Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Nga WikiChina
English

Nga WikiChina

Nga Thomas L. Friedman

Përderisa fshehtësitë nga WikiLeaks po shfaqshin në gazetat e gjithë Amerikës, nuk munda t’i rezistoja pyetjes: Çka nëse Kina do të kishte një Wikileaker, e ne të mund të shihnim se çka po raportonte për Amerikën ambasada e tyre në Washington? Besoj se depeshat e tyre do të mund të shkruheshin diçka si kjo në vazhdim:

Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Washington,
Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Pekin.
Top Sekret/ Tema: Amerika e Sotme.

Gjërat këtu po zhvillohen mirë për Kinën.
Amerika mbetet një shtet thellësisht i polarizuar politikisht, një gjë kjo sigurisht e dobishme për synimin tonë, të pushtimit të ekonomisë dhe popullit më të fuqishëm botëror - SHBA. Madje, jemi veçanërisht optimistë për faktin se amerikanët janë të polarizuar për gjëra plotësisht të gabueshme.
Në ajrin e këtushëm ndjehet një dëshirë për vetëshkatërrim, aq sa të duket sikur Amerika ka gjithë kohën dhe paratë e botës për t’i investuar në një politikë mendjengushtë. Ata grinden – e ne nuk po e shpikim këtë - për gjëra si: kur dhe ku mund t’i prekë një oficer i sigurimit në aeroport. Ata po grinden – e ne jemi të lumtur të raportojmë – edhe rreth traktatit të fundit me Rusinë për pakësimin e armëve nukleare. Duket sikur republikanët janë aq të interesuar që ta dobësojnë presidentin Obama, saqë do ta fundosin traktatin i cili do ta promovonte një bashkëpunim më të afërm amerikano-rus për çështjet si Irani. Andaj, meqë çdo gjë që do të mund t’i afronte Rusinë dhe Amerikën do të mund të përfundonte me izolimin tonë, i jemi mirënjohës senatorit Jon Kyl, nga Arizona, për vënien e interesave tanë para atyre të Amerikës dhe për bllokimin e ratifikimit të traktatit nga Senati. Senatorin Kyl dhe gruan e tij, ambasadori i ftoi për darkë në restorantin e Mr. Kao’s, për të lavdëruar patundshmërinë e tij në mbrojtjen e interesave amerikanë (lexo: tanë).

Amerikanët sapo i mbajtën ato që ata i quajnë “zgjedhje”. Ajo që mund të themi është se në fakt bëhej fjalë për një kongresist që po mundohej të mblidhte më shumë para se të tjerët (dhe që të gjitha nga bizneset që supozohet se tashmë janë rimëkëmbur), në mënyrë që të mund të gënjente edhe më shumë dhe sa më shpesh në televizion për atë tjetrin, para se ky i fundit të gënjente për të. Kjo gjë na lehtësoi. Ngase, kjo nënkupton se Amerika s’do të bëjë asgjë serioze për t’i rregulluar problemet strukturore si: deficitin në rritje, rënien e performancës në arsim, shkatërrimin e infrastrukturës dhe për uljen e imigrimit të talenteve të reja.

