English

Rama: Berisha duhet të largohet, nuk ka pëlqimin e popullit

Elbasan, 26 nëntor, NOA – Nga qyteti i Elbasanit kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka bërë thirrje për largimin e qeverisë. Në fjalën e mbajtur gjatë protestës së opozitës Rama ka theksuar se kreu i qeverisë, përveç se ka vjedhur votat e shqiptarëve, por vjedh dhe po shkatërron pasuritë e tyre.

Rama nuk është ndalur vetëm në çështjen e transparencës së zgjedhjeve, duke përmendur dhe një herë ofertë e re të opozitës, por ka theksuar se vendi ndodhet dhe në një krizë ekonomike.

Ai u shpreh se kreu i qeverisë po mban peng kutitë e materialeve zgjedhore dhe po mban peng “gjykimin e popullit që e ka dënuar me votë”. Duke u ndalur në situatën ekonomike Rama ka theksuar se taksat janë rritur dhe qytetarët duhet të paguajnë më shumë për shërbimet sociale.

Ai tha se Berisha “po mban peng ekonominë e vendit dhe po rrit çmimin e energjisë. Shërbimi shëndetësor është pesë herë më i shtrenjtë, ndërsa Berisha flet për rritje pagash”, tha Rama.

Nisja e protestave të PS-së në Elbasan është vetëm fillimi i një sërë tubimesh masive. Rama u shpreh se qytetarë duhet t’i shpallin “luftë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, varfërisë dhe krizës totale”.

Kreu i PS-së theksoi se kauza e PS-së është eliminimi i varfërisë dhe keqqeverisjes në vend.

“Jemi këtu për kauzën tonë. Berisha duhet të largohet, nuk ka pëlqimin e popullit, po qeveris me vota të vjedhura.” theksoi Rama.

a.k/NOA

KOMENTE