English

Kryeministri Berisha: Po presim ofertën e PS në rrugë institucionale

Tiranë, 23 nëntor, NOA/ Irma Toptani – Mazhoranca është e gatshme të jap një përgjigje për ofertën e PS-së, që kërkon vetëm hetimin e materialeve zgjedhore, vetëm kur ajo të paraqitet në rrugë institucionale.

Ky është qëndrimi që ka mbajtur kreu i qeverisë, në lidhje me krizën politike, gjatë takimit që zhvilloi sot me zëvendëssekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Europës, Maud de Boer Buquichio. Pas vlerësimit të ndihmës së KE dhe punës së bërë për luftën kundër korrupsionit, Berisha është ndalur dhe në situatën politike.

Kreu i qeverisë e ka njohur përfaqësuesen e KE Buquichio me zhvillimet politike në Shqipëri.

Ai ka theksuar se është në pritje të propozimeve konkrete, në rrugë institucionale në lidhje me çështjet e ngritura nga opozita, si dhe siguroi se mazhoranca mbetet e hapur dhe e përkushtuar për të trajtuar çdo propozim të opozitës me seriozitet dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Berisha gjithashtu ka theksuar ofertën e mazhorancës që opozita të ketë të drejtën e hartimit të amendamenteve të Kodit Zgjedhor, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, me kushtin e vetëm që ato të jenë të certifikuara nga Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR.

Nga ana tjetër ai e ka njohur Buquichio edhe me ofertën e fundit bërë opozitës, në lidhje me të drejtën e kësaj të fundit për të propozuar kandidatët për Avokatin e Popullit.

Gjatë takimit Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës ka vlerësuar reformat dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen e Këshillit të Europës për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen me qeverinë shqiptare, me qëllim thellimin e reformave në këtë fushë.

Duke folur për çështjen e antikorrupsionit, Berisha ka theksuar se qeveria shqiptare mbetet e vendosur në luftën e saj me vullnet të hekurt dhe tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si interesi më i mirë për qytetarët shqiptarë.

a.k/NOA

KOMENTE