English

Haxhinasto tregon mbi takimin me diplomatët e NATO dhe BE (VIDEO)

Tiranë, 5 Dhjetor 2010 NOA/ E.Tirana - Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto thirri sot në takim të në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s të akredituara në vendin tonë, për situatën emergjente të përmbytjeve në Shqipëri.

Haxhinasto, i falënderoi ambasadorët dhe vendet që ata përfaqësojnë për gatishmërinë e treguar dhe në vazhdim i informoi në lidhje me situatën e emergjencës civile të krijuar, ku si pasojë e përmbytjeve në Shqipëri, mijëra familje janë detyruar të evakuohen dhe dëmet material janë tepër të mëdha.

Situata aktuale ka mobilizuar të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore, lokale, ushtrinë dhe policinë si dhe struktura të tjera eksperte për ta përballuar sa më mirë këtë gjendje, tha z. Haxhinasto, në mënyrë që të sigurohet jeta e banorëve të zonave të përmbytura dhe të kthehet sa më parë normaliteti në këto rajone.

Në këtë kontekst, Ministri theksoi se aktualisht asistenca e vendeve të BE-së dhe të NATO-s bëhet tepër emergjente dhe jetike dhe u kërkoi ambasadorëve mbështetje dhe solidaritet në këto momente të vështira që po kalon Shqipëria.

Haxhinasto pohoi edhe se Ministria e Punëve të Jashtme është në ndjekje të vazhdueshme të situatës për të cilën do të informojë përfaqësuesit e vendeve të NATO-s në Shqipëri.

Më poshtë gjeni në video dhe të zbardhur, deklaratën e plotë të Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto pas takimit me Ambasadorët e BE-së dhe NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme dha një konferencë për shtyp pas takimit që zhvilloi me Ambasadorët e vendeve të BE-së dhe NATO-s të akredituar në Shqipëri.

Pas përfundimit të takimit me Ambasadorët, Ministri Haxhinasto tha se i ka falenderuar përfaqësuesit e vendeve të BE-së dhe NATO-s për kontributet e deritanishme për menaxhimin e kësaj situate të jashtëzakonshme pa precedent emergjence.

Ai ka falenderuar në mënyrë të veçantë Greqinë, Turqinë për ndihmën