English

Vrasja e taksistit, arrestohen tre adoleshentë të tjerë në Lezhë

Lezhë, 30 nëntor, NOA – Në vrasjen e taksistit nga Devolli, Fredi Tanelli duket se kanë marrë pjesë 6 të rinj. Pas arrestimit të tre personave dje në Bilisht të Korçës, për të njëjtën vrasje, Policia e Lezhës ka arrestuar tre adoleshentë të tjerë në Lezhë dhe në Kurbin.

Ata janë, J.Z me banim në Kurbin, A.S, dhe K.Papleka me banim në Lezhë. Të tre të arrestuarit janë të moshës 16 vjeç. Policia ka sekuestruar armën me të cilën mendohet se është vrarë taksisti.

Automatiku model 56 si dhe një krehër me 40 fishekë u gjet pas kontrollit të bërë në banesën e 14-vjeçarit J.Z.

Prova tjetër materiale që lidh tre të rinjtë me vrasjen e taksistit është dhe targa e makinës.

Sipas policisë në vendin e quajtur Ishull Lezhë, të komunës Shëngjin të rrethit Lezhë, në një kanal kullimi, u gjetën një targë automjeti “DV 203 A”.

Dje për të njëjtën vrasje punonjësit e policisë së Elbasanit arestuan 16-vjeçarin A.Xhaçka, banues në Bilisht; Elkero Ravani, 21 vjeç, edhe ky banues në Bilisht dhe 19-vjeçarit Domeniko Kumrija, banues në Elbasan.

Nga të dhënat e grumbulluara dhe hetimet e kryera u arrit të zbardhet dhe motivi i kësaj ngjarje, nga ku rezultoi se viktima Fredi Talelli është vrarë me armë zjarri dhe më pas i është grabitur automjeti tip Benz C-klas, së bashku me dy aparate telefonik celularë dhe sende të tjera personale.

Sipas hetimeve, rezultoi se autorët e këtij krimi në Bilisht i kanë kërkuar viktimës t’i merrte si pasagjerë dhe në afërsi të fshatit Koritë, Xhaçka e ka qëlluar viktimën me armë zjarri automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

a.k/NOA

KOMENTE