Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ilir Meta: Oferta e re, vetëm në kokën e Ramës dhe në gojën e Avokatit
English

Ilir Meta: Oferta e re, vetëm në kokën e Ramës dhe në gojën e Avokatit

Tiranë, 20 nëntor, NOA – “Meqenëse jemi në një situatë ku po diskutohet lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm 2011 së pari dua të vlerësoj përgatitjet shumë serioze që janë bërë për të paraqitur një buxhet realist i cili do të garantojë një ritëm më të lartë të rritjes ekonomike, do të garantojë një rritje jo vetëm të investimeve publike, por në veçanti është një buxhet që do të garantojë përsëri rritje të pagave dhe të pensioneve dhe njëkohësisht një buxhet i cili do të jetë nën funksion të strategjisë së zhvillimit dhe integrimit çka është shumë e rëndësishme për proceset e mëtejshme integruese të vendit”.

Kështu u shpreh sot gjatë një konference për shtyp zv/kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta.

“Nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës prioritetet kryesore për buxhetin e vitit të ardhshëm kemi pikërisht rritjen dhe përshpejtimin e investimeve të huaja direkte përmes progresit të vazhdueshëm të reformës rregullatore dhe përmirësimin e klimës së biznesit dhe në veçanti të funksionimit të AIDA-s, agjencisë re për zhvillimin e investimeve dhe bordit të saj, që tashmë është gati për t’u mbledhur dhe për të marrë vendime të rëndësishme pasi interesi i investitorëve të huaj është jashtëzakonisht në rritje dhe është një obligim i qeverisë dhe të gjithë institucioneve shtetërore për të shkurtuar sa më shpejt të gjitha barrierat burokratike apo qoftë edhe korruptive në funksion të fillimit tashmë të këtyre investimeve shumë të fuqishme. Një prioritet shumë i rëndësishëm për vitin e ardhshëm është fillimi i ndërtimit të hidrocentralit strategjik në kaskadën e Drinit, që është ai i Skavicës. Tashmë është ngritur një grup pune për të kompletuar formulën, përmes të cilës do të procedohet e cila do të jetë një formulë sipas modelit të partneritetit publik dhe privat. Ndërkohë që do të ecet përpara në dhënien me koncesion të kaskadës së lumit Vjosa, e cila është shumë e rëndësishme dhe ka një potencial të jashtëzakonshëm për prodhimin e energjisë, kaskadën e Osumit dhe shumë projekte të tjera. Ashtu sikurse pritet që të fillojnë punimet për ndërtimit e disa hidrocentraleve të rëndësishme për të cilat janë realizuar tashmë praktikat koncensionare”, tha ai.

Zoti Meta, kreu i opozitës tha në një intervistë televizive se për mandatin e Vangjel Tavos është bërë një ankand. A është e vërtetë?

Në vijim të asaj që ka thënë zoti Rama në fakt përgjigja i takon zotit Tavo dhe përgjigjen më të saktë juve ju takon t’ia kërkoni drejtësisë. Përsa më takon mua çështja është se zoti Rama veçse e bën veten e tij edhe më qesharak aq më tepër duke iu referuar Baçit të famshëm të KPD-ve socialiste të viteve 2001, sigurisht jo i besueshëm për përralla të tilla, vërtetë të neveritshme, pasi dihet që zoti Fino ka qenë sazexhiu më gazmor i çdo kryetari të Partisë Socialiste dhe mesa duket kështu do ta mbyllë karrierën e tij. Mua më vjen keq për të. Ndërsa për këtë që ka thënë zoti Rama është për të ardhur keq u vonua 20 e ca ditë pasi zoti Tavo u distancua nga grupi i tij parlamentar për të fabrikuar një përrallë të tillë dhe këtë e bëri pasi i dështoi dhe nuk i piu ujë në opinionin publik përralla e mëparshme që shpërndau duke thënë se zoti Tavo kishte ikur nga grupi parlamentar socialist pasi kishte marrë premtimin për t’u bërë ministër nga ana e LSI-së. Integriteti i zotit Tavo dhe vlerat e spikatura socialiste që ai përfaqëson në fillim të viteve 90 koha kur Edi Rama për të bërë karrierë nga kompleksi i përkatësisë së nomenklaturës së lartë komuniste, në atë periudhë të revanshit të PD-së, pra kur zoti Tavo me shumë kurajo afirmonte në një moshë shumë të re idealet e tij socialiste, zoti Rama qëllonte me gurë PS-në dhe kërkonte nxjerrjen e saj jashtë ligjit në mënyrë që të bënte karrierë në Partinë Demokratike. Por avantazhi i Partisë Demokratike në krahasim me socialistët ishte se e njohu atë përpara nesh.

