English

Basha: Qeveria, në gjendje të evakuojë dhe stabilizojë mbi 10 mijë persona

Shkodër, 2 dhjetor, NOA - Në cilësinë e Kryetarit Ndërministror për situatën e Emergjencave Civile në Shkodër, ministri i Brendshëm Basha, ka bërë kërkesë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin nga ana e banorëve të zonave të përmbytura, që të ndihmojnë ekipet e punës në evakuimin e tyre.

“Qeveria ka marrë të gjitha masat, ndërkohë që kapacitetet tona janë të mjaftueshme për të evakuar dhe për të mbajtur mbi 10 mijë persona për një kohë të gjatë në kushte të përshtatshme. Jemi të gatshëm për të përballuar këtë situatë me sukses. Ajo që dua të nënvizoj, është se puna për evakuimin e banorëve nga Forcat Speciale po vazhdon intensivisht”, tha ai para gazetarëve.

Duke shtuar se mesazhi që ka për banorët e Komunës së Dajçit, Anës së Malit, Guri i Zi dhe banorëve të Shkodrës që gjenden në prezencën e ujit, është t’u binden kërkesave të kryebashkiakut, kryetarëve të komunave dhe Shtabit të Emergjencave të ngritura për këtë qëllim, për evakuim të menjëhershëm, pasi situata po vjen duke u përkeqësuar ndërkohë që niveli i ujit rritet në çdo moment.

“Operacioni i evakuimit sot ka marrë përmasa të mëdha, ndërsa nesër ky operacion do marrë një dimension tjetër, me vënien në dispozicion të helikopterëve të Forcave të Armatosura dhe atyre të Rendit. Kapaciteti i dyfishuar i mjeteve ujore dhe aty ku është e mundur, edhe e mjeteve të larta të ushtrisë dhe të policisë, janë vënë në dispozicion të plotë për qytetarët”, shtoi ai.

Nga informacionet zyrtare, bëhet e ditur se në zonën e nën Shkodrës, janë marrë të gjitha masat për të sistemuar të evakuarit.

Është ngritur qendra e evakuimit të përkohshëm në Pentar dhe në Sukën e Dajçit dhe së shpejti do të ngrihet edhe një qendër në Velipojë. Shtabet, në mbështetje të Prefekturës, Shtabi i Forcave të Armatosura dhe ai i Policisë së Shtetit kanë urdhra specifik për të ekzekutuar në mënyrë efikase, evakuimin e të gjithë banorëve.

n.e/NOA

KOMENTE