English

PS: 1 vit asnjë masë, Berisha fajtor për përmbytjet në Shkodër

Tiranë, 30 nëntor, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste për qytetin e Shkodrës, Ilir Beqja akuzoi sot kryeministrin Sali Berisha se me keqqeverisjen e tij ka lënë rishtas në përmbytje Shkodrën, si dhe fshatrat Ana e Malit, Dajçin, Velipojën, Gurin e Zi, Bërdicën ashtu sikundër ndodhi këtë fillimvit, kur tërë zona u mbulua nga uji.

“Vjet Sali Berisha me paturpësinë më të madhe ia vuri fajin hënës blu, shirave që bien njëherë në 100 vjet. Akuzoi opozitën se përhapte panik e madje bëri me faj edhe vetë perëndinë për vërshimet masive, vetëm e vetëm për të larguar përgjegjësinë nga vetja. Por këto justifikime nuk pinë më ujë. Sot Sali Berisha duhet të dalë publikisht e të pranojë se ka dështuar duke i lënë banorët e Shkodrës në mëshirën e motit”, tha deputeti Beqja në një konferencë për shtyp.

Ai argumentoi se përmbytjet në fjalë që janë kthyer në një dështim të turpshëm të qeverisë Berisha, janë prova më e qartë se shqiptarët qeverisen nga një pushtet, që di vetëm të vjedhë, të bëjë propagandë, por që mbytet në një pikë ujë kur vjen puna për të zgjidhur problemet e njerëzve.

Në këtë kontekst, deputeti socialist akuzoi kryeministrin Berisha se ka dështuar pasi nuk ka marrë ende asnjë masë për të siguruar banorët e Shkodrës nga përmbytjet e reja.

“Berisha dështoi sepse për një vit qeveria e tij nuk mori asnjë masë për të parandaluar përmbytjet. Berisha dështoi të sigurojë banorët e Shkodrës, sepse ai nuk vuri dorë në argjinatura, hidrovore e kanalizime as në qershor, as në korrik, as në gusht. Jo vetëm kaq, por Sali Berisha duhet t’u shpjegojë banorëve të Shkodrës dhe shqiptarëve se përse në vend që të ndërtonte argjinaturat dhe të riparonte hidrovoret e kanalizimet, shkurtoi me 90% fondin e buxhetit për argjinaturat”, tha Beqja.

Deputeti Ilir Beqja theksoi se “Fajtori i vetëm për këtë situatë absurde që përsëritet çdo vit është një dhe një i vetëm, Sali Berisha dhe banorët e Shkodrës janë viktimat e dështimit të tij të radhës”.

mit/NOA
KOMENTE