English

Media - Televizioni në gjuhën maqedonase “A1” në rrethim policor

Shkup, 25 nëntor 2010 – Televizioni në gjuhën maqedonase “A1” disa orë është në një rrethim policor. Një grup prej 30 policësh me disa automjete të policisë, kanë bllokuar hyrjet e televizionit dhe nuk lejojnë qarkullimin e të punësuarve.

Gazetarët e këtij mediumi elektronik janë të penguar të kryejnë punën e tyre. Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nuk japin sqarime se pse ka ndodhur kjo ndërhyrje policore në këtë televizion. Kryeredaktori i A1-shit, Mlladen Çadikovski, ka kërkuar publikisht nga ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, të tregojë arsyen se pse policia po pengon punën e këtij televizioni. “Unë e ftoj ministren Jankullovska të vijë këtu dhe të sqarojë. Në A1 punojnë rreth 200 njerëz. Ne duam të dimë se çfarë po ndodh dhe pse na është marrë e drejta e lëvizjes”, ka thënë Çadikovski. Ndërkaq, zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, thotë se bëhet fjalë për asisistim i Policisë Financiare e cila, sipas tij, po tenton edhe përkrah shumë pengesave, të inspektojë një numër të madh të firmave të regjistruara në të njëjtën adresë ku gjendet edhe televizioni. Kotevski ka thënë se “askush nuk është penguar në lëvizjen e tij, por ato janë rregulla që respekton gjatë çdo asistence”. “Nuk është në pyetje televizioni A1, as gazetarët. Nëse gazetarët dëshirojnë të mbrojnë dhe mbrojnë interesat e pronarit të firmave, që shesin ‘smoki’ dhe artikuj të tjerë, atëherë kjo është e drejtë”, ka thënë Kotevski. Në televizion vazhdojnë të arrijnë njerëz të ndryshëm, përfshirë edhe liderë të partive politike. Në programin e këtij televizioni po emitohet drejtpërsëdrejti një emision ku po përçohet çdo moment i ri i situatës së krijuar atje. /Zhurnal/

KOMENTE