English

Haxhinasto: Samiti i Lisbonës, mjaft i rëndësishëm

Tiranë, 20 nëntor, NOA – “Ky Samit do të mbetet historik për dy arsye kryesore; Së pari për adoptimin e Konceptit të ri Strategjik të NATO-s, i cili parashikon dhe koncepton të gjitha ato fusha dhe mënyra me të cilat NATO do të bashkëpunojë dhe do të ecë në të ardhmen me qëllim që të jetë një konstitutor i jashtëzakonshëm për paqen dhe stabilitetin në botë. Së dyti, ky Samit është historik sepse në të u vendos një partneritet i ri midis NATO dhe Rusisë, duke vendosur kështu një zhvillim cilësisht të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare sidomos në fushën e sigurisë”.

Kështu u shpreh gjatë një interviste, ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto pas Samitit historik të NATO-s në Lisbonë.

“Sot e tutje NATO dhe Rusi-ja do të jenë partnerë të ngushtë për të përballuar sfidat e mëdha të sigurisë, duke filluar që nga Afganistani, Irani etj. Në Samit u trajtuan çështje siç është rreziku që vjen nga faqet e pakontrolluara të internetit, nga kontrolli i armëve të shkatërrimit në masë, nga kontrolli i përhapjes së tyre dhe shumë sfida të tjera me të cilat përballet sot siguria ndërkombëtare”, tha ai.

Zoti Haxhinasto, do të doja të flisnim më konkretisht për rolin e Shqipërisë në Strategjinë e re të NATO-s?

Shpreh me kënaqësi se Shqipëria në të gjitha kontributet e veta në formulimin e konceptit të ri strategjik ka qënë shumë e qartë dhe konstruktive dhe këto kontribute janë marrë parasysh në formulimin e këtij dokumenti. Një nga faktorët e vlerësuar është, pa dyshim, roli i Shqipërisë në rajon për perspektivën e integrimit të të gjithë rajonit në NATO. Janë vlerësuar në këtë Samit edhe kontribute konkrete në kriza të ndryshme që Shqipëria ka dhënë. Përveç kontributeve dhe pjesëmarrjes në dokumentin strategjik të NATO-s, në të njëjtën kohë, dhe të një koncepti të ri të Aleancës. Shqipëria ndihet krenare edhe për kontributet e saj në çështje të sigurisë ndërkombëtarë, siç është kontributi konkret në Afganistan, ku vendi ynë ka një kontigjent prej 306 ushtarësh. Theksoj se jemi ndër vendet e para me këtë kontigjent nëse e krahasojme më frymë popullsie.

Zoti Haxhinasto çfarë takimesh patët ju si ministër i jashtëm në këtë Samit?

Kam patur takime me ministra të jashtëm. Sigurisht që kemi diskutuar për çështjet e NATO-s, por dhe për çështje dypalëshe. Pata kënaqësinë të takoj ministrin e jashtëm të Gjermanisë, i cili më ftoi dhe për një vizitë zyrtare në Gjermani që besoj se do të realizohet në mesin e muajit dhjetor. Pata, gjithashtu, takime me kolegë të rajonit me ministrat e jashtëm të Bosnjes, Malit të Zi, Greqisë, e kështu me radhë.

Një format i rëndësishëm takimesh ka qënë ai i Adriatik 5, ku morëm pjesë si delegacion kryesuar nga kryeministri Berisha. Sigurisht, që një format i tillë inkurajon më tej të gjithë vendet e rajonit, të cilët janë në proçesin e integrimit në NATO. Mund të them që gjatë punimeve të këtij Samiti jemi takuar edhe me kryetarë shtetesh. Me kryeminstrin Berisha, u takuam edhe me Presidentin e SHBA, z. Barak Obama. Presidenti Obama shprehu vlerësimin e tij për reformat që kryhen në Shqipëri dhe kontributin që Shqipëria jep në NATO.

NOA

KOMENTE