë që ju përmendët, me refuzimin e marrjes së ftesës së Shqipërisë si vend kandidat nga Bashkimi Europian. Por, nga ana tjetër ka pasur edhe një zhvillim tjetër pozitiv, shumë të rëndësishëm gjithashtu, sidomos për qytetarët shqiptarë, liberalizimi i vizave. E marrim me rrallë, liberalizimi i vizave...

Liberalizimi i vizave hapja e dyerve të Europës për qytetarë shqiptarë, refuzimi i statusit mbyllja e derës së Europës për Saliun. Kaq e thjeshtë, shqiptarët e kanë merituar ndoshta më shumë se të tjerët që të lëvizin lirisht në një Europë e cila ka qenë tërësisht e izoluar dhe ndryshe nga të tjerët, për 50 vjet brenda kufijve të tyre, ndërkohë që qytetarët e tjerë të ish-perandorisë komuniste kanë mundur që të lëvizin mesveti dhe jo rrallë ta kapërcejnë kufirin. Pse kur bëhet një gjë e mirë është meritë e qytetarëve dhe kur bëhet e keqe nuk është meritë e kundërshtarit politik.

Pse kur bëhet një gjë e mirë është meritë e qytetarëve dhe kur bëhet e keqe është meritë e kundërshtarit politik...

Jo, jo, nuk është kështu. Është një gjë fare e thjeshtë, është e thënë qartë edhe nga vetë përfaqësuesit e asaj Europë që u hapi dyert shqiptarëve. E pra, shqiptarët e meritonin më shumë se tjerët, e meritonin, ka kohë. Shqiptarët mbetën të fundit, të fundit fare për shkak të faktit se Sali Berisha e mbeti në klasë, e mbeti në provimin e liberalizimit Shqipërinë disa herë dhe u arrit pastaj në fund fare ku edhe serbët, edhe maqedonasit, edhe malazezët që ishin bashkë me ne në trenin e fundit patën mundësi ta marrin liberalizimin, ndërkohë që shqiptarët e marrin me një vit vonesë.

Kur e morën malazezët, maqedonasit dhe serbët, vjet, një vit më parë, ju deklaruat që ishte faji i qeverisë, tani qenka meritë e qytetarëve, pse s’është meritë e qeverisë? Sepse duhet t’ia njohim kësaj qeverie, të paktën ato karta identiteti, pasaportë biometrike, që socialistët nuk i bënë...

Ju mund t’ia njihni kësaj qeverie, ne nuk ia njohim sepse fatkeqësisht ne mbetëm të fundit dhe ishte realisht një vullnet europian shumë i madh për t’u hapur dyert shqiptarëve dhe për të mos i lënë ata të fundit. Të mos harrojmë që ndërkohë ka ndodhur ajo që tregon realisht se çfarë ka bërë qeveria, refuzimi i statusit. Qeveria e Shqipërisë nuk ka asnjë arsye të festojë, por duhet të reflektojë. Shqiptarët kanë të gjitha arsyet që të gëzohen që më në fund u çliruan nga makthi i atyre radhëve të padrejta për ta. Duhet të reflektojë qeveria sepse realisht nuk kishte dështim më të madh që mund t’i ndodhte një qeverie dhe një kryeministri se sa ky, në të gjithë rrugën e integrimit. Kurrë ndonjëherë nuk i ka ndodhur Shqipërisë diçka më e rëndë, për shkak të keqqeverisjes në rrugën e integrimit. Është refuzuar statusi i kandidatit. Është refuzuar hapja e negociatave me Bashkimin Europian. Janë larguar në kohë të gjitha mundësitë që ka për një vend të gjitha shanset që sjell për një vend, për një popull, integrimi në Bashkimin Europian, në stadin e statusit të kandidatit. Dhe kjo për faj të Sali Berishës, dhe kjo sepse Sali Berisha ka dështuar, dhe kjo sepse Sali Berisha nuk i mbulon dot më në sytë e Europës problemet e rënda të demokracisë, problemet e rënda me pronat, problemet e rënda me mediat, problemet e rënda krimin dhe korrupsionin, me standardit Europian dhe të korrupsionit të pushtetit të tij të votave të vjedhura, Sali Berisha ka bërë zgjedhjen e tij. Kjo është arsyeja se pse ne jemi refuzuar në një trokitje në derë që përbën një rast unik në historinë e Europës së Bashkuar, qysh se statusi i kandidatit jepet edhe pa hapur negociata.

A ka ndonjë përgjegjësi opozita për këtë refuzim?

Nuk ka absolutisht asnjë përgjegjësi në raport me gjithë sa thash. Për arsye se, nuk është opozita që ka bërë që parlamenti të mos jetë një parlament me standarde europiane, përtej bojkotit të opozitës, përtej marrëdhënies sonë të kushtëzuar me parlamentin. Aty flitet qartë, flitet konkretisht, flitet me emër për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila tregohet e zeza mbi të bardhë si përgjegjëse për një parlament që nuk plotëson kriterin politik, për një parlament me një staf të politizuar. Ju përmendët më parë një letër të dërguar nga unë për të shpjeguar mospraninë tonë në atë komisionin e ashtuquajtur shtetëror për konkursin e parlamentit. Por, letra që erdhi në përgjigje të letrës sime nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ishte shprehja më e qartë e problemit të madh që ka parlamenti, e administratës së politizuar. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit apo i një ministrie është niveli më i lartë i administratës publike. Administrata publike nuk bën politikë, administrata publike bën punën e shtetit, pavarësisht se kush është në krye.

Çfarë thuhej në këtë letër?

Gjuha e përdorur ishte gjuha e politikës së mllefit, e të urrejtjes së Jozefina Topallit. Do ta mirëkuptoja atë letër në rast se do të ma dërgonte zëdhënësi i Jozefina Topallit. Edhe pse për etikë një letër e dërguar nga kreu i një institucioni tek kreu i një institucioni tjetër merr përgjigje nga kreu i institucionit, por nuk ia kërkoj këto zonjës Topalli. Është për të ardhur keq. Zonja Topalli ka si model të autoritetit modelin e kryetarit të kooperativës ku ka qenë fatkeqësisht e detyruar të punojë si e përndjekura e regjimit dhe jo modelin e paraardhësve vet fisnikë, jo elegancën e paraardhësve të vet fisnik.

Kjo është një gjë për të cilën ne duhet t’i përkulemi para dhimbjes së saj...

Unë po ju them komplet diçka krejt tjetër, unë po them se Jozefina Topalli mund të kishte zgjedhur një model tjetër se e ka pasur mundësinë ta shohë atë model tek paraardhësit e saj. Ka zgjedhur modelin e injorantit, arrogantit kryetar kooperative dhe atje në krye të Kuvendit ka bërë të gjitha ato që bëjnë që opinioni i BE-së ta përcaktojë si problem.

T’ua them me radhë kush janë përgjegjësitë e opozitës, i kam 12 pikat e opinionit...

Nëse ju doni të rendis përgjegjësitë e qeverisë, unë mund t’ua rendis me radhë. Nëse doni që unë t’ju japë përgjigje për çfarë ka bërë opozita, unë jam dakord, nuk ka problem...

Meqë ju jeni shefi i opozitës...

Alfred, nuk është refuzim ndaj opozitës opinioni negativ.

Sigurisht, por opozita ka përgjegjësitë e saj dhe janë përgjegjësitë e të gjithë klasës politike...

Opinioni negativ i BE-së ka lidhje të drejtpërdrejtë me keqqeverisjen dhe opozita nuk qeveris.

A njihni ju ndonjë përgjegjësi?

Në raport me refuzimin e statusit kandidat, ne nuk kemi dhe nuk mbajmë asnjë përgjegjësi.

Një nga pikat thotë, të garantohet funksionimi i duhur i parlamentit mbi bazën e një dialogu politik konstruktiv, dialog i cili ka munguar, pjesë e këtij dialogu duhet të ishit ju. Të miratohen ligjet e ngelura pezull të cilat kërkojnë shumicën e cilësuar në parlament, që realizohet përmes votave të opozitës sepse mazhoranca nuk i ka. Të emërohet avokati i popullit dhe në parlament të bëhet procesi i rregullt dëgjimor dhe proces i rregullt votimi për emërim në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Po çfarë lidhje ka me opozitën?

E keni se duhen 84 vota...

