English

Haxhinasto: Polonia na mbështet për integrimin në BE

Tiranë, 26 nëntor, NOA – Polonia do të jetë një mbështetëse e fort e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, në kohën që do të jetë në Presidencën e radhës së BE.

Këtë garanci e ka dhënë për palën shqiptare zëvendësministri i Ekonomisë së Polonisë, Marcin Korolec dhe zëvendësministrin i Mjedisit të Polonisë, z. Henryk Jerziersky, gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto.

Në takimin e zhvilluar paraditen e sotme Haxhinasto, i vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve, si në aspektin dypalësh ashtu edhe shumëpalësh.

Ai u shpreh se ka vlerësuar mbështetjen e Polonisë për heqjen e vizave. “Vlerësova në mënyrë të veçantë mbështetjen e Polonisë për liberalizimin e vizave në zonën shengen. Mora garanci nga kolegët që Polonia do të vazhdojë të japë mbështetje gjatë presidencës së saj në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm për ritme të reja të integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Haxhinasto.

I të njëjtin mendim ka qenë dhe politikani polak Korolec. “Tashmë ju jeni në një moment të ri në marrëdhëniet me BE. Mendoj se Shqipëria dhe Polonia kanë shumë gjëra të përbashkëta, ashtu si Shqipëria, Polonia po ecën në rrugën e integrimit europian dhe në këtë drejtim ne kemi çfarë të shkëmbejmë si përvojat pozitive gjithashtu dhe mangësitë. Siç e përmendi dhe zoti ministër për vitin e ardhshëm ne kemi një axhendë mjaft të ngjeshur”, tha ai, gjatë konferencës së përbashkët për mediat.

Duke bërë një prezantim të gjithë performancës ekonomike dhe klimës së biznesit në Shqipëri, Ministri Haxhinasto, u shpreh se bashkëpunimi ekonomik është një dimension shumë i rëndësishëm i marrëdhënieve mes të dy vendeve, të cilit ne i kushtojmë një vëmendje të veçantë.

Ai vlerësoi klimën e favorshme të bisnesit për tërheqjen e investimeve polake dhe shprehu kënaqësinë për trendin në rritje të shkëmbimeve tregëtare.

“Jemi në një klimë të shkëlqyer marrëdhëniesh në rrafshin ekonomik, politik e bilateral por gjithashtu dëshirojmë ta shtrijmë edhe në kuadrin e marrëdhënieve shumëpalëshe. Sigurisht që një element shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë janë marrëdhëniet ekonomike. Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme i dha një dinamikë të re këtij bashkëpunimi dhe uroj që shkëmbimet tregtare mes Shqipërise e Polonisë të njohin ritme te reja”, tha Haxhinasto.

a.k/NOA

KOMENTE