English

Topalli në Panairin e“Klik Ekspo Group”, vlerëson organizimin

Tiranë, 29 Nëntor 2010 NOA/ Alban Beqa - Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli vizitoi sot edicionin e XVII të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group” në Pallatin e Kongreseve.

Topalli u prit nga Presidenti i shoqërisë Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj, Drejtorja Ekzekutive e shoqërisë Klik Ekspo Group, Elona Agolli, përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe institucioneve të huaja që marrin pjesë në Panair, si dhe nga një përfaqësi e përzgjedhur sipërmarrësish shqiptarë dhe investitorësh të huaj.

Zonja Topalli i uroi organizatorët e këtij panairi për organizimin e shkëlqyer, si dhe pjesëmarrësve që kishin dalë për ta pritur, u përcolli përshëndetjet më të përzemërta. Kryeparlamentarja e cilësoi panairin si një shprehje reale e arritjeve ekonomike të biznesit shqiptar, atij rajonal dhe evropian, duke nënvizuar faktin se vlerëson pjesëmarrjen e madhe të shumë kompanive nga vende të ndryshme të rajonit, BE e më gjerë, me produkte ndër më cilësoret.

Kryetarja e Kuvendit zhvilloi takim me sipërmarrësit kosovarë në Pavionin e tyre. Shteti i Kosovës, organizohet nga Dhoma Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ) me projektin për zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e punësimit në Kosovë. Industritë e përfaqësuara nga shteti i Kosovës paraqiten fuqishëm në prodhimin, ndërtimin dhe shpërndarjen e produkteve metalike për ndërtim, siguri, mbrojtje dhe zbavitje. Prezantohen një gamë e gjerë e prodhimeve të aluminit dhe metaleve të tjera, të gjitha Made in Kosova.

Në përfundim të vizitës, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i uroi organizatorët për kontributin e shquar në promovimin, evidentimin e vlerave të biznesit gjatë diplomacisë ekonomike, si dhe për ndihmesën dhe mbështetjen e vazhdueshme për sipërmarrjet shqiptare.

Panairi i këtij viti për shoqërinë Klik Ekpo Group është i pari si anëtar zyrtar i U.F.I., Unionit Botëror të Panaireve. Edicioni i 17-të i Panairit të Përvitshëm Ndërkombëtar, përmes Pavioneve të Shteteve, risjell pjesëmarrjet e organizuara shtetërore të sipërmarrësve nga Evropa Qendrore e Juglindore, Ballkani Perëndimor e deri Azia. Përfaqësohen denjësisht sipërmarrës nga: Belgjika, Polonia, Kroacia, Serbia, Greqia, Italia, Austria, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Turqia, Bullgaria, Irani e të tjera shtete përherë të orientuara drejt bashkëpunimit dhe ndërveprimit me Shqipërinë.

a.b/NOA

KOMENTE