Jo, më vjen keq. Duhen 84 vota për avokatin e popullin, duhen 84 vota dhe për ligje të tjera. Opozita do t’i japë votat e saj vetëm kur të jetë e bindur se i jep për ligjet e duhura në vendin e duhur. Sot, parlamenti i Shqipërisë ka një krizë politike për të zgjidhur që nuk e ka shkaktuar opozita, opozita e ka bërë atë prezent dhe është e qartë edhe në opinionin e Komisionit Europian, diferencimi midis faktit që opozita ka bojkotuar parlamentin dhe fakti që parlamenti nuk funksion si duhet, pavarësisht bojkotit të opozitës. Kjo krizë politike, ky dialog i munguar politik, ky model i parlamentarizmit që sot e gjithë ditën mungon dhe të cilit i referohet opinioni ka të bëjë me një fakt sa të thjesht aq edhe dramatik, që është në themelin e bashkëjetesës sonë në këtë vend. Zgjedhjet e vjedhura, kutitë e mbyllura, transparenca e munguar. Opozita është në të drejtën e zotit dhe të sajën për të kërkuar transparencë dhe për të bërë gjithçka mundet që zgjedhjet të mos vidhen përsëri. Ndërkohë që, i takon qeverisë që të trajtojë dhe të zgjidhë çdo krizë. Një qeveri që nuk zgjidh dot një krizë, pavarësisht se kush mund të jenë elementët e tjerë aktorë, faktorë dhe të tjerë në krizë, është një qeveri që nuk administron dot vendin e vet, është një qeveri që duhet të largohet. Është një qeveri që nuk arrin dot t’i japë vendit atë që vendi ka nevojë. Është e thjeshtë, nuk ka çfarë të diskutojmë mbi këtë sepse është një princip elementar, aq më tepër kur bëhet fjalë për një opozitë tërësisht paqësore. Sigurisht, absolutisht. Për një opozitë që nuk ka këputur një lule dhe nuk ka thyer një xham.

Mirë, por nuk keni votuar asnjë ligj...

Kjo është e drejta jonë, nëse doni të na hiqni dhe këtë të drejtë dhe doni të na ktheni në shtesë kati mbi godinën e paligjshme të zgjedhjeve të vjedhura dhe të kutive të mbyllura, kjo është e drejta e juaj, por nuk ua plotësojmë dot këtë dëshirë.

Keni detyrimin për t’ua plotësuar popullit, që të kenë avokatin e popullit, çfarë pune u prish opozitës?

Ne kemi detyrimin t’i japim popullit shqiptar dhe Shqipërisë drejtimin e duhur. Ne kemi detyrimin ta rifusim Shqipërinë në binarët e integrimit. Ne kemi detyrimin t’i japim shqiptarëve një mundësi të re, një model të ri qeverisës, një model të ri zhvillimi, një rrugë të re integrimi dhe shpresash të realizuara. Për të gjitha këto ne sot jemi në krye të detyrës për të refuzuar një pushtet të dalë nga votat e vjedhura.

Po çfarë është kjo kulturë, nesër do të jeni ju në pushtet dhe do të jetë opozitë Sali Berishë dhe nuk do t’i japë votat as ty për të mos bërë këto që ju nuk keni bërë sot... Ku po shkojnë qytetarët, ku po shkon Shqipëria? Kush është përgjegjësia juaj si klasë politike dhe si opozitë?

Ndoshta nuk kuptohemi, që të kuptohemi flasim për pushtet të vjedhur, flasim për vota të vjedhura dhe kuti të mbyllura, flasim për refuzim antikushtetues, për të plotësuar një të drejtë kushtetuese të opozitës që të bëjë transparencë dhe një të drejtë kushtetuese të popullit shqiptar që të shohë në dritën e diellit atë që ka ndodhur për të mos ndodhur më. Flasim për të nxjerrë në dritë armën që vrau zgjedhjet e shkuara, të gjitha arsyet pse po ndodh kjo që po ndodh sot. Të gjitha arsyet që e shtyjnë sot e gjithë ditën Shqipërinë që të jetë pezull. E pra, me i nxjerrë të gjitha këto arsye në dritën e diellit ne i krijojmë palëve mundësinë që të zgjidhen në rrugë të drejtë, në rrugë të ndershme, në rrugë të lirë. Pastaj i takon secilit të bëjë detyrën e vet. Pa as më të voglin dyshim çdo pushtet i dalë nga votat e vjedhura, sot, mot e përgjithmonë, duhet të marrë përgjigjen që meriton. Ne po i japim vetëm një pjesë të përgjigjes që ky pushtet në fakt meriton.

Ju keni bërë këto ditë një ofertë të re, në fakt për zgjidhjen e krizës politike, për procesin e transparencës së zgjedhjeve të kaluara. A është e mundur ta kuptojmë se nuk është kuptuar qartë se ku ndryshon kjo ofertë e re nga të gjitha ato të vjetrat që janë bërë deri tani?

Oferta e re nuk është bërë këto ditë, është bërë ditën që unë së bashku me kryetarin e grupit parlamentar Socialist kemi shkuar në tryezën e thirrur për reformën zgjedhore, është bërë atë ditë, i është lënë në tavolinë kryetarit të qeverisë së votave të vjedhura dhe i është thënë ja ku është oferta jonë për të zgjedhur krizën politike dhe për t’i hapur rrugë reformës zgjedhore që nuk mund të bëhet pa zgjidhur krizën. Në këtë ofertë të re që është oferta për të ngritur komisionin hetimor parlamentar është vendosur e zeza mbi të bardhë, ajo çfarë shkruhet në rezolutën e Parlamentit Europian, hetim i kutive të materialeve zgjedhore. Nuk ka asnjë fjalë për fletët e votimit dhe më pas unë kam shpjeguar që ne jemi tërësisht të vetëdijshëm që duhet të vazhdojmë të përpiqemi për një zgjidhje që Sali Berisha nuk e do, por që shqiptarëve dhe Shqipërisë i duhet. Në këtë funksion ne kemi lënë jashtë kornizës së hetimit fletët e votimit. Nuk i kërkojmë fletët e votimit për këtë hetim që besoj se e plotëson në mënyrë konsiderueshme dhe të mjaftueshme për të nxjerrë problemet e rënda që kanë zgjedhjet në Shqipëri me hetimin e kutive të materialeve zgjedhore.

Po, por edhe zoti Patozi ka kthyer një përgjigje edhe thotë që në një sistem demokratik asnjë institucion nuk ka pushtet të pakufizuar, dhe nuk mund të ndërmarrë një hetim të pakufizuar. Ju keni hequr dorë nga hetimi i pakufizuar?

Po jua përsëris, në ofertën tonë ne jemi të qartë. Gjithçka është e shkruar shumë qartë. Duam të implementojmë Rezolutën e PE-së, duam të hetojmë kutitë e materialeve zgjedhore dhe jo fletët e votimit.

Jeni dakord që ndërkohë që ju do të hetoni materialet zgjedhore, fletët e votimit të digjen sipas nenit 178 pika 6 të Kodit Zgjedhor?

Ne nuk japim asnjë dakordësi për asgjë që ka të bëjë me ndërhyrjen në fletët e votimit. Por, ne nuk i duam fletët e votimit për këtë hetim dhe sigurisht që do të mbajmë qëndrimin tonë që nuk kushtëzon marrëdhënien me parlamentin, që nuk mban krizën politike hapur, por sigurisht dallon qartë modelin tonë të bërit gjërave, me modelin e Sali Berishës.

Që është?

Digj, shkatërro, dërrmo, pengo, blloko, sa të mundesh, si të mundesh dhe ku të mundesh.

Zoti Berisha ua ka kërkuar me shkrim dhe me sa dimë akoma nuk ua keni çuar këtë që konsideroni si ofertë të re...

Zoti Berisha e ka ofertën e re me shkrim dhe firmat e më shumë se 30 deputetëve të PS-së. Ky është një angazhim i marrë publikisht dhe kjo është një ofertë që ka marrë dhe një mbështetje aspak për t’u neglizhuar siç është mbështetja për këtë ofertë nga vetë Komisioneri i Zgjerimi, Stefan Fyle.

Ju po kërkoni hetim të materialeve zgjedhore dhe ndërkohë nuk kërkoni fletët për hetim, për asgjë, por të mos digjen...

Jo, jo. Ne nuk hymë fare në këtë çështje. Sigurisht nëse duhet që ne të themi fjalën tonë, ne do ta themi fjalën tonë. Por, kjo nuk do të thotë që ne kushtëzojmë çfarëdo qoftë me fletët e votimit.

Pra, nëse zbatohet neni 178 i Kodit...

Tani të mos i referohemi nenit 178 në këtë formë. Neni 178 i Kodit flet për kushtet kur s’ka asnjë kontest. Këtu ka një kontest shumë të madh, që zgjat prej më shumë se një viti. Në këto kushte ka edhe një gjë tjetër, ka një të drejtë tjetër, që është mbi Kodin dhe mbi çdo ligj, që është e drejta kushtetuese për hetimin parlamentar. Thënë kjo, ne heqim dorë nga fletët e votimit për t’i hapur rrugë transparencës duke besuar që një pjesë e konsiderueshme dhe e mjaftueshme për kësaj here, të asaj që ne duam të hetojmë mund të plotësohet me kutitë e materialeve zgjedhore. Këtë e bëjmë edhe për vetëdijen e plotë se duhet të japim një kontribut më shumë duke bërë edhe një sakrificë nga vetja për një interes më të madh që është interesi i vendit, që të dalë nga kjo krizë politike ku e mban me pahir Sali Berisha.