Kohë më parë, ambasadori mori atë që amerikanët e quajnë ‘tren të shpejtë’ – Acela – nga Washingtoni për në New York. Treni ynë super i shpejtë, nga Pekini në Tianjin do të bënte 90 minuta rrugë. Atij iu deshën tri orë – megjithëse, treni arriti me kohë! Në rrugëtim e sipër ambasadori përdori celularin e tij për të kontaktuar me zyrën në ambasadë dhe brenda një ore lidhja iu ndërpre 12 herë – po e përsërisim, nuk po shpikim asgjë. Në ambasadë kemi një mahi: “Kur dikush të thërret nga Kina, të duket sikur e ke në fqinjësi. Por, kur dikush të thërret nga fqinjësia në Amerikë, të tingëllon sikur po të thërret nga Kina”. Tanët, që punojnë në Ambasadën e Kinës në Zambi, shpeshherë thonë se shërbimi celular në Afrikë është më i mirë se ai amerikan.
Mirëpo, ja që amerikanët janë të pavëmendshëm. Ata aq rrallë udhëtojnë jashtë vendit, saqë nuk e vërejnë sa prapa po mbesin. Prandaj, neve në ambasadë edhe na duket qesharake kur i shohim se si tani grinden rreth asaj sesa “të jashtëzakonshëm” janë. Po e ripërsërisim, nuk po shpikim asgjë. Në ballinën e gazetës ‘The Washington Post’, të hënën ishte një artikull në të cilin thuhej se republikanët, Sarah Palin dhe Mike Huckabee, e akuzojnë Obamën për mohim të “jashtëzakonshmërisë amerikane”. Amerikanët e kanë zëvendësuar jashtëzakonshmërinë e të punuarit me bisedat rreth asaj sesa të jashtëzakonshëm mbesin ende. Ata sikur nuk e kuptojnë se vetveten edhe mund ta deklarosh “të jashtëzakonshëm”, megjithëse janë të tjerët ata që mund të ta japin këtë mbiemër.

Sa i përket politikës së jashtme, ne nuk po shohim që Obama ka gjasa t’i tërheqë forcat amerikane nga Afganistani. Ai e di se po ta bënte këtë republikanët do ta quanin frikacak, kështu që Amerika do të vazhdojë të mirëmbajë atje hemorragjinë ditore 190 milionë dollarësh. Si pasojë, Amerika do të ketë mungesë të pajisjeve ushtarake që të na sfidojë kudo qoftë tjetër, e në veçanti jo në Korenë Veriore, ku miqtë tanë të çmendur vazhdojnë të shkulin zinxhirin amerikan për çdo gjashtë muaj, duke i shtyrë amerikanët të vijnë e të na lusin për qetësimin e gjendjes. Derisa amerikanët të mos tërhiqen nga Afganistani, afganët sigurisht që do t’i urrejnë aq shumë, saqë kompanitë kineze të minierave që tashmë operojnë atje do të kenë mundësi të blejnë pjesën e mbetur të mineraleve të rralla të Afganistanit.

Shumica e republikanëve të sapozgjedhur në Kongres nuk besojnë që shkencëtarët e tyre do t’iu tregojnë se ndryshimet klimatike janë shkaktuar nga njeriu. Politikanët amerikanë kryesisht janë avokatë – e jo inxhinierë apo shkencëtarë, si ne - prandaj, ata do ta vazhdojnë të thonë gjëra të çmendura për shkencën, pa i ndaluar kush. Kjo është mirë. Ngase, do të thotë se ata nuk do të mbështesin çfarëdo ligji për nxitjen e përhapjes së energjisë së pastër, që është çështja thelbësore e planit tonë pesëvjeçar. Së këndejmi, kjo garanton se përpjekjet tona për të dominuar në industrinë e automjeteve me energji nga era, dielli, apo me atë nukleare ose elektrike, nuk do të sfidohen nga Amerika.

Për fund, shifrat rekorde të nxënësve amerikanë të shkollave të mesme që aktualisht studiojnë në gjuhën kineze, na garantojnë një furnizim të qëndrueshëm prej këtu me fuqi të lirë punëtore që e flet gjuhën tonë, ndërkohë që ne i shfrytëzojmë rezervat tona 2.3 bilionë dollarësh për blerjen pa telashe të fabrikave amerikane.
Thënë shkurt, gjërat po zhvillohen mirë për Kinën në Amerikë.

Falënderojmë Zotin që amerikanët s’mund t’i lexojnë depeshat tona diplomatike.

Ambasada në Washington.

Maureen Dowd e ka ditë pushimi sot.

* “The New York Times”

KOMENTE