Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
“Nata e Bardhë” ndez maksimalisht argëtimin në Tiranë
English

“Nata e Bardhë” ndez maksimalisht argëtimin në Tiranë

Tiranë, 30 Nëntor 2010 NOA/ Rid Bulku - Kryeqyteti shqiptar, Tirana ka përjetuar për të shtatin vit radhazi, emocionet e papërsëritshme që ka ofruar Nata e Bardhë, një nga ngjarjet më të spikatura kulturore, një eveniment i jashtëzakonshëm, promovuar edhe këtë vit nga Bashkia e Tiranës.

Gjatë kësaj mbrëmjeje, Tirana jetoi me të gjitha hapësirat e saj historike, kulturën dhe artin si dhe me evenimente sportive që i dhanë një tjetër dimension qytetit.

Nata e Bardhë 2010 erdhi edhe këtë vit me aktivitete të shumta e plot surpriza për çdo moshë e çdo shije, që nga fëmijët me skenën dedikuar tërësisht atyre e deri tek karaokja, koncertet e ndryshme dhe aktivitetet sportive.

Një sërë aktivitetesh maratonë, bënë që rrugët dhe sheshet e Tiranës, të gumëzhinin nga një atmosferë e gjallë festive.

“Përqafomë” ishte sërish këtë vit, pjesë e aktiviteteve të mbrëmjes dhe ka qenë katalizatori që i ka shtuar kësaj mbrëmjeje, ngrohtësinë, kujdesin, ndjenjat njerëzore.

Të rinj të Rrjetit Rinor të kryeqytetit, të veshur me bluzat e këtij aktiviteti, kanë ecur nëpër rrugët e qytetit, për të ndarë me kalimtarët, disa momente njerëzore.

Nëse të gjithë do të ndaleshin dhe t’i dedikonin fare pak minuta nga koha e tyre, një personi që ka nevojë për ta, që është vetëm dhe ka nevojë për një fjalë të ngrohtë, apo vetëm një përqafim..., atëherë do të kishte më shumë buzëqeshje, më shumë gëzim, më shumë dashuri.

Ndaj, këta të rinj kanë ndarë me qytetarët e shumtë, ato momente e ndjenja të ngrohta njerëzore, të domosdoshme për secilin nga ne.

Një skenë dedikuar muzikës klasike ka mbledhur artistë të rinj por dhe me eksperiencë të cilët kanë ofruar pjesët më të mira klasike, nga më të njohurat edhe për publikun.

Skena më e re e fëmijëve dhe të rinjve që frekuentojnë Qendrën Shumëfunksionale “TEN” ishte e ndërtuar tek Ura e Re e Bllokut, ku ndër të tjera piktorët e vegjël kanë ftuar të pranishmit të përdorin kavaletat e tyre.

Një tjetër risi e kësaj mbrëmjeje ishte koncerti i madh, i realizuar me grupe artistike folklorike nga zona të ndryshme shqiptare.

Koncerti i madh që u zhvillua në Urën e Madhe të Bulevardit zgjati 7 orë të plota dhe grupet performuese ishin grupet më të njohura artistike dhe folklorike të Shqipërisë. Ansamblit “Tirana” iu bashkua grupi i famshëm Lira, i cili me serenatat korçare ka rritur breza të tërë.

Vallet e mrekullueshme të Raicës tundën Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe këngët e vallet e Shqipërisë së Mesme, të ekzekutuara me mjeshtëri nga ansamblet e Durrësit dhe Elbasanit, ngritën peshë publikun, gjatë kësaj Nate.

Për herë të parë, qytetarët e Tiranës, por dhe vizitorët e shumtë që tashmë vërshojnë në kryeqytet gjatë “Natës së Bardhë”, kanë ndjekur me kërshëri një spektakël të vërtetë të Arteve Marciale.

Rreth 120 persona, profesionistë dhe amatorë të moshave dhe gjinive të ndryshme, u ndeshën para publikut.

Po ashtu, u zhvilluan disa ekspozita, që nga ajo e sahateve të vjetër të Tiranës e deri tek zanatet e ushtruara në këtë qytet.

Profesionet e humbura të Tiranës së vjetër zunë vendin e tyre të nderit, në një ekspozitë të improvizuar në Lulishten e “Vëllezërve Frashëri”. Nallbani, llustaxhiu, artizani i dimiqve të mermerit, punuesit e shajakut, kosaxhiu e shumë e shumë profesione të tjera ngjallën nostalgjinë, në sytë e të moshuarve dhe informuan të rinjtë për një të shkuar të harruar.

Zona e Bllokut, si zona më e preferuar nga të rinjtë, është zgjedhur edhe këtë vit, për argëtimin e tyre. Tingujt e hiteve më të suksesshme të vitit, balerinë dhe DJ të njohur kanë vibruar “Natën e Bardhë.

Për më romantikët, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në lartësinë e Kuvendit, një grup të rinjsh performuan live me kitarat e tyre, suksese pop, të muzikës mbarë botërore.

Bashkia e Tiranës ka hapur si gjithmonë dyert për qytetarët e saj dhe kushdo që ka pasur mundësi, ka vizituar ambientet e këtij institucioni.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, si çdo vit tjetër ka pritur në zyrën e tij bashkëqytetarë të shumtë, duke ndarë me ta momente të veçanta të këtij eventi kaq të dashur për qytetarët, të cilë kanë shfrytëzuar njëkohësisht momentin për të bërë një foto.

Nga ana tjetër, me qëllim mbarëvajtjen sa më normale të këtij eventi, i cili tashmë prej shtatë vitesh mbush me gjallëri kryeqytetin shqiptar, Bashkia e Tiranës njoftoi qytetarët për ndalimin e qarkullimit të automjeteve, në disa nga rrugët kryesore si: në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (sheshi “Skënderbej deri tek sheshi “Nënë Tereza”), në një pjesë e rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” (“Bajram Curri” deri tek kryqëzimi me rrugën “Abdyl Frashëri”) si dhe në Urën e Re me harqe të Bllokut, duke nisur nga ora 15.00 deri në përfundim të aktiviteteve, për t’u mundësuar qytetarëve të shumtë, zhvillimin sa më normal dhe të qetë të kësaj feste.

Bashkia e Tiranës kërkoi me këtë rast edhe bashkërendimin e punës me Policinë e Rendit dhe atë Rrugore, për të siguruar bllokimin e nevojshëm të trafikut si dhe mbarëvajtjen e zhvillimin me sukses të eventit e njëkohësisht edhe mirëkuptimin e qytetarëve, të cilët morrën pjesë masivisht në këto festime.

r.b/e.r/NOA

SHIKONI TE GJITHA FOTOT

KOMENTE