Ndërsa për të gjitha deklaratat e tjera të tij, natyrisht që ai është në një klimë paniku, sepse tashmë në PS janë të shumtë ata që kanë vendosur të mos e pranojnë dhe ta refuzojnë njëherë e mirë këtë zgjedhë anti-evropiane që ai i ka vënë kësaj force politike e cila ka kontribute të jashtëzakonshme në 20 vjet të demokracisë dhe pluralizmit për të çuar përpara proceset integruese të Shqipërisë. Që nga anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë, që nga përgatitja e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO, që nga çelja e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asociimit dhe pothuajse përfundimi i saj si dhe shumë elementë të tjerë.

Si e shpjegoni ndryshimin e kursit të opozitës menjëherë pas vendimit të heqjes së vizave?

Është për të ardhur keq që Rama mendon se mund të luaj teatër me qytetarët e Shqipërisë dhe këtë pikërisht ta bëjë dy ditë pasi dihej që do të merreshin vendime shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, e para për çështjen e liberalizimit të vizave dhe e dyta për statusin e vendit kandidat. Rama për fat të keq e sajoi të gjithë alibinë e numërimit të fletëve të votimit që nuk është parë në asnjë vend të botës pasi Gjykata ka përfunduar ankesat dhe rinumërimet, vetëm për të dëmtuar procesin e liberalizimit të vizave dhe vetëm për të penguar marrjen e statusit të vendit kandidat. Për fat të mirë tek procesi i parë ndikimi i tij nuk mund të ishte më destruktiv se sa e pamë, ndërsa në rastin e dytë kuptohet dhe dihet që për statusin e vendit kandidat natyrisht që dialogu politik është i rëndësishëm dhe ai e mbajti peng këtë dialog me një kërkesë antikushtetuese. Pse ishte antikushtetuese dhe e marrë prandaj nuk pati kurajo ta çonte kërkesën në Gjykatën Kushtetuese sepse ishte një kërkesë e paparë në vendet demokratike dhe evropiane prandaj nuk e çoi në Komisionin e Venecias që është një institucion shumë i besueshëm të cilit i referohet e gjithë Evropa për çështjet e ligjit dhe demokracisë. Përpara se të hiqet si konstruktiv, pasi bëri dëmin më të madh që mund t’i bënte vendit dhe qytetarëve shqiptarë, duhet të bëjë një pendesë të thellë dhe të besueshme për këtë sjellje të papërgjegjshme dhe pothuajse të panjohur në historinë e politikës shqiptare në mënyrë që një fenomen i tillë të mos përsëritet më nga asnjë politikan dhe nga asnjë forcë politike në vend. Çdo shqiptar, me të drejtë, mund ti bëjë një pyetje shumë të thjesht zotit Rama: pse u tërhoq nga kërkesa për fletët e votimit dy ditë pas këtyre vendimeve shumë të mëdha kur këtë gjë mund ta kishte bërë shumë mirë që në shtator të vitit 2009, apo 2 muaj përpara, mund ta kishte bërë shumë mirë edhe 2 ditë përpara se të merreshin këto vendime, por e bëri pasi nuk kishte më mundësi t’i bënte më dëm Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë dhe kjo është e papranueshme politikisht dhe moralisht. Për çështjen e transparencës qëndrimi im është shumë i qartë. Transparenca të bëhet në respekt të Kodit dhe të Kushtetutës. Për përgjegjësitë që do të dalin në rast se do të verifikohen problemet e ngritura, absolutisht drejtësia duhet të veprojë si ndaj komisionerëve të PS ashtu dhe ndaj atyre demokratë, nëse ata kanë përgjegjësi për parregullësi në zgjedhjet e kaluara.

Zoti Meta, po për premtimin e bërë nga zoti Rama për ndërtimin e një xhamie në Tiranë ç’mund të na thoni?

Është gjynah, apo ndryshe mëkat të gënjesh njerëzit në ditën e Bajramit, por ne nuk mund të ndalojmë askënd që të përdorë dhe ditën e Bajramit për fushatë elektorale kur kjo ka qenë një iniciativë e hershme dhe ai ka qenë një pengues i hershëm i realizimit të këtij projekti por është përgjegjësi e tij dhe ai le të mbajë gjynahet.

Opozita ka lëshuar akuza ndaj jush për deklarim të rreme të pasurisë. A keni një koment?

Unë nuk kam bërë asnjë akuzë për pasurinë e askujt tjetër në gjithë karrierën time politike. Unë nuk jam këtu për t’u marrë as me fjalë as me shpifje as me denigrime, por as me të vërteta për të cilat nuk kam unë pse të merrem si politikan, por mund të merret ILDKP-ja, ose KLSH-ja, mund të merret Prokuroria, apo edhe Europoli, Interpoli ose organizma të tjera të specializuara në këtë drejtim, ndaj lidhur me akuzat që kanë bërë ndaj meje, dua të shpreh vetëm keqardhje.