Do u jepen, në mënyrë hipotetike, kutitë e votimit, do të filloni hetimin me shumicë dhe kryesim të opozitës, ndërsa fillon puna digjen fletët e votimit. Konsiderohet e zgjidhur sipas jush kriza, pavarësisht se fletët e votimit do të digjen, ju do të vazhdoni punë me materialet?

Ne do të vazhdojmë punë me hetimin pavarësisht se çfarë ndodh me fletët. Por, për atë që ndodh me fletët ne do të themi fjalën tonë, që do të thotë se kjo nuk kushtëzon qëndrimin tonë ndaj parlamentit, por ama sigurisht që nuk jep dakordësinë tonë për një gjë është plotësisht e evitueshme.

Pra ju do të mbani qëndrimin tuaj pavarësisht nëse digjen apo jo fletët...

Siç e mbajmë qëndrimin tonë për çdo çështje për të cilën nuk jemi dakord me Sali Berisha, kjo është normale apo jo...?!

Pra, kjo do t’i dërgohet me shkrim Sali Berishës sepse ka një ndryshim qëndrimi...

Çfarë t’i çojmë me shkrim? T’i çojmë me shkrim Saliut që shikoni madhëri se në rast se ju do ta bëni këtë makabritet, ne do të vazhdojmë të përunjur punën tonë? Çfarë t’i çojmë me shkrim?

A jeni ju që po thoshit deri tani që ne jemi për një shtet ku të funksionojë me letra të përpunuara mirë. Pra ju keni një ofertë të re.

Oferta e rë është në tavolinë, ia kam thënë publikisht atë ditë zotit kryeministër që nuk i ka votat për të qëndruar aty ku qëndron, por megjithatë është kryeministër.

Kjo është propagandë.

Nuk është propagandë, kjo është fakt. Po t’i kishte votat për të qëndruar aty ku rri me vota të vjedhura, do t’i kishte hapur të gjitha kutitë me kohë e me vakt dhe do të kishte çuar opozitën në ferr.

Ka një ndryshim thelbësor dhe kësaj që po thoni ju.

Nuk ka asnjë ndryshim. Është shumë e qartë.

Duhet të jemi të qartë sepse është shumë e rëndësishme kjo gjë, mund të jetë artikulimi që zgjidh krizën për të cilin kemi 1 vit e gjysmë që vijmë vërdallë.

Është artikulimi që zgjidh krizën në rast se Sali Berisha pranon që më në fund duhet ta zgjidhë krizën dhe në rast se nuk vazhdon të bëjë atë që thotë dhe opinioni i Bashkimit Europian, të tregojë mungesë gatishmërie për t’iu përgjigjur ofertave të PS-së, është e thënë në opinionin e BE-së.

Unë besoj, të paktën nga ato që kam dëgjuar disa herë nga kryeministri, që ai këtë ofertë që ju bëtë sot do ta pranojë...

Në fakt kryeministri ka një karakteristikë të njohur që po e tha fjalën nuk e ha asnjëherë... Unë di të them vetëm kaq, që oferta e re është në tavolinë, nuk i përmban fletët e votimit.

Nëse digjen fletët e votimit ju do të vazhdoni hetimin e materialeve zgjedhore, do të mbani një qëndrim politik për to, do të thoni fjalën tuaj, kaq.

Është e qartë si drita e diellit që ne nuk i duam fletët e votimit.

As të ruhen?

Nuk do të japim kurrë dakordësinë që ato të digjen, do të mbajmë qëndrimin tonë sepse modeli ynë na imponon një qasje krejt tjetër ndaj çështjeve sado të koklavitura të vendit. Por, kjo nuk do të kushtëzojë qëndrimin tonë ndaj parlamentit dhe nuk do të kushtojë ecurinë e hetimit tonë dhe nuk do të kushtëzojë marrëdhënien tonë me reformën e tryezës zgjedhore.

Ok, ishte e qartë.

Ishte e qartë që në fillim.

Kaq e qartë, që të hetoni materialet zgjedhore dhe nëse digjen fletët e votimit ju do të vazhdoni marrëdhënien normale me parlamentin, do të merrni pjesë në reforma, do të jepni votat, pra nuk do të keni qëndrim të kushtëzuar, pasi ajo varet nga qëndrimi politik që do të merrni rast pas rasti për çështje të ndryshme. Kjo është hera e parë që artikulohet kaq e qartë.

Qëndrimi ynë në rast se do të ndodhë kështu siç thoni ju, do të jetë i ashpër. Por, politikisht i ashpër dhe ju kushtëzues.

Ok, kriza u zgjidh.

Të shohim nëse Saliu do të hapë kutitë e materialeve zgjedhore dhe pastaj do të themi u zgjidh kriza politike, ndërkohë që kriza e demokracisë, kriza e drejtësisë, kriza e ekonomisë, mbeten kriza për t’u zgjidhur pas largimit të qeverisë.

Kjo është histori tjetër. Këto janë betejat tuaja, nuk janë betejat tona.

Kjo është fatkeqësia, që betejën e demokracisë ju e konsideroni si një betejë tonën, ndërkohë që zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli edhe për një media të pakërcënuar as nga shantazhet mbi pronarët dhe nga goditja e burimeve të të tyre, të financimit të medias sa herë që shfaqet profili kritik i medias së tyre, as nga ryshfeti i pushtetit, që është po kaq kanosës sot saç është dhe kërcitja e dhëmbëve të pushtetit. Në rast se ka ndonjë pikë aty në opinionin e KE-së që refuzon kërkesën e qeverisë shqiptare për statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave është dhe pika për mediat e kërcënuara, dhe për lirinë e kufizuar të tyre në kushtet e një Shqipërie që ka probleme nga të katërt anët.

Zoti Rama, kam dashur t’ju pyes në një lidhje me shprehje që keni thënë për qeverinë, e cila sipas jush, çdo ditë e më tepër po funksion si një grup i strukturuar kriminal me qëllime të caktuara. Unë që kam lexuar shumë literaturë në lidhje me krimin e organizuar, për mua është një gjë shumë e rëndë dhe ndoshta do të doja jo vetëm për vete, por edhe opinionin publik të kuptoja më qartë dhe më mirë se çfarë kuptoni ju me këtë.

Unë kuptoj me këtë atë që ndodh me qeverisjen e vendit, shprehje konkrete të së cilës, në drejtim të kriminalizimit të vendimmarrjes mbi ekonominë dhe të vetë kapjes së shtetit për përfitime miërfilli ekonomike, përmes të cilave sigurohet dhe riciklimi i pushtetit. E kemi dokumentuar dhe do të vazhdojmë të dokumentojmë përmes rastesh flagrante. Nuk e di çfarë duhet më shumë për ta konsideruar si të organizuar në një formë që nuk ka të bëjë me qeverisjen demokratike, por që ngjan shumë me mafiet, një qeveri që në sektorin strategjik të naftës i ka bërë Shqipërisë atë që nuk ia ka bërë as pushtuesi kur ka vënë këmbë në këtë vend dhe ka nxjerr naftë dhe kur shqiptarët nuk ishin qytetarë të Europës që lëviznin lirisht si të tillë, apo që prisnin të integroheshin në BE, por ishin thjesht skllevër në atdheun e tyre. Nuk ndodhur as në pushtimin fashist, jo e jo në pushtin komunist, aspak gjatë gjithë periudhës deri më sot në këtë tranzicion që rëndomë e quajmë demokraci, por në fakt është një demokraci që nuk funksion, ajo që ka ndodhur në sektorin e naftës për shkak të interesave dhe të vendimmarrjes krejt në kundërshtim me interesat kombëtare dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë të kësaj qeverie. Janë të dokumentuara ato që kanë ndodhur dhe janë aty shprehje e gjallë e kësaj që po them. Le të kalojmë tek ajo që ndodh me shëndetësinë. Ne gjatë këtyre ditëve po bëjmë publike dokumente drejtpërdrejt me atë që është një nga elementet më poshtërues për qindra dhe mijëra shqiptarë të cilët nuk janë në gjendje dot të kurohen ashtu siç duhet. Pensionistët në radhë të parë, se nuk paguajnë dot ilaçe. E pra, shtrenjtimi i ilaçeve është i lidhur drejtpërdrejt me këtë mafie në pushtet, ashtu sikundër është e lidhur drejtpërdrejt me këtë mafie në pushtet e gjithë ajo që ndodh në mbledhjen, në shumë pak duar të burimeve ekonomike të vendit në tërësi. Por, edhe ajo që ndodh veçanërisht në sektor. Le të flasim pak për sheshin e ndërtimit, është një term që Sali Berisha dhe e gjithë kompania e tij e përdor rëndom prej vitesh e vitesh për të treguar Tiranën. Po mirë, a mund të flasim për një moment për dallimin e madh midis shesheve të ndërtimit në prona private, të mjera e mijëra pronarëve që në Tiranë apo dhjetëra mijërave pronarëve që në Shqipëri kanë zhvilluar pronën e tyre me një leje ndërtimi, dhe lejen e ndërtimit në pronën tonë të përbashkët, në pronën e këtyre njerëzve këtu dhe të gjithë atyre njerëzve që na ndjekin, të të gjithë shqiptarëve, mbi lumenj, qindra leje të tilla për të ndërtuar hidrocentrale mbi lumenj dhe aspak rastësisht leje të dhëna mesveti. Leje të dhëna mesveti duke kthyer ligje të miratua dhe të shkruara nga kjo qeveri.

