English

Myslimanët kërkesë Berishës: Na ndihmo për një universitet dhe xhaminë e re

Tiranë, 30 Nëntor, NOA – Kryeministri Berisha gjatë një takimi që zhvilloi sot me kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça, u njoh me kërkesën e këtij të fundit për çeljen e një universiteti, si edhe ndërtimin e një xhamie të re.

Muça e njohu kryeministrin me zhvillimet e fundit institucionale brenda komunitetit, si dhe kërkoi mbështetjen e qeverisë për ndërtimin e një xhamie të re në Tiranë, duke shprehur skepticizmin e komunitetit për realizimin e këtij projekti, megjithë premtimet e bëra nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Kryeministri Berisha, duke bërë të qartë qëndrimin institucional ndaj komunitetit Mysliman, siguroi kryetarin e këtij komuniteti për mbështetjen që qeveria shqiptare i jep dhe do t’i japë këtij komuniteti si në çeljen e universitetit, ashtu dhe në ndërtimin e objekteve të kultit.

Në takim u përmend fakti që premtimi për ndërtimin e një xhamie në Tiranë ka qenë bërë edhe 5 vjet më parë nga Bashkia e Tiranës, por ky premtim nuk është mbajtur asnjëherë, pasi kjo nuk ka qenë dëshira reale e Kryetarit të Bashkisë së Tiranë për ta ndërtuar atë. Edhe në atë rast, Komuniteti Mysliman konstatoi mashtrimin e Rama për ndërtimin e këtij objekti.

Në fakt, Tirana është i vetmi qytet që në këto vite nuk i ka krijuar aksesin e duhur Komunitetit Mysliman në ndërtimin e një objekti kulti. Bashkia Tiranë po e përdor këtë premtim vetëm për qëllime elektorale, në prag të zgjedhjeve lokale, por nuk ka vullnet real në ndërtimin e saj.

Në përfundim, Kryeministri u siguroi përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman, mbështetjen e plotë të qeverisë si për çeljen e universitetit, ashtu edhe për ndërtimin e objekteve të nevojshme të kultit, duke konsideruar që mbështetja e komuniteteve fetare është një qëndrim konsistent i qeverisë.

n.e/NOA

KOMENTE