Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Hashim Thaçi: Zgjedhjet e jashtëzakonshme, sipas standardeve evropiane
English

Hashim Thaçi: Zgjedhjet e jashtëzakonshme, sipas standardeve evropiane

Prishtinë, 30 nëntor, NOA - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka besim se në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme, të parat pas pavarësisë, do të arrihen standardet evropiane për zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike.

Duke folur për BBC-në në këtë pragfushate Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike në pushtet, thotë se në katër vitet e ardhshme Kosova do të marrë regjim pa viza nga BE-ja për qytetarët e saj, do të jetë anëtare e NATO-s, dhe do të afrohet më shumë me BE-në.

Kryeministri kosovar premton se kutitë e votimit për zgjedhjet e përgjithshme do të hapen në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun. Ai është optimist për një pjesëmarrje të madhe të serbëve në këto zgjedhje.

Kryeministër Thaçi, si i shikoni këto zgjedhje të cilat dukeshin që ishin të imponuara për Kosovën?

Këto janë zgjedhje të parakohshme. Për herë të parë në Kosovën e pavarur organizohen zgjedhjet nacionale. Kam besim se do të arrijmë standardin evropian të organizimit të zgjedhjeve të lira të ndershme dhe demokratike, me një pjesëmarje të madhe të qytetarëve të Kosovës, të të gjitha komuniteteve me kuti të hapura në të gjithë territorin e Repubikës së Kosovës. Pra, këto janë zgjedhje për të ardhmen evropiane të Republikës të Kosovës dhe mirëqënies sociale të saj.

Ka pasur një merak të opozitës zoti kryeminister se koha kur do të duhej të organizohen këto zgjedhje është relativisht e shkurtër dhe ndoshta eventualisht kjo mund të rrezikojë procesin demokratik zgjedhor?

Këto zgjedhje janë provokuar që të jenë të parakohëshme nga ish-partneri i koalicionit, nga LDK-ja dhe opozita kosovare, kështu që unë marr përgjegjësinë në këtë situatë të provokuar nga opozita kosovare dhe ish-partneri i koalicionit. Në këtë drejtim secili lider dhe parti politike kanë përgjegjësi që të japin kontributin për arritjen e standardit, apo avancimin e standardit të organizimit të mirë të zgjedhjeve të lira.

Cila do të jetë përgjegjësia e maxhorancës, për shembull, në këtë përgjegjësi që ju flisni?

Tani adresa është e drejtuar kah selive të partive politike. Çdo parti duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon për organizim të mirë të zgjedhjeve. Institucionet e vendit janë në krye të përgjegjësive. Ne kemi ftuar shumë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të jenë prezent. Jam optimist dhe kam besim të plotë për sukses të Kosovës në këto zgjedhje.

Zoti kryeministër, së voni keni bërë disa marëveshje për ngritje pagash, ndërkohë po dëgjojmë p.sh. që Fondi Monetar Ndërkombëtar është paksa i befasuar me këto marrëveshje për të cilat shkruan shtypi i Prishtinës. Ndoshta kapërcehen këto linja?

Tash një pjesë e shtypit ka marrë drejtim në favor të kësaj apo asaj partie, ka marrë drejtimet mbështetëse partiake. Dhe natyrisht ka komente dhe opinione të ndryshme që për mua janë normale dhe interesante. Unë prezantoj vizionin tim në këtë mandat për Kosovën evropiane. Në mandatin e kaluar kam bërë shumë investime kapitale. Ndërsa mandati i ardhshëm katër-vjeçar do të jetë mandati im për Kosovën evropiane, për Kosovën e integruar, për liberalizimin e vizave brenda 15 muajsh nga janari i vitit të ardhshëm, që Kosova brënda mandatit katër-vjeçar të jetë pjesë e NATO-s dhe mundësisht të jetë edhe pjesë e OKB-së dhe të afrojmë republikën e Kosovës për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, a janë këto pikat kryesore të programit të partisë tuaj që konkuron ta fitojë pushtetin edhe për katër vjet në zgjedhjet e ardhshme?

Mandati im i ardhshëm katër-vjeçar do të jetë mandati i konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës, mandati i integrimit euroatlantik për Kosovën, i rritjes së mirëqënies sociale të qytetarëve, i krijimit të vendeve të reja të punës. Por do të fokusohem edhe në veçanti për rritjen e mirëqënies sociale të qytetarëve, prandaj edhe kam premtuar rritjen solide dhe konstante të pagave të gjithë sektorëve duke filluar nga mësimdhënësit universitarë, për arsimtarët e shkollave të mesme dhe fillore, për statusin e shërbyesit civil, për minatorët e Trepçes, rritjen e pensioneve për veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe rritjen e beneficioneve për të gjithë veteranët e luftës.