Ato janë bërë me studime...

Më lejoni t’ju them që nuk janë bërë me studime, por së shpejti ne do të publikojmë një rast që është akoma më i habitshëm se rastet që kemi publikuar, një rast në të cilin edhe pse agjencia e prokurimeve publike e këtij Këshillit të Ministrave, ka kërkuar anulimin e një procedure, leja i është dhënë një familjari që nuk ka marrë pjesë fare në atë procedurë që është anuluar.

Këto janë abuzime me pushtetin...

Kjo do të thotë, siç provohet në jo pak raste, që edhe kur zyra të shkëputura të vet pushtetit ekzekutiv që veprojnë në mënyrë të caktuar sepse nuk e kanë sinjalin apo presionin për një çështje të caktuar, dalin në konkluzione të caktuara që kundërshtojnë vendimmarrjen pa dashje. Vendimmarrja ndodh dhe asgjë nuk u ndodh atyre që i marrin këto vendime dhe përkundrazi ato pasurohen. Pasurohen në mënyrë marramendëse çdo ditë duke kapur ekonominë e këtij vendi. Këtu unë duhet ta përsëris fort për shqiptarët. Ajo që ne po bëjmë për ato kuti që për shumëkënd janë kthyer në një përsëritje....

E morë vesh.

E pra, edhe ju thoni e morëm vesh, por në fakt kam frikë se nuk e keni marrë vesh që ajo që po bëjmë ne për ato kuti ka të bëjë me çlirimin e ekonomisë. Ekonomia është kapur sepse ky pushtet i dalë nga vota të vjedhura vepron njësoj sikur nuk do të jetë përpara gjykimit të popullit me votë, sepse e kontrollon votën e popullit. Dhe nëse pushteti, qeveria e merr votën edhe kur ti nuk e jep, nuk ka më arsye të konsiderojë se çfarë ti mendon për të, se si ti ndihesh përpara veprimeve të saj, se çfarë do t’i të thuash apo të bësh për largimin e saj se nuk e largon dot më. Nuk ka si ndodh ndryshe që në kushtet kur ne trokasim për të marrë statusin e kandidati, ministrja e Integrimit Europian të Shqipërisë e përfshirë në gjithfarëlloj skandalesh, dhe e vetëkthyer në avokate e familjarëve të vet, të cilët dalin se janë të lidhur me elementë të shquar të mafies, jo vetëm nuk largohet nga qeveria prej kryeministrit. Por, një ditë të bukur ky zotëri del e thotë se sa më shumë e shajnë, aq më shumë mua më duket e denjë për t’u bërë Presidente e Republikës. E thotë, e di pse e thotë? Sepse nuk i druhet votës së popullit ngaqë ka bindjen se mund ta deformojë atë votë dhe mund të rrijë në pushtet...

Jo, nuk është e vështirë. E di pse e thotë Sali Berisha atë? Sepse opozita shqiptare nuk po i thotë me emra dhe mbiemra të gjitha rastet korruptive që po ndodhin dhe kush fshihet prapa tyre. Bëhet një protestë në dukat, bëhet një protestë diku tjetër, jo po protesta, jo po kështu, nuk dilni të thoni të vërtetat.

Më falni, nëse ju e dini të vërtetën në Dukat, që mendoni se ne nuk e themi, kush është e vërteta në Dukat?

E vërteta është ajo që ju nuk e keni thënë.

Kush është ajo që ju e dini që s’e kemi thënë dhe ju nuk e thoni, se kjo është media e lirë në Shqipëri.

Por, media e lirë nuk mund të bëjë dot punën e opozitës kur ky vend nuk ka opozitë.

Unë ju kuptoj shumë mirë pse ju nuk e thoni.

Kur s’e thoni ju, pse ta themi ne. Kjo duhet thënë e para si garanci për qytetarët që ta kuptojnë njëherë. E para, nuk po i thoni me emra dhe mbiemra, dhe e dyta nuk po jepni garanci që të gjitha këto vendime korruptive do të zhbëhen kur të vini në pushtet.

T’i ndajmë këto të dyja. Së pari, ju thoni që opozita nuk po flet me emra. Opozita ka folur vetëm me emra. Konkretisht ka folur për një zonjë të quajtur Albana Vokshi dhe për lidhjet e kësaj zonje të disafishta me Sali Berishën dhe për mënyrën se si përmes këtyre lidhjeve të disafishsta gjenerojnë vendime qeverie të cilat vihen në lëvizje nga interesa reciproke dhe kjo zonjë është deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Opozita ka folur me emër për një ministër që quhet Genc Ruli, për të cilin ka ekspozuar dhe do të ekspozojë dokumente konkrete, të cilat ne i disponojmë dhe mbi të cilat kemi ngritur një proces transparence me një premtim midis njëri-tjetrit që do t’i themi shqiptarëve të vërtetën, nuk do të shpifim dhe nuk do të themi gjysmë të vërteta. Duke e ftuar prokurorinë që ta çoj më tutje atë investigim tonin të bërë mbi një ekspertizë që ne e kemi angazhuar pikërisht sepse duam t’u themi shqiptarëve të vërtetën. Opozita ka folur për ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila është shumë e përzier për shumëçka. Opozita po flet me emër dhe mbiemër për ministrin e Shëndetësisë dhe do të vazhdojë të flasë me emra dhe mbiemra, jo për të hedhur baltë, ky është ndryshimi midis nesh dhe Sali Berishës. Ndërkohë që ne flasim me emër dhe mbiemër, ndërkohë që ne flasim dhe adresojmë çështje, duke treguar publikisht dokumente zyrtare, jo fjalë rrugësh dhe duke qëndruar strikt në tregimin e tyre, përmes një ekspozimi të një vije logjike. Sali Berisha ka angazhuar makinën e baltës duke mbiprodhuar shpifje ndaj nesh. Meqë ju thatë se keni lexuar për mafien dhe për mënyrën se si funksion struktura kriminale, unë po ashtu kam lexuar dhe sëfundmi...

Mos më thuaj Savianon...

Po patjetër dhe e citoj Savianon sepse pikërisht Saviano zbërthen shumë bukur se çfarë është makina e baltës dhe si makina e baltës vihet në lëvizje duke marrë dobësitë e tua njerëzore, duke marrë çështje të tjetrës private për të delegjitimuar deri pas vdekjes, thotë Saviano, figurën tënde në sytë e njerëzve me një qëllim të vetëm, që t’u thotë të gjithëve, nëse sheh, uli sytë, se po fole, balta të pret. E pra, ky është Sali Berisha dhe kjo është makina e baltës. Një demokraci në rrezik, një demokraci e marrë peng, një demokraci që nuk është thjesht dhe vetëm në diktatura, ku të vrasin apo të burgosin, por është edhe në këto gjoja demokracitë, apo edhe në demokraci më të zhvilluara, kur një qeveri reagon jo me zërin e arsyes, por me arsyen e forcës të shprehur përmes makinës së baltës, duke u munduar të fusë dyshimin rreth e rrotull teje, duke u munduar të të dekurajojë dhe të të thotë që lërë këtë punë, mos fol, mos ngrij krye, mos e bëj këtë sepse të pret makina e baltës. Unë e njoh mirë se çfarë është makina e baltës. E kam provuar baltën prej dhjetë vitesh në kurriz dhe në gjuhë në shijen e hidhur që ajo ka. Por, nuk do të ndalem sot më shumë se dje, sepse nëse dje kur bëra zgjedhjen time të lirë dhe isha një njeri i lirë, ose doja të isha i lirë, sot jam kryetari i Partisë Socialiste. Kam nderin dhe detyrimin e madh që ta udhëheq PS-në pa u ndalur dhe pa u zmbrapsur asnjë fije pavarësisht baltës që është hedhur dhe do të hidhet mbi mua pa kursim. Ju folët për pronat e Dukatit dhe çështja e pronave, veçanërisht në të gjithë vijën bregdetare, është sot më e molepsur se çfarë ishte për shkak se kurdoherë që Sali Berisha e ka ngritur dorën atje në qeveri apo atje në KKRRTRSH-së për një plan të madh zhvillimi ka pasur në një konflikt të madh prone sepse ato ngritje duarsh që në fakt janë plane shkatërrimi për përfitime shumë të shpejta të asaj që është e ardhmja jonë e përbashkët, kanë të bëjnë drejtpërdrejt me interesat e këtij oborri në pushtet.