Jeta ime është publike dhe unë jetoj kudo i rrethuar nga njerëzit, qytetarët dhe komshinjtë. Unë i ftoj t’i drejtohen zyrtarisht ILDKP-së, Prokurorisë, Interpolit të ndjekin të gjitha rrugët zyrtare ndërsa për këtë gjirin e Lalzit unë e pres në çdo kohë Edin atje dhe ai në çdo kohë do ta gjejë një ngjalë të freskët sepse ju e dini që unë jam bujar dhe zemrën e kam të gjerë. Unë nuk kam asnjë gjë personale me të. Ai nuk më ftoi në dasmë, por ju e dini që unë i çova buqetën më të madhe dhe më të bukur me lule. Dhe këtë mund ta konfirmojë edhe kushëriri i Fidelit që është dhe kushëriri im, i cili ia dorëzoi solemnisht. Kështu që nuk kam asgjë personale, absolutisht. Megjithatë edhe një pyetje mund t’ia bëja miqësisht, ndërkohë ata mund të merren me pasurinë time dhe me pasurinë e kujt të duan, por një përgjigje le t’ia japin opinionit publik, dhe sidomos ndërkombëtarëve, të cilët i furnizuan për gjashtë muaj rresht me akuzat më të mëdha për pasurinë e një ish-ministri dhe për korrupsion sipas tyre të një ish-ministri. Nuk kanë lënë adresë e-maili apo numër faksi pa in dërguar akuzat e tyre dhe që më pas u përpoqën ta paraqesin si një hero në luftën kundër korrupsionit. Ky është morali i gjithë luftës së tyre kundër korrupsionit. Pasuria ime e vetme është karakteri im dhe fjala ime. Të tjerat i vendos drejtësia.

Po përsa u përket akuzave që opozita ka bërë në adresë të Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, cili është komenti juaj?

Akuzat ndaj ministrit Vasili janë akuza fare qesharake dhe bajate. Sepse ata kështu e kanë vendosur, t’i qepen tre javë një ministri, në mënyrë që ky ministër të merret me ta, është a s’është e vërtetë, sepse ata nuk kanë çfarë të thonë, vetëm deklarata boshe bëjnë. Pastaj do t’i qepen një tjetri dhe një tjetri, e kështu me radhë, ndërkohë që kanë rrugën ligjore për t’i ndjekur, nëse do të ishin një opozitë serioze dhe që vërtetë do të luftojë korrupsionin. Për çdo akuzë që kanë për ministrin Vasili ta çojnë në prokurori. Unë personalisht i kam kërkuar Vasilit, që të mos u përgjigjet këtyre zëdhënësve dhe zëdhënëseve që nxjerr ai. Të mos ulë nivelin e tij intelektual dhe politik, të vazhdojë të merret me reformat në sistemin e shëndetësisë, ndërsa akuzat konkrete jo vetëm për kompani të caktuara në fushën e shëndetësisë, jo vetëm për kompani në fushën e ekonomisë apo transportit, duhet ta dini ju shumë mirë se në 99% të rasteve, nuk bëhet për të denoncuar korrupsionin apo abuzimin që ka bërë një kompani e caktuar me një drejtor apo me një ministër të caktuar, por bëhet për të dëmtuar një kompani të caktuar në favor të kompanive të tjera që përfaqësojnë individë të caktuar në grupin parlamentar socialist.

Në një vend demokratik çdo akuzë çohet te organet e drejtësisë. Dhe në këtë rast jo prokuroria, por gjykata e ka fjalën e fundit. Ata po ta kishin të qartë këtë kulturë demokratike nuk do të kishin ardhur vërdallë një vit e ca pas kutive të fletëve të votimit, nuk do t’i kishin mbajtur tërë ato gra dhe vajza atje në grevë urie në mes të bulevardit dhe pastaj një ditë të bukur të tërhiqeshin pa dhënë asnjë shpjegim se përse u tërhoqën dhe pa dhënë asnjë shpjegim, përse nuk u tërhoqën dy ditë më parë kur priteshin dy vendime shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Sa mendoni se do të luajnë rol ndërkombëtarët në zgjidhjen e ngërçit politik?

