English

Kosovë, sulmohet me armë në shtëpi, vritet polici

Klinë, 23 nëntor, NOA – Në një sulm të paramenduar me armë zjarri ka humbur jetën mbrëmë në shtëpinë e tij, efektivi i policisë së Kosovës, Arben Sejdiu dhe u plagosën dy të afërm të tij.

Burime nga policia e Kosovës bënë të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:00 në fshatin Grabanicë të Klinës pranë shtëpisë së Arben Sejdiut.

Pas informacionit të marrë policia e Kosovës ka nisur hetimet dhe deri tani dyshohet se një apo edhe më shumë persona të panjohur ende kanë hyrë në oborrin e shtëpisë së Arben Sejdiut dhe kanë shtënë me armë në drejtim të dhomës së pritjes duke vrarë në vend punonjësin e policisë si dhe duke plagosur dy bashkëfamiljarë të tij.

Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi mjekësor, ndërsa dy të plagosurit me iniciale N.S dhe Q.S janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, njëri prej tyre është duke marrë mjekim ndërsa tjetri ndodhet tashmë në shtëpi.

Në kuadër të hetimit policia ka kontrolluar të gjitha hyrje daljet e fshatit Grabanicë në qytetin e Klinës si dhe gjashtë shtëpi në komunën e Klinës.

Gjatë këtij operacioni të gjerë janë shoqëruar në stacionin policor të Klinës 10 persona.

Vijon puna për identifikimin dhe arrestimin të dyshuarve.

Polici Arben Sejdiu, i cili humbi jetën gjatë sulmit duke lënë gruan dhe një fëmijë, ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe ka kryer detyrën e oficerit policor në Stacionin Policor në Klinë.

mit/NOA
KOMENTE