Ne do të ndryshojmë rrënjësisht modelin e qeverisjes dhe jua thashë edhe më përpara. Është kjo që po vazhdoj t’ju them, e gjithë kjo përgjigje lidhet me pyetjen tuaj, do të vendosim në themel të qeverisjes të drejtën.

Nëse nuk i jepni fund padrejtësive sipas jush të deritanishme...

Ekaktësisht duke i dhënë fund padrejtësive, këtë po ju them. Ekaktësisht duke i luftuar padrejtësitë dhe mbi të gjitha duke mos prodhuar padrejtësi ne si qeveri sepse problemi i drejtësisë nuk është një problem që fillon dhe mbaron me organet e drejtësisë. Nuk mund të ketë drejtësi një vend nëse ky vend nuk qeveriset duke pasur të drejtën si pikë referimi. Nuk është prokuroria dhe gjykata që mund ta japin drejtësinë dhe ta bëjnë një vend të drejtë nëse qeveria është e padrejtë, nëse qeverisja është gjithë kohës e padrejtë dhe nëse padrejtësia nuk është një shqetësim për qeverinë, por është mënyra se si operon qeveria. E pra, këtë do të ndryshojmë ne dhe kur vijmë konkretisht tek të gjithë këto vendime të mbrapshta që janë marrë, sigurisht që këto vendime të mbrapshta kanë një bazë kontraktuale të cilën ne do ta godasim kudo ku të mundemi. Por, ama kudo ku nuk mundemi për shkak të kësaj baze kontraktuale të zhbëjmë, do të kërkojmë që ky popull të marrë atë që i takon nga të gjitha këto koncesione dhe këto akte të zhveshjes, të rrjepjes, të grabitjes së këtij populli për të pasuruar një grusht njerëzish në mënyrë marramendëse. Pra, të gjitha këto përfitime dhe të gjitha këto dalje nga binaret e arsyes dhe të drejtësisë së qeverisjes, ne do t’i trajtojmë në mënyrën e duhur duke përdorur mekanizma fiskal që bota i njeh shumë mirë. Thënë kjo, do të doja të shtoja se është shumë më e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë, na duhet një qeveri që qeveris në mënyrë të drejtë. Këtë mund ta vendosë vetëm një popull që ka mundësi të zgjedhë në mënyrë të drejtë.

Përveç këtyre dy elementëve që folëm. Keni paralajmëruar me kohë mbajtjen e një serie protestash nga ana e opozitës, deri tani nuk ka pasur një kalendar, keni pritur diçka apo kalendari është gati?

Kalendari është çështje e brendshme organizative e jona, protestat janë në rrugën e zhvillimit të tyre.

Ka një datë për fillimin e protestave?

Po çfarë rëndësie ka kjo. Në ditët në vijim ne do të fillojmë protestat si pjesë e pandalshme e rrugës sonë për largimin e qeverisë.

Brenda nëntorit apo në fillim të dhjetorit?

Në ditët në vijim.

Keni premtuar që në shtator paralajmëruat protesta, ka ndonjë gjë që nuk shkon?

Nuk ka asgjë që nuk shkon. Ne kemi ecur në dy binarë, në binarin e reagimit popullor dhe në binarin e përpjekjeve për të zgjidhur krizën. Ndërkohë kemi qenë në një mëndje që përpara dy vendime të mëdha dhe të rëndësishme për Shqipërinë, që fatkeqësisht nuk rezultuan të dyja pozitive, liberalizimi i vizave dhe statusi i kandidatit, të mos zhvillojmë protesta.

Vetëm me axhendën e integrimit e keni lidhur dhe me asgjë tjetër....

E thjeshtë.

Ka një hamendësim se mund të lidhet edhe me ofertën e re që ju keni bërë për zgjidhjen e krizës dhe nëse zgjidhet kriza mund edhe të ndryshojë axhenda apo s’ka asgjë të vërtetë?

Nuk ka asnjë lidhje sepse përveç të tjerash protestat tona janë edhe mundësia për të thënë me një të përbashkët, jo vetëm tonin, që kemi mundësi të flasim çdo ditë, por edhe të gjithë popullit opozitar atë që ne sot besojmë se Shqipëria ka nevojë për një rrugë të re, ka nevojë për një model të ri, ka nevojë për një shpresë të re dhe se është e pamundur të vazhdohet me një Shqipëri të marrë peng në demokracinë e saj, në drejtësinë e saj, në ekonominë e saj. Është e pamundur të vazhdohet në një Shqipëri ku taksat rëndojnë mbi njerëz të zakonshëm. Folëm për mësuesit, mjekët, nëpunësit, për të gjithë ata që janë rrogëtarë të këtij shteti dhe që sot paguajnë më shumë taksa se sa pesë vjet më parë. Por, është akoma më e rëndë gjendja, veçanërisht e biznesmenëve të vegjël, të cilët sot paguajnë kush 2 e kush 3-fishin e pesë viteve më parë. Erdhi në pushtet me premtimin se do t’i përgjysmojë taksat. Bëri përgjysmimin vetëm në vitin e parë dhe pastaj futi tatimin mbi fitimin dhe tani TVSH-në dhe tani po i ul dhe po fut në sistemin e TVSH-së edhe ata që janë me 20 milionë lekë të vjetra xhiro në vit, duke bërë që praktikisht sot ata të jenë të mbitaksuar, duke bërë që të detyrohen të rrisin çmimet, duke bërë që të shkurtojnë vendet e punës dhe jo të hapin më shumë vende pune, dhe duke bërë që ne sot të jetojmë në një Shqipëri ku, shikoje më vëmendje, të gjitha ata që nuk janë të lidhur me botën e interesave të oborrit të pushtetit, të gjithë ata që nuk janë përfituesit e mëdhenj të kësaj politike shumë të vjetër të uljes së taksave për ata që fitojnë më shumë, sot janë të mbitaksuar. Kur është fjala për ata që realisht hyjnë në grupin e tyre që quhen biznesmenë të mëdhenj por nuk hyjnë në oborrin e pushtetit, nuk i paguajnë buxhetit të shtetit nëpërmjet taksës që e kanë më të ulët se sa ata që fitojnë më pak, por rripen në mënyrë kriminale nga xhandarët e financave me gjoba arbitrare vetëm për të mbushur arkën e një shteti që sot realisht ka marrë fund.

Në prag është fushata elektorale për zgjedhjet e 8 majit 2011. Do të kandidoni për një mandat të katërt në krye të Bashkisë së Tiranës?

Është shumë herët për të folur për këtë, por është e sigurt se ne do të eksplorojmë çdo kandidaturë potenciale edhe për Bashkinë e Tiranës.

Ju e përjashtoni mundësinë që të jeni kandidat?

Nuk e përjashtoj, por as nuk e quaj një fakt të mirëqenë qysh sot.

Mos më thoni që do të mblidhni strukturat dhe do të merrni mendimin e tyre njëherë. Sepse ky është një akt, meqenëse keni 3 mandate dhe jeni kryetar partie, ju keni aq të drejtë sa ju vetë ta vendosni këtë gjë...

Unë besoj se kam kaq të drejtë që të them atë që mendoj dhe jo atë që ju doni të dëgjoni.

Keni përmendur një shqetësim në lidhje me listat e zgjedhësve para disa ditës në lidhje me disa elementë të tjerë që lidhen me infrastrukturën elektorale. Në thelb, kush është shqetësimi juaj dhe a ka gjëra konkrete në këtë shqetësim?

I kemi bërë prezente OSBE-së, i kemi bërë prezent përfaqësuesve të Bashkimit Europian që financojnë një projekt për gjendjen civile dhe regjistrin elektronik të shtetasve që monitorohet nga OSBE-ja, shqetësimin tonë për mungesën e transparencës së këtij projekti dhe në listat paraprake që kemi filluar të marrim me vonesë dhe jo në të gjithë vendin, kemi identifikuar probleme të rënda të cilat do t’i bëjmë publike në ditët në vijim.

Meqë ju përmendët Bashkinë dhe modelin tuaj të qeverisës, duke qenë se ju u morët një pjesë të këtij emisioni me atë që ju konsideruat si modelin e keqqeverisjes nga mazhoranca. Ka pasur kritika në adresë tuaj të cilat ju jeni munduar t’i sqaroni edhe gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së PS-së në lidhje me zotin Dritan Avllaj, ose siç njihet Tan Lepri. Çfarë ju lidh ju me të?

