English

Klinton uron: Shqiptarë, ta gëzoni pavarësinë

Uashington, 27 nëntor, NOA - “Në emër të Presidentit Obama dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara, përshëndes popullin e Shqipërisë me rastin e Ditës së Pavarësisë më 28 nëntor”.

Ky ka qenë mesazhi që Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, i ka drejtuar popullit shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë, 28 Nëntor 1912, duke theksuar se “historia e miqësisë dhe interesat e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara u konsoliduan në Konferencën e Parisit të vitit 1919, kur Presidenti Udrou Uilson mbështeti fuqimisht pavarësinë e Shqipërisë”.

“Që prej atëherë, Shqipëria ka dhënë një ndihmesë të çmuar për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Si partnere e NATO-s dhe si këshilltare e vendeve të tjera të Ballkanit që aspirojnë të bëhen anëtare të NATO-s, Shqipëria luan një rol të rëndësishëm dhe aktiv për avancimin e integrimit dhe stabilitetit rajonal. Shtetet e Bashkuara respektojnë gjithashtu angazhimin e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Afganistan dhe dedikimin e saj për mbrojtjen e paqes në botë”, tha ajo.

Duke shtuar se “mbështetja e SHBA-ve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet e fuqishme”.

“Heqja e vizave kohët e fundit për Shqipërinë është një tregues i fortë i përparimit që vazhdon të bëjë vendi juaj drejt anëtarësimit të plotë në komunitetin euro-atlantik. Jam optimiste për vazhdueshmërinë e partneritetit tonë me Shqipërinë për çështje me rëndësi rajonale dhe globale, ndërsa punojmë së bashku për një të ardhme demokratike, të sigurt dhe të begatë për të dy popujt tanë. I uroj popullit të Shqipërisë gëzuar Ditën e Pavarësisë”, përfundon mesazhi i shefes së Departamentit Amerikan të Shtetit.

n.e/NOA
KOMENTE