English

Rama: Qeveria i krijon artificialisht vështirësi bashkisë së Tiranës

Tiranë, 30 nëntor, NOA – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka akuzuar qeverinë se po i krijon artificialisht bashkisë së Tiranës vështirësi me qëllim që të egërsojë qytetarët ndaj saj.

Gjatë prezantimit të projektit të masave për përmirësimin e shërbimit të transportit publik në kryeqytet, Edi Rama tha se “Një pjesë e këtyre vështirësive janë objektive, pasi është një sfidë e madhe dhe rinovimi që ne kërkojmë, duke mos rritur çmimin e biletës është në vetvehte një bast shumë i madh, që ne jemi të vendosur ta fitojmë, por nga ana tjetër janë edhe një sërë vështirësish, të krijuara artificialisht, nga një qeveri që ka vetëm një qëllim, të bllokojë e të pengojë në dëm të qytetarëve Bashkinë e Tiranës, për t’i egërsuar e mërzitur ata sa të mundë, në një përpjekje të dëshpëruar, që do të thotë se: “kjo Bashki nuk bën për ju”.

Kryebashkiaku Rama nënvizoi sakaq se e vërteta është krejt e kundërt, pasi sipas tij, “qytetarët e shohin dhe e prekin dhe sot ne praktikisht shkojmë drejt përfundimit të rinovimit për linjën e Unazës së Tiranës, e cila me këta 10 autobusë të tjerë kalon në një numër të konsiderueshëm autobusësh tërësisht të rinj dhe besojmë në fund të janarit do të plotësohet përfundimisht, me vetëm autobusë të rinj”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Kryebashkiaku Rama duke prezantuar projektin për transportin publik të kryeqytetit dhe pikërisht përmirësimin e shërbimit të linjës së transportit publik të Unazës me shtimin e 10 autobusëve të rinj me kilometrazh zero, tha se “Sot është një tjetër ditë e shënuar në përpjekjen për ta rinovuar rrënjësisht transportin publik në Tiranë, duke krijuar kushte të standarteve tërësisht europiane, mes shumë vështirësish”.

Autobusët e rinj përbëjnë fazën e dytë të rinovimit të kësaj linje urbane, si një ndër linjat më kryesore në kryeqytet, e cila lidh të gjitha krahët e Tiranës, duke u bërë mbledhësja dhe shpërndarësja kryesore e pasagjerëve për aksesin, ashtu edhe për shpërndarjen e pasagjerëve nga Unaza drejt linjave të tjera të shërbimit të transportit publik.

Këto masa pritet të përmirësojnë ndjeshëm: shpejtësinë e lëvizjes së mjeteve dhe frekuencën; kushtet e shërbimit për qytetarin; komoditetin e tyre gjatë udhëtimit; aksesin e qytetarëve me nevoja të veçanta, si: personat me aftësi të kufizuar, të moshuarit etj.

Linja e Unazës është ndër akset me numrin më të madh të pasagjerëve në shërbimin e transportit publik, pasi në këtë linjë udhëtojnë një numër i madh qytetarësh.

Investimi konsideron të domosdoshme, mjetet me kushtet e komfortit dhe aksesibilitetit të shërbimit si ajër të kondicionuar, hyrje e lehtë (aksesi) në mjete bus_ platformë e sheshtë, autobusë të pajisur me platformën për njerëzit me aftësi të kufizuar; siguria në bord, sisteme kamerash; sistemet e monitorimit, kontrollit të flotës së mjeteve.

Ndërkohë, së shpejti do të bëhet rinovimi tërësor i Parkut të Mjeteve, ku 30 mjete me standarde bashkëkohore me kilometrazh zero, do të plotësojnë inventarin e mjeteve të rinovuar, në linjën e Unazës.

mit/NOA
KOMENTE