Kjo është një çështje që ka të bëjë me atë që fola më parë, me mbiprodhimin e makinës së baltës në kushtet kur ne kemi ekspozuar fakte dhe jo llafe, prova, jo shpifje, për keqqeverisjen për shkak të korrupsionit dhe interesave tërësisht korruptiv të oborrit të pushtetit. Faktikisht, siç e kam shpjeguar publikisht dhe po jua rithem edhe juve. Unë kam plot miq e të njohur dhe nuk është hera e parë që një njeri i njohur i imi kthehet në personazh të makinës së baltës, keni dëgjuar të tjerë emra në të shkuarën dhe do të dëgjoni me siguri të tjerë në të ardhmen, sepse kështu punon makina e baltës. Por, përtej asaj që ka të bëjë me personin në fjalë është i rëndësishëm fakti për të shpjeguar...

Është miku juaj?

Është i njohuri im. Siç kam plot të njohur të tjerë dhe dua ta theksoj shumë qartë që miqësitë e mia me njerëzit e njohur më të afërt apo më të largët në një punë që më bën që të njoh shumë njerëz, kurrë nuk kanë qenë një arsye që unë të ngre një urë midis vetes dhe territorit të paligjshmërisë, për shkak të miqësive, asnjëherë.

Njohja juaj është për shkak se jeni kryetar Bashkie dhe ai është ndërtues në Tiranë?

Ai nuk është ndërtues në Tiranë dhe njohja ime nuk ka asnjë arsye që të lidhet me gjithçka thuhet. Është një njohje normale si me plot njerëz të tjerë.

Ndërtues është se ka pallate përballë Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, e dinë të gjithë...

Jo po thoni ai është ndërtues, unë po ju them që ai nuk është ndërtues, kjo pak rëndësi. Ajo që ka rëndësi është fakti se unë njoh, kam të afërt, kam të afërt në miqësi njerëz që janë ndërtues në Tiranë, por kjo nuk do të thotë asgjë sepse janë të vërtetat e thjeshta të Bashkisë së Tiranës dhe të këtij qyteti që e provojnë që kjo nuk do të thotë asgjë. Përkundrazi. Unë dëshiroj sot t’ju them pak të vërteta lidhur me këtë legjendë urbane të lejeve ndërtimit, lidhur edhe me rastin konkret, sigurisht edhe me 20% nëse ju dëshironi. Unë dua t’ju them pak të vërteta që vlejnë për të dhënë një ide të qartë se çfarë ka ndodhur në këto 10 vjet, madje në 9, sepse në vitin e fundit nuk kemi dhënë absolutisht asnjë leje sepse KRT është bllokuar për faj të Sali Berishës. Të gjithë duhet të dinë që lejet i jep KRT, i cili historikisht është kontrolluar nga qeveritë e mëparshme dhe nga qeveria e Sali Berishës deri në vitin 2007 me një shumicë absolute që diktonte çdo vendimmarrje, pavarësisht se si kryetar i Bashkisë së Tiranës unë jam i detyruar të firmos çdo vendim që merr KRT, ku për dy vjet kam refuzuar të marr pjesë dhe të votoj, për shkak se kam parë një forum të kthyer në një hapësirë barbare dhe më pas ka një ribalincim, por përsëri kontrollohet. Pra, mund të bllokohet siç është bllokuar nga Sali Berisha. Dua t’ju them shumë pak gjëra. Gjatë 10 viteve në Tiranë janë dhënë 926 leje ndërtimi, pra mesatarisht 93 objekte në vit. Por, ajo që është gjëja më e rëndësishme është se i gjithë aktiviteti ndërtimor i Tiranës në këto 10 vjet është zhvilluar vetëm në 2.4 për qind të qytetit. Kjo 2.4 për qind e të gjithë sipërfaqes së qytetit është shfrytëzuar vetëm në 46% të saj për të ndërtuar. Pra, sipërfaqja e ndërtuar në Tiranë me leje të Bashkisë së Tiranës është vetëm 1% e territorit e Tiranës është ndërtuar në këto 10 vjet ku qenka betonizuar Tirana, 1.1%. Ndërkohë që pjesa tjetër e këtij 2.4% është kthyer në territor i lirë, pasi në një pronë shfrytëzohet një pjesë dhe pjesa tjetër kthehet në territor të lirë. Në këtë territor të lirë ne kemi zgjeruar rrugët, ne kemi krijuar hapësira publike dhe kështu me radhë. Për më tepër pastaj, është shumë e rëndësishme të theksohet se nga ky aktivitet me lejet e ndërtimit, shteti, qeveria, buxheti i shtetit, ka përfituar në këto vite 175 milionë euro nga tatimfitimi dhe tatimi mbi shitjen i ndërtuesve. Ndërkohë që Bashkia vet ka përfituar rreth 75 milionë euro në rast se nuk gabohem. Ndërkohë që në këto vite, vetëm nga ky aktivitet janë paguar 12 mijë rroga mesatare çdo muaj për familjet e kryeqytetit ose 410 milionë euro, dhe janë hapur 317 mijë vende pune në të gjithë këto vite, mesatarisht 32 mijë vende pune në vit.

Shifrat e industrisë së ndërtimit në Tiranë...

Ekzakt. Që do të thotë se gjithë kjo legjendë e ngritur mbi Tiranën e betonizuar, mbi korrupsionin e madh që po gllabëron energjitë e kryeqytetit dhe të ekonomisë është një maskaradë e një makine balte, e cila ka arritur të cënojë mbase imazhin tonë. Por, e cila nuk errëson dot faktet konkrete, përtej faktit që të gjithë ato që jetojnë në Tiranë sot, jetojnë në një kryeqytet Europian, një kryeqytet që ka akoma nevojë të zhvillohet, që ka akoma probleme për të zgjidhur, por që është një kryeqytet Europian. Është vendi ku çdo shqiptar ka të dëshirë të vijë, nuk është më kandahari nga ku çdokush do të donte të ikte 10 vjet më parë. E përsëris, vetëm 1% e sipërfaqes është ndërtuar, ndërkohë që pjesa tjetër është liruar. Ndërkohë, janë mbi 10 mijë pronarë që kanë përfituar nga ky zhvillim, nga këto leje ndërtimi që nuk janë mëkate, por që janë leje zhvillimi, që janë një motor i një ekonomike të këtij qyteti, që nga njëra anë vërtet u ka dhgënë mundësi njerëzve të ndërtojnë, por nga ana tjetër me të ardhurat nga kjo veprimtari ka mbajtur mijëra e mijëra familje, dhe ndërkohë ka ndërtuar rrugë, parqe e kështu me radhë, si rezultat i taksave që ka mbledhur.

Meqë përmendët Kandaharin, kur do të përfundojë ndërtimi i rikonstruksionit të sheshit Skënderbek?

Është një projekt shumë ambicioz që zhvillohet në kushte shumë të vështira për shkak të mungesës së bashkëpunimit të qeverisë dhe për shkak të specifikës shumë të veçantë që ka ajo hapësirë, ku nga njëra anë na duhet të operojmë realisht me hapa shumë të matur dhe të xhonglojmë në të gjithë hapësirën, për të plotësuar të gjithë punimet nëntokësore pa e penguar në mënyrë dramatike trafikun. Për shkak se nëse Sali Berisha dhe këtu kemi një tjetër bllokim të Sali Berishës, do të kishte shpronësuar, siç i takon me detyrim ligjor, segmentin prapa Pallatit të Kulturës për të hapur unazën e vogël, sot ne do të punonim rehat në shesh, pasi trafiku do të ishte i gjithi në unazën e vogël të Tiranës. Ne sot nuk e bëjmë dot një gjë të tillë dhe megjithatë shkojmë përpara. Ndërkohë, përtej kësaj ka një infrastrukturë nëntokësore shumë të vështirë për shkak të shumë lidhjeve, kavove, strukturave që duhet të marrin pjesë dhe që përgjithësisht e bëjnë të tyren, por e bëjnë zakonisht me shumë vonesë. Megjithatë ky është një projekt që shkon përpara, nuk është një projekt elektoral, është një projekt i qytetit dhe Tirana do të ketë një qendër, e cila pa as më të voglin dyshim do të jetë një nga qendrat më të bukura në pikëpamje të hapësirës publike të rajonit tonë, pa dyshim. Por, do të jetë një hapësirë publike shumë e spikatur edhe në rang të hartës europiane.

Ka një kohë të përafërt se kur mund të jetë?

Kjo është një punë që vazhdon çdo ditë dhe që sigurisht ka rrugës plot të papritura, për shkak të asaj që ka në nëntokën e qendrës.

Pavarësisht nëse kandidoni apo jo për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si e konsideroni një kandidaturë të mundshme të Lulzim Bashës nga PD për kreun e Bashkisë së Tiranës?

Saliu i krehur edhe sigurisht më i ri.

Kjo s’është përgjigje...

Më shumë nuk dua të them sepse s’kam më shumë për të thënë. Një kopje si ato kukullat ruse që hap të madhen dhe del e vogla. Saliu i krehur i ri dhe me një buzëqeshje me të shtrirë nga jugu në veri.