Zoti Rama është me fat sepse ka pasaportë diplomatik dhe nuk ka nevojë të presë 15 dhjetorin për të dalë jashtë shtetit dhe për të takuar cilindo që ai dëshiron të takojë. Unë besoj që ndërkombëtarët investuan shumë për të ndihmuar evitimin e një ngërçi absurd. Të mos harrojmë se erdhi delegacioni më i lartë në historinë e asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës. Nga presidenti dhe kryetarët e grupeve parlamentare të të gjithë krahëve politik. Dhanë sugjerime shumë dashamirëse përmes të cilave edhe sugjerimin që opozita t’i drejtohej komisionit të Venecias dhe ju e patë se çfarë kokëfortësia e pashembullt u tregua duke injoruar të gjitha sugjerimet e tyre, madje edhe duke e fyer mysafirin turk. Ndaj edhe zhgënjimi i tyre është i madh, aq sa u detyrua edhe një politikan i madh evropian të thoshte se “s’mund t’i japësh ujë gomarit, kur s’ka etje”. Natyrisht që kjo nuk është diçka që na bën të ndihemi mirë, përkundrazi kjo është diçka që na bën të ndihemi keq, për këtë sjellje destruktive, anti-evropiane në vitin 2010. Pas 20 vjetësh tranzicion demokratik të jemi në këtë moment kaq absurd, në këtë moment kur kërkohet gjoja transparencë nga arkitekti i një kodi zgjedhor aspak transparent dhe aspak demokratik, tërësisht diskriminues siç është kodi i sotëm dhe arkitekti ju e dini është pikërisht kryetari aktual i PS-së. Ndaj kërkohet seriozitet, kërkohet një ndjesë publike, kërkohet edhe një sqarim i kësaj që po quhet oferta e re, se çfarë përfaqëson dhe se çfarë tregon ajo. Ju e dini që para 2-3 javësh ai i la Kryeministrit Berisha një ofertë me shkrim, ku kishte gjëra të tjera nga këto që thotë sot. Unë do të bëj çdo gjë që të kontribuojmë për të ecur në rrugën e duhur, në rrugën e dialogut, në respekt të ligjit dhe të Kushtetutës. Ndërsa shfaqje të tilla të shëmtuara, ku nga një anë dilet gjoja me një ofertë të re dhe nga ana tjetër nxirret avokati që bën thirrje për ta kthyer Shqipërinë në vitin 1997, këto i shikojnë të gjithë edhe brenda, i shikojnë të gjithë edhe jashtë, tregojnë edhe një herë tjetër për një mungesë serioziteti, për një mungesë vizioni, por po kështu edhe për një mungesë pjekurie politike. Kjo është ajo që e la Shqipërinë pa statusin e vendit kandidat, sepse në fund të fundit, një vend që ka një opozitë të tillë destruktive penguese anti-parlamentare dhe anti-evropiane në sjelljen e saj, sigurisht që është një vend që ka nevojë për më shumë kohë për të maturuar klasën politike.

Nëse do të ketë një hetim parlamentar për zgjedhjet e 2009-s dhe nëse vërtetohen akuzat e PS-së se LSI-ja nuk i ka pasur votat e mjaftueshme për të fituar një mandat në Tiranë, ju çfarë qëndrimi do të mbanit?

Nuk mund të ketë asnjë konfirmim të tillë, sepse mandatet e LSI-së janë mandate të cilat sikurse e di edhe vetë kryetari aktual i PS-së, janë më të shumta se sa ato që ajo ka formalisht. Ashtu siç e dini të gjithë, një mandat i LSI-së është mbi 20 mijë vota, ndryshe nga mandatat e tjera në parlament që janë me 5-6 mijë vota për shkak të kodit zgjedhor gjoja demokratik që u hartua nga zoti Rama. Mandatet e LSI-së do t’i shikoni në zgjedhjet e ardhshme, e sidomos mandatet në Tiranë që do të jenë të panumërta, përfshirë edhe Ndroqin.

Zoti Meta, Partia Socialiste ka bërë ofertën më të fundit për të dalë nga kriza, duke hequr dorë nga rinumërimi i fletëve të votimit. A mendoni se kjo ofertë do të sjellë edhe zgjidhjen e ngërçit?

Mos merrni përsipër të bëheni avokatë të ofertës së Partisë Socialiste, sepse do të dështoni. Sepse as ju vetë nuk e keni të qartë se cila është oferta. Oferta bëhet në bazë të disa pikave, këto pika shkruhen, formulohen dhe verifikohen, nëse janë në respekt të kodit, në respekt të Kushtetutës, në respekt të procedurave parlamentare. Nëse gjithçka është në rregull atëherë ecet përpara. Kështu që ju nuk e keni një ofertë të tillë, unë nuk e kam një ofertë të tillë, askush deri më sot nuk e ka një ofertë të tillë, kjo është vetëm në mendjen e Ramës dhe unë nuk besoj se atij i kushton shumë për ta shkruar në mënyrë korrekte.

NOA

KOMENTE