Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Na kanë ftuar për një kafe
English

Na kanë ftuar për një kafe

Me besimin se ky popull nuk e bën dot akoma dallimin mes hyrjes në BE dhe heqjes së vizave, ata që na qeverisin kanë iluzionin optik të strucit, se me suksesin e markës Shengen do të munden t’ia hedhin lumit edhe për dështimin e markës tjetër: asaj të vendit kandidat

Nga Skënder Minxhozi

Në 8 nëntor morëm vesh se na hoqën vizat. Tashmë mund të lëvizim (relativisht) lehtë në zonën Shengen. Më 9 nëntor, një ditë më pas, prisnim të kuptonim nëse i kishim bërë mirë detyrat, sa për të marrë një tjetër status: atë të vendit kandidat. U informuam se këtë provim të dytë nuk e kishim kaluar. Na pranuan sa për një kafe në shtëpi, por jo për t’u bërë anëtarë të familjes, si shumë të tjerë para nesh. Dhe kjo, në vitin 2010, është fatkeqësisht shumë pak.

Mes 8 dhe 9 nëntorit është konsumuar një varg ngjarjesh, të cilat kanë ngërthyer brenda tyre ndjesi dhe perceptime diametralisht të kundërta. Kënaqësia e ligjshme për rrëzimin e barrierës historike të vizave, ia ka lënë vendin habisë popullore e deri dhe moskuptimit për një vendim të dytë të BE që na linte jashtë derës së vendeve kandidate. Për publikun e thjeshtë shqiptar, këto dy qëndrime kanë qenë kontradiktore, nga momenti që heqja e vizave s’mund të mos kushtëzonte edhe një opinion pozitiv për statusin e vendit kandidat. Por ja që vetë procesi i afrimit me Europën e Bashkuar është i tillë, me shumë pista, aspekte dhe parametra. Në fund të një rruge të gjatë për arritjen e standardeve për heqjen e vizave, kemi kuptuar se pjesa tjetër e rrugës, ajo që të çon drejt anëtarësimit në BE, është ende plot gropa dhe pengesa.

Ndërsa festonim për vizat, nga BE na zbrazën në derë një thes me kritika. Sipas raportit zyrtar, në shumë raste qeveria nuk ka zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Aty thuhet gjithashtu se pozita e kryetarit të parlamentit është keqpërdoruar. Raporti ve në dukje se Kuvendi nuk funksionon si institucion i pavarur dhe dekretet e presidentit shpesh trajtohen në mënyrë të politizuar.

Një listë të tillë kritikash është e vështirë ta gjesh brenda një raporti normal të prodhuar nga BE. Një gjuhë të tillë të ashpër nuk është normale ta hasësh në dokumentet që mbajnë vulën e zyrave të Brukselit. Çka do të thotë se në Shqipëri është tejkaluar dukshëm limiti i lejuar i abuzimit politik e institucional. Çka do të thotë gjithashtu se ndodhemi ende disa vite dritë larg momentit të hyrjes në Bashkimin Europian, për faktin se nuk kemi asnjë lidhje me standardet që kërkon një akt i tillë.

Megjithatë në Tiranë kanë zgjedhur të festojnë për vizat dhe të heshtin për raportin. Një zgjedhje taktike tipike shqiptare. Me besimin se ky popull nuk e bën dot akoma dallimin mes hyrjes në BE dhe heqjes së vizave, ata që na qeverisin kanë iluzionin optik të strucit, se me suksesin e markës Shengen do të munden t’ia hedhin lumit edhe për dështimin e markës tjetër: asaj të vendit kandidat. Në afat të shkurtër (që do të thotë në optikën e zgjedhjeve lokale), kjo taktikë edhe mund të funksionojë. Për më gjatë, duhet të kënaqemi me kafen që do të pimë në këmbë, në cep të banakut europian.

*Marrë nga revista “Mapo"

KOMENTE