Pak ditë më parë zoti Nano ka shprehur ambicien për të qenë President i Republikës. Kryeministri Berisha deklaroi se nuk do ta mbështeste këtë kandidaturë dhe të vetmit që mund ta mbështesnit, ishit ju, pra PS. A do të votojë PS për Fatos Nanon President?

Në fakt, Saliu thjesht tregoi se çfarë detyre ka Fatosi në këtë konfiguracion, që të bëjë ç’të mundet për të krijuar sa më shumë probleme në kampin e opozitës. Por, përtej detyrës që Saliu i ka lënë ose mendon se i ka lënë dhe përtej gjithçkaje tjetër që e bën këtë treshe, këtë monument, të politikës së vjetër që të jetë i ndarë në tre zona të ndryshme, por që në fakt konvergojnë me njëra-tjetrën përmes këtyre tre figurave, Saliu, Fatosi dhe Iliri. Të mos harrojmë Ilirin edhe pse tani nuk ka më pikë dyshimi është thjesht dhe vetëm paterica e Saliut dhe asgjë më shumë se kaq. Unë dua të them këtu me shumë sinqeritet atë që realisht ndjej, përtej të gjithë këtyre dhe përtej politikës së ditës, kur e shoh Fatosin të katandisur në atë gjendje, kur e shoh Fatosin që thotë nuk e votova PS-në, nuk e do e votoj PS-në, kur e shoh të miklojë me të gjitha mënyrat Saliun dhe Ilirin bashkë, kur e shoh të thotë se tashmë është shoferi i Ilirit, ndjej keqardhje. Ndjej keqardhje dhe sinqerisht ndjej keqardhje për katandinë e tij dhe për faktin që nuk e ndihmoj dot dhe nuk di si ta ndihmoj dot.

Ju do të votoni një kandidaturë tjetër apo do të mbështesni Bamir Topin për një mandat të dytë?

Kjo është një çështje e vitit 2012. Ne sot jemi në fund të vitit 2010. Midis të sotmes dhe asaj dite ne do të kemi zgjedhje të parakohshme.

Keni që në 29 qershor vjet që e thoni këtë gjë. Është detyra e çdo opozite...

Jo, është një realitet që unë besoj po shkon duke u bërë i pashmangshëm.

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS-së u krijuan disa grupe të reja pune, një prej të cilave është për administrimin zgjedhor, një për menaxhimin e burimeve njerëzore, një për pushtetin vendor, një për analizën politike dhe një për marrëdhëniet me grupet e interesit. A ishte ky dublim i detyrave të sekretariatit?

Mendimi ndryshe nuk dublohet, na dublon. Por, përtej kësaj shakaje, unë do dëshiroja t’i rrija parimit tim që për çështje të organizimit të PS-së unë nuk bëj diskutime në publikun e gjerë, se besoj që këto nuk i interesojnë publikut të gjerë, nuk i duhet asnjërit prej zonjave dhe zotërive që janë këtu se çfarë komisionesh ka ngritur PS-ja dhe cilat janë çështjet e brendshme organizative të PS-së. Ndërkohë që dua të nënvizoj faktin se ju pyesni për grupe pune në PS, ndërkohë që akoma PD nuk ka hapur kutitë e votimit të Kongresit që ka bërë përpara zgjedhjeve të shkuara.

Kur të vijë Saliu këtu do t’ia bëj këtë pyetje...

Ju bëjani, por nuk do t’ju thotë asgjë për këtë sepse nuk ka çfarë të thotë, akoma nuk ka hapur kutitë e votimit të Kongresit para zgjedhjeve të shkuara, një parti që nuk ka as Këshill Kombëtar, as Kryesi dhe as sekretar dhe që nuk përbën lajm për këtë. Ndërkohë që, nga ana tjetër, meqë ju më pyetët, jo për arsye të aspekteve organizative, por për një arsye që besoj se i intereson publikut dhe që ka lidhje edhe me një pyetje që ju ma bëtë disa më parë. Unë do ta komentoja komisionin e marrëdhënieve me grupet e interesit me dy fjalë. Ne e kemi ngritur këtë komision, i cili ka detyrën... Nuk ka asnjë rëndësi se nga kush udhëhiqet, por se çfarë do të bëjë. Dhe do ta bëjë besoj unë mirë duke kontaktuar të gjithë sipërmarrjen, duke mbajtur shënim të gjitha problemet që u janë krijuar sipërmarrjes në shkelje të ligjit nga qeveria, duke mbajtur shënim të gjithë emrat e të gjithë atyre taksidarëve, të cilët më zi se xhandarët e pjesëve teatrale të Enver Hoxhës për kohën e Zogut, jo sa realet, u turren nëpër dyer, u vendosin gjoba dhe ryshfete të patolerueshme, do të ndërtojë një database shumë të detajuar për të gjitha padrejtësitë lidhur me sipërmarrjen e madhe dhe të vogël, dhe me grupet e tjera të interesit, dhe këto do të përbëjnë një pjesë të rëndësishme të angazhimeve dhe të punës sonë në qeveri. Asnjë nëpunës i shtetit të shqiptarëve, i shtetit që paguajnë shqiptarët dhe mbajnë në këmbë shqiptarët me mbitaksat e Sali Berishës dhe që me uniformën e shtetit, me rrogën e shtetit, e kalon ditën e punës duke kërcënuar dhe duke shantazhuar e gjobitur në mënyrë të paligjshme sipërmarrjen apo duke larguar nga puna padrejtësisht njerëz të cilët largohen vetëm sepse nuk janë militantë të partisë, nuk do të kalojë pa dhënë përgjigje ligjore për këtë shkelje të ligjit.

Po në këtë mbledhje zoti Rama, ju ftuat disa të larguar për t’u kooptuar në forumin drejtues të PS-së që është Asambleja Kombëtare. Në fakt është një shenjë e mirë, gjithmonë opozitat duhet të hapen, duhet të ftojnë sa më shumë njerëz. Por, ju keni ofruar disa që i keni larguar vetë, Petro Koçin, Stefan Çipën, Musa Ulqinin. Si ta marrim këtë?

Së pari, njëherë. Petro Koçin e kam ftuar si kryetar i PSV ’91 që të vijë në tryezën e Opozitës së Bashkuar ku nuk ka më arsye të mungojë. Ndërkohë që Musain, Stefanin dhe të tjerë i kam ftuar të jenë pjesë e Asamblesë Kombëtare si deputetë që për vite me radhë kontribuuan në PS dhe që pavarësisht se çfarë mendonin për mua apo për rrugën e zgjedhur nga unë dhe nga PS pas zgjedhjeve. Gjatë zgjedhjeve bënë gjithçka mundën, paçkas se nuk ishin në listën e deputetëve për PS-në. Kështu që, nuk ka rëndësi fare dallimet në opinione, ka rëndësi që këta njerëz janë njerëz që kanë kontribuar për PS-në dhe kanë akoma shumë për t’i dhënë PS-së. Për më tepër, në Asamblenë Kombëtare vendi i tyre është absolutisht i legjitimuar jo nga ftesa ime, por nga kontributi i tyre.

Pëllumb Xhufi deklaroi se nuk pranonte. A jeni konsultuar?

Nuk ka problem, ftesa është bërë e hapur, publike dhe gjithsecili ka lirinë dhe të drejtën që t’i përgjigjet ose jo.

Doja të bëja një pyetje për shit-blerjen e deputetëve, a ka përfunduar merkato, ka më lëvizje?

Lëvizja e deputetëve nga radhët e shumicës në opozitë nuk është asgjë tjetër veçse një vendimmarrje e tyre e lirë në kushtet kur për arsye të tyre refuzojnë të rreshtohen me pushtetin. Nuk ka opozitë, aq më pak kjo opozitë, që të mund të hyj në një garë blerjesh dhe s’ka arsye që ta bëjë një gjë të tillë. Ndërkohë që, po. Pushteti blen. Mandati i të vetmes shpresë që është Partia Socialiste kushton, sigurisht kushton.

Sa ka kushtuar mandati i Vangjel Tavos?

Për fat të mirë dhe për nderin dhe dinjitetin e atyre qindra-mijëra votuesve dhe atyre milionave shqiptarëve që duan një Shqipëri tjetër, një shumicë dërrmuese absolute që nuk e shet këtë mandat pavarësisht se sa mund të jetë çmimi që ofrohet.

Tavo e shiti mandatin?

Unë kam neveri për aktin e Vangjel Tavos dhe nuk shoh asnjë arsye për të thënë më shumë se sa fjalën neveri.

Zoti Bashkim Fino në këtë studio ka thënë që ai e shndërroi mandatin e tij në një tender. Përflitet se i ka kërkuar Partisë Socialiste për të mos u larguar, 2 milionë ose 3 milionë euro që të mos largohet...

