English

Presidenti: Kritike gjendja në Shkodër, apel për solidaritet e bashkëpunim

Shkodër, 4 dhjetor, NOA, Update/ I.Toptani – Pas kthimit nga samiti i OSBE-së, Presidenti i Republikës Bamir Topi i ka bërë thirrje forcave politike në vend që të bashkëpunojnë dhe të solidarizohen me banorët e përmbytur në Shkodër, por edhe në qytetet e tjera për përballimin e situatës së emergjencës.

Presidenti ka parë nga afër situatën e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës gjatë pesë ditëve të fundit, i shoqëruar edhe nga anëtarë të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile dhe zyrtarë e drejtues të tjerë të lartë të pushtetit qendror e vendor.

I informuar për sipërfaqet e tëra prej mijërash hektarë tokë që gjenden nën ujë, kryetari i shtetit, vëmendje të posaçme u ka kushtuar masave dhe strategjive për evakuimin e banorëve të përmbytur dhe ndihmës e asistencës mjekësore për të gjitha familjet në nevojë.

“Unë u bëj thirrje të gjithëve pa përjashtim në këto situata të jenë të gjithë bashkë, të mos hapin debate të panevojshme, pastaj debati ka vendin e vet dhe ky është moment që duhet kaluar! Unë kam bindjen që të gjitha institucionet janë në këmbë. Ne kemi kërkuar ndihmën edhe të shteteve partnere. Natyrisht që unë, bashkë me tjerët po merremi fort me këtë punë, duke u marr kryesisht me çështjen e transportit, i cili është bërë më i nevojshëm se kurrë dhe besoj që do të kemi ndihmën e tyre imediate”, deklaroi Presidenti.

Në një prononcim për mediat Kryetari i Shtetit theksoi se “është një situatë shumë e vështirë, ndoshta më e vështira. Kjo situatë është jo vetëm në Shkodër, por këtu është rënduar për shkak të specifikave që ka pellgu ujëmbledhës i Shkodrës. Sikurse e kanë thënë dhe specialistët ky mbledh ujërat e një sipërfaqeje që është gati sa tre të katërtat e Shqipërisë”.

Ai risolli në vëmendje se në një situatë përmbytjesh gjendet edhe Durrësi, Librazhdi, por edhe në zona të tjera të Shqipërisë.

Duke mos e ndarë këtë situatë emergjence edhe nga ato që po përjetojnë shtete të tjera jo vetëm në rajon e Ballkanit por edhe në Evropë, ku shumë vende gjenden nën darën e motit, kreu i shtetit vlerësoi se “Unë mendoj që ky moment sikurse çdo moment tjetër i vështirë kërkon maturi, kërkon bashkëpunim, pra, kërkon atë që e kemi thënë vazhdimisht dhe nuk është një term që përdoret në të tilla raste: kërkon solidaritet. Kërkohet shumë kujdes dhe duhet patjetër që njerëzit, të cilët janë në vështirësi të dëgjojnë ata që po merren me këtë punë dhe që po e koordinojnë këtë punë. Pra, problem prioritar është çështja e evakuimit dhe kjo duhet të bëhet me rregull dhe me shumë kujdes. Pastaj këto gjëra sigurisht që janë ndërmarrje shumë të mëdha, kanë nevojë për projekte, por momenti është akut. Në situata akute kërkohet që patjetër të dilet nga situata emergjente”, nënvizoi presidenti Topi.

Presidenti ndërkaq informoi se Shqipëria i ka kërkuar tashmë ndihmë vendeve aleate të NATO-s, të cilët sikundër tha ai, janë detyruar të ndihmojnë në situata të tilla të emergjencës civile, një ndihmë e cila u lajmërua se do të mbërrijë që këtë pasdite nga Turqia, pas telefonatës që presidenti Topi pati me atë turk, Abdulla Gyl.

Por, sa i përket mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e lajmëruar që dje për ditët në vijim, Presidenti i Republikës bëri me dije se “nuk është vendosur momenti se kur do të mblidhet, pasi sipas tij të gjithë janë në terren për monitorimin e situatës së përmbytjeve.

“Pra, mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka karakter jo vetëm për momentin, për dilemën e shumë gjërave, për projekte që nuk janë thjesht në funksion të kësaj emergjence, por projekte mjaft të rëndësishme që kanë të bëjnë me perspektivën. Sepse ju e dini që nuk është vetëm zona e Shkodrës, por në administrimin e pushteteve vendore, ka mjaft rezervuare dhe kuptohet që çështjet e motit nuk kanë të bëjnë thjesht me një zonë. Shkodra ka specifikën e vet”, tha presidenti Topi.

i.t/NOA

KOMENTE