Gjithashtu do të vazhdojmë edhe me zjarfikësit, do të vazhdojmë edhe me policët e Kosovës, por do të vazhdohet me reforma të thella edhe në sektorin e ekonomisë që krijon kushte, hapsirë, mundësi dhe lehtësira edhe më të mëdha për punë për të gjithë komunitetin e biznesit kosovar. Do të vazhdojë edhe me lirimin e të gjitha mediave të lira të shkruara elektronike nga TVSh-ja dhe do të punoj maksimalisht që të krijojmë një mundësi për një jetë më të mirë, që çdo qytetar të ndihet krenar për të jetuar në Republikën e Kosovës. Gjithçka do të bëhet me përputhsmëri me kornizën, me afatet tona të mesme, dhe me përputhshmëri me angazhimet tona me partnerët tanë ndërkombëtarë. Por në fund Kosova është shtet i pavarur e sovran. Ne marrim vendimet dhe përgjegjësitë.

Zoti kryeministër, nga do t'i siguroni gjithë këto para për këto rritje, për këto ngritje, për këto mirëqenie?

Buxheti i Kosovës ende nuk është miratuar në parlamentin e Kosovës. Gjithçka është duke u planifikuar prej ekspertëve lokalë dhe ndërkombëtarë që kam angazhuar në ekipin tim dhe gjithçka është e planifikuar në detaje. Pra, do të kemi një ruajtje të partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare dhe kemi vendime autonome si shtet i pavarur dhe sovran dhe çdo premtim të cilin e prezantoj është i studiuar në detaje dhe gjithë njerëzit do t'i marrin, do t'i gëzojnë ato premtime në realitet.

Çfarë prisni nga votimet e 12 dhjetorit?

Pres fitore të thellë. E para, pres standard europian të këtyre zgjedhjeve, që të fitojë së pari Kosova, pastaj pres fitore të thellë e bindëse të Partisë Demokratike të Kosovës me vizionin për Kosovën evropiane.

Nëse fitorja nuk do të jetë e thellë dhe bindëse, siç thoni ju, me kë do ta krijoni qeverinë?

Fillimisht desha të them se koalicioni im është koalicioni me qytetarin e Republikës së Kosovës. Do të shohim në fillim prezantimin e vullnetit të qytetarit, pastaj do të marr vendime të tjera, në përputhshmëri me axhendën dhe prioritetet që prezantoj për Kosovën euroatlantike, zhvillimore, të krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mirëqenies sociale të tyre.

Nëse ju i fitoni zgjedhjet, çfarë do të bëjë qeveria juaj me veriun e Kosovës?

Do ta normalizojmë gjendjen plotësisht, do të ketë sundim të ligjit, do të ketë rritje të mirëqenies sociale, do të krijohen kushte për organizimin e zgjedhjeve të lira në tri komuna të tjera në nivel lokal dhe formimin e komunës së re. Pra, do të kemi implementim të plotë të dokumentit të Presidentit Ahtisaari dhe strategjitë integruese.

Cili do të jetë pozicioni i serbëve në këto zgjedhje që vijnë?

Do të hapen kutitë e votimit edhe në veri. Pjesëmarrja serbe do të jetë si kurrë ndonjëherë më parë, e fuqishme, do të jenë pjesë e parlamentit dhe pjesë e qeverisë që do të udhëheq unë.

Zoti kryeministër, besoj se keni dëgjuar për Wikileaks. Ka diçka në Kosovë nga kjo?

Nuk kam ndonjë koment, sepse nuk kam as edhe një informatë të vetme.

Si po ju shkon fushata?

Është duke shkuar sipas standardeve europiane dhe falenderoj gjithë qytetarët për mbështetjen shumë të fuqishme dhe të gjerë, përtej kornizave të Partisë Demokratike të Kosovës, pra, edhe nga shoqëria civile, edhe nga komuniteti i biznesit, nga të rinjtë, nga studentët, nga veteranët dhe gjitha kategoritë e shoqërisë kosovare, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministër Hashim Thaçi, keni deklaruar, nëse nuk gaboj, se ky, po ta fitonit, do të ishte mandati juaj i fundit si kryeministër?

Ky do të jetë një mandat i integrimit. Unë kam pasur tre qëllime në jetën time politike: I pari ka qenë çlirimi i vendit dhe liria e qytetarëve të Kosovës - është arritur në qershor të vitit 1999. Qëllimi i dytë kombëtar dhe politik imi ka qenë bërja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran - është bërë në shkurt të vitit 2008. Ky është qëllimi i tretë dhe final politik dhe kombëtar imi, pra, integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike, në NATO dhe Bashkimin Evropian. E ritheksoj edhe njëherë, jam i bindur dhe i sigurt se Kosova do të bëhet pjesë e NATO-s gjatë mandatit tim katërvjeçar, do të kemi liberalizimin e vizave, do të kemi rrugë të sigurt integruese euro-atlantike për Republikën e Kosovës. Unë do të jem gjithmonë në shërbim të vendit, në shërbim të qytetarëve, pavarësisht nga përgjëgjësia e ndryshme që mund të kem.

BBC

KOMENTE