Bashkim Fino ka të drejtë për këtë dhe shumë gjëra të tjera.

Si do ta rrëzoni qeverinë dhe si do ta shkarkoni Jozefina Topallin? Keni deklaruar se keni marrë një nismë për këtë gjë.

Qeveria në një demokraci sado e cungët të jetë kjo demokraci, sado jofunksionale të jetë kjo demokraci, nuk rrëzohet, por largohet. Që do të thotë, se është vota ajo që e largon qeverinë.

Përmes votës në parlament?

Është vota ajo që e largon qeverinë dhe kudo ku ka votë për qeverinë ka një mundësi për të larguar qeverinë.

Një kuriozitet krejt njerëzor. Pse e keni ndryshuar mënyrën se si e hidhni firmën?

Ajo është një firmë e kohëve të vjetra, e cila për fat të keq u gjet në disa raste e falsifikuar dhe atëherë unë e ndryshova firmën.

Si po shkon projekti juaj me zonjën Linda për të marrë me kredi një shtëpi të re?

Unë nuk flas për çështjet private dhe nuk dëshiroj që çështjet e familjes sime t’i bëj çështje të debatit publik. Ndërkohë që pa dyshim, si çdo familje tjetër, ku njëri prej anëtarëve kryen një funksion publik, familja ime do të jetë transparente me institucionet dhe konform ligjit në çdo rast dhe kurdoherë që do të jetë radha për ta bërë këtë gjë.

Faleminderit...

Meraku im ishte që të sillja këtu një shembull, e ndoshta është një mbyllje e mirë për këtë bisedë, është një shembull nga jeta reale sepse pata një debat me shitësin e një ushqimoreje lidhur me taksat. Ndërkohë që i shpjegoja se Bashkia nuk ka rritur taksat por ka rritur tarifat e shërbimeve të pastrimit dhe të gjelbërimit, dhe rezultati është kjo Tiranë që sot është qyteti më i pastër i Shqipërisë dhe që pastrohet rregullisht dhe ku mbeturinat trajtohen si askund tjetër.

Digjen...

Jeni shumë i vonuar megjithëse ngaqë jeni shumë i zënë nuk shihni as televizionin tuaj që ka treguar se mbeturinat nuk digjen, nuk flas për djegie kazanesh nga njerëz të papërgjegjshëm ose të dehur natën. Flas për trajtimin e mbeturinave në tërësi. Pra, kemi sot një qytet që është qyteti më i pastër i Shqipërisë, që është një qytet që pastrohet dhe që unë kam kënaqësinë e jashtëzakonshme që shumë vizitorë të huaj apo shqiptarë që vijnë pas vitesh në Tiranë t’i dëgjoj të më thonë sa e pastër është Tirana dhe kjo falë kontributit të qytetarëve përmes tarifës së pastrimit. Ashtu sikundër të gjithë e shohin se çfarë po ndodh me gjelbërimin në Tiranë dhe se si numri jashtëzakonisht i madh për vitet e shkurtra të kësaj nisme i pemëve po transformohet në një përmasë të gjelbër që shoqëron rrugët kryesore dhe po hyn në hapësirat e tjera, shitësi insistonte që nuk është kështu se unë paguaj shumë më tepër. Unë i bëra një shpjegim shumë të thjesht të cilën ai më kërkoi që ta bëja edhe në këtë emision se u bind vetë. Ky shpjegim shumë i thjeshtë është si vijon. Në vitin 2005 ky shitës i paguante Bashkisë së Tiranës 3 milionë lekë të vjetra për xhiron e tij vjetore. Sali Berisha erdhi me premtimin që do të përgjysmojë taksat. I përgjysmoi taksën biznesit të vogël në fundvitin 2005 duke bërë një gjë jashtëzakonisht të rëndë për punët publike të qyteteve tona që mbeten të pafinancuara në bazë të planit të bërë. Më pastaj, menjëherë vuri tatimfitimin 10%. Kështu që, nga një përgjysmim në 1.5 milionë, menjëherë shitësi filloi të paguante 2.3% dhe me TVSH-në e cila iu vu më pas, paguan 4.3 milionë sot. Pra, në rast se në 2005 paguante 3 milionë, sot paguan 4.3 milionë. E dini kush është ndryshimi përveç rritjes së taksës së tij? Ndryshimi është që 1.5 milionë mbeten ato që i paguan Bashkisë dhe jo Bashkisë së Tiranës, godinës ku punoj unë, por qytetit të Tiranës, për rrugë, për parqe, për ndriçim publik, për kopshte, shkolla dhe çerdhe, dhe 2.8 milionë të tjera ia paguan qeverisë së Sali Berishës, e pandodhur kjo në asnjë vend demokratik, i merr qeveria. Ndërkohë Sali Berisha i mbyt përditë me propagandën Bashkia, Bashkia, Bashkia. Ua ka rritur taksën, ua merr qytetarëve të Tiranës, të cilët në fund të fundit atë taksë e paguajnë për qytetin e Tiranës, e lë Bashkinë.

E bën vetëm për qytetin e Tiranës këtë gjë?

Jo, jo, për të gjithë qytetet. Ndërkohë pasi bëmë të gjithë këtë debat dhe pasi unë ia sqarova të gjithë ecurinë e gjërave, shitësi i ushqimores thirri një furrtar që ishte pranë, i cili e kishte pësuar edhe më keq, i cili në vitin 2005 paguante 2.75 milionë, me përgjysmimin i shkoi 1.3 milionë. Por çfarë i ndodhi, me tatimfitimin 10%, atë taksën e famshme të sheshtë, i vajti 2 milionë dhe pastaj 4.5 milionë me TVSH-në. Kështu që, në rast se paguante 2.75 milionë 5 vjet më parë, sot paguan 4.5 milionë ai furrtari. Kështu duke ju falënderuar juve që më dhatë mundësinë që të sjell këtu shembullin e tyre, që është shembulli i të gjithë sipërmarrësve të vegjël të këtij qyteti dhe të gjithë qyteteve të Shqipërisë që sot janë të mbitaksuar në raport me ato biznesmenët e mëdhenj dhe me kompanitë e mëdha që paguajnë vetëm 10%,. Por, që kush nuk është në oborrin e pushtetit pastaj rripet prapa me miliarda. Të them vetëm që ka ardhur koha që ne t’i japim Shqipërisë një qeverisje të drejtë, një qeveri që të prihet nga e drejta. Qeveria mund të bëjë plot gabime. Edhe unë kam bërë gabime në Bashkinë e Tiranës. Nuk ka dyshim. Në rast se do ta rifilloja nga e para, me siguri do të kishte jo pak gjëra që do ta bëja më mirë.

Për shembull?

Nuk ka rëndësi. Këtu bëhet fjalë për gabime që çdo njeri që punon bën dhe në çdo proces pune, aq më tepër në një proces qeverisës, që është një proces aspiratash dhe përpjekjesh për të realizuar një program që ka plot të panjohura, gabime mund të bëhen. Janë tjetër gjë krejt gabimet që bëhen nga pasioni dhe në përpjekjen për të bërë një gjë të drejtë nga ato që ndodhin në procesin e vënies jetë të një padrejtësie. Kjo që e bën sot Shqipërinë të vuaj përditë e më shumë është një proces qeverisës i orientuar nga padrejtësia me një qëllim shumë të qartë, shumë të thjeshtë, shumë konkret, të përfitojmë sa të mundemi dhe me përfitimet t’i sundojmë këta njerëz duke u mohuar të drejtën që të na zgjedhin duke zgjedhur mes nesh dhe kujtdo tjetër. Ky proces duhet të marrë fund dhe për t’i dhënë Shqipërisë një qeverisje të drejtë nuk mjaftojnë vetëm aktet ndaj asaj që ju thatë më përpara, shembujve të sotëm të padrejtësisë, por duhet një ndarje e drejtë e roleve dhe detyrime, jo kush merr më pak të paguaj më shumë dhe kush merr më shumë të paguaj më pak. Në rast se 10 lekë në 100 lekë për një të pasur s’janë asgjë, 10 lekë në 100 lekë për një të varfër janë gjithçka.

Kjo tregon përkundër asaj që thatë se keni filluar të merreni me garën për mandatin e katërt...

Kjo nuk është një garë për mandatin e katërt, kjo është rruga e përpjekjes për të ndryshuar Shqipërinë. Shqipëria nuk ndryshon nga mandati i katërt i socialistëve në Bashkinë e Tiranës dhe në bashkitë e qyteteve të mëdha, apo të tjera qyteteve që do të qeverisen nga socialistët pas zgjedhjeve vendore, por ndryshon me zgjedhjet e parakohshme dhe me largimin e kësaj qeverie, e cila fatkeqësisht është e rëndë, por është e vërtetë, mbart mbi supe mëkate që ky popull nuk mund t’i paguaj më.

KOMENTE