English

IDN-EMA: Statusi i KE, aktorët politikë me axhendë veprimi

Tiranë, 26 Nëntor, NOA Lajm dhe foto Update - Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, paraqet një axhendë të domosdoshme veprimi për aktorët politikë vendas.

Një fakt i tillë u theksua në tryezën me debat, që Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDN), zhvilloi sot në bashkëpunim me Lëvizjen Evropiane për Shqipërinë (EMA) dhe Fondacionin Friedrich Ebert në Tiranë.

Ashtu siç paralajmëroi edhe dokumenti i politikave i EMA-s "Skenarët e një aplikimi" opinioni i KE nuk ofroi statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Përkundrazi, dokumenti parashtron një set prioritetesh që duhen adresuar para marrjes së statusit të vendit kandidat.

Gjithsesi, disa javë nga publikimi i opinionit politika shqiptare shfaqet ende larg një debati thelbësor që mundëson marrjen e statusit dhe hapjen e negociatave bazuar në një axhendë konkrete dhe me afate të qarta.

Dokumenti i politikave i IDN - Europa në 12 "mësime": Sa vonë është "shumë vonë" - sugjeron se vonesat në këtë kontekst me shumë gjasa do ta shtynin perspektivën e një vendimi për negociatat përtej 2012-ës”, thuhet më deklaratën e EMA-s lidhur me një fakt të tillë.

Duke shtuar se “dokumenti i politikave dhe kjo iniciativë e përbashkët e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim synon nxitjen e një axhende konkrete për aktorët politikë dhe rritjen e presionit publik ndaj politikës shqiptare për të shkuar përtej interesave të ngushta politike dhe të angazhohet në përmbushjen e objektivit strategjik të vendit”.

Pjesëmarrës në këtë konferencë janë Sotiraq Hroni, drejtor Ekzekutiv i IDN; Gjergji Vurmo, drejtor i Qendrës për Çështje Evropiane dhe të Sigurisë pranë IDN, Michael Veichert, drejtor i “Friedrich Ebert Stiftung”; si edhe përfaqësues të medias si Lutfi Dervishi, analist politik, Edison Kurani, kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë” dhe Aleksandër Çipa, kryeredaktor i gazetës "Shqip".

n.e/NOA

KOMENTE