English

Një çift lezbik amerikan merr çmim nga Hilari Klinton, nxiti lëvizjen në Shqipëri

Tiranë, 3 Dhjetor 2010 NOA - Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT përshëndet dhënien e Çmimit të Vullnetarizmit nga Hillary Clinton për Mindy Michels dhe Melissa Schraibman, çifti lezbik amerikan që nxiti lëvizjen për të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri.

Gjatë një ceremonie në Washington DC, Sekretarja e Shtetit Amerikan, Hillary Clinton, në praninë e ambasadorit John Withers II dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, u ka dorëzuar Çmimin për Vullnetarizëm Jashtë Vendit Mindy Michels dhe Melissa Schraibman.

Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, Mindy dhe partnerja e saj Melissa, punonjëse e Ambasadës së ShBA në Shqipëri, ndihmuan, me vullnet dhe energji të pashtershme një grup të vogël aktivistësh shqiptarë për të krijuar një lëvizje LGBT me bazë komunitare në Shqipëri.

Çmimi vjetor i Sekretares së Shtetit për Vullnetarizëm Jashtë Vendit njeh dhe vlerëson aktivitetet vullnetare të punonjësve qeveritarë amerikanë, bashkëshortëve, anëtarëve të familjes mbi 18 vjeç, të cilët jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Çdo vit, jepen vetëm 6 çmime të tilla, një për secilin nga 6 rajonet e mbuluara nga Zyrat Rajonale të Departamentit të Shtetit. Sivjet, Mindy dhe Melissa ndajnë çmimin për Europën dhe Euro-Azinë. Nominimet vijnë nga të gjitha ambasadat e ShBA-vë në botë për punonjës, bashkëshortët e tyre, familjarë etj për aktivitetet e tyre vullnetare në një ose më shumë nga kategoritë e mëposhtme:

1. Shërbim i jashtëzakonshëm ndaj komunitetit amerikan jashtë vendit.

2. Veprimtari të jashtëzakonshme për vendin pritës.

3. Shërbim i jashtëzakonshëm gjatë emergjencave jashtë vendit.

Secili nga fituesit merr:

Një çmim prej $2,500

Një çertifikatë nga Sekretarja e Shtetit.

Gjatë ceremonisë së dhënies së Çmimit, Mindy Michels tha se “Asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur pa gjithë ata aktivist të rinj që po bëjnë ndryshimin në Shqipëri. Kur ata e shohin veten në pasqyrë sot, aty shohin reflektimin e të gjithë shqiptarëve që tashmë nuk e presin ndryshimin, por këmbëngulin për të.”

Aleanca Kundër Diskriminimit është e lumtur që Mindy-t dhe Melissa-s u njihen sot përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme për t’i dhënë shtysë lëvizjes për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit lezbik, gej, biseksual, dhe transgjinor në Shqipëri.

Aleanca kundër diskriminimit LGBT, një organizatë joqeveritare shqiptare aktive në mbrojtjen e të drejtave dhe përforcimit të komunitetit LGBT në Shqipëri, është produkt i këtyre përpjekjeve në një kohë kur nuk kishte asnjë organizim aktiv në këtë fushë të të drejtave të njeriut.

Mindy dhe Melissa kanë organizuar takime të përjavshme me anëtarët e Aleancës dhe kanë siguruar mbështetje, frymëzim dhe zhvillimin e aftësive të aktivistëve shqiptarë.

Ato i kanë dhënë shtysë të jashtëzakonshme organizimit dhe planifikimit strategjik të Aleancës ku është përcaktuar edhe misioni dhe vlerat e saj kryesore. Mindy dhe Melissa kanë trajnuar dhe këshilluar aktivistët për ngritjen dhe përforcimin e komunitetit, aktivizëm në terren edhe me burime të kufizuara, njohjen e problematikës LGBT në botë, historisë së lëvizjeve LGBT në botë, strategjitë mediatike, zhvillimin organizativ etj.

Aleanca ka arritur të krijojë një rrjet social dhe aktivist i cili ka ndryshuar jetën e personave që ka përfshirë. Puna e Aleancës vijon të rritet dhe tashmë organizohen grupe diskutimi, evente sociale të përjavshme, aksione në terren për ndërgjegjësim dhe edukim publik, lobim dhe advokaci në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.

r.b/NOA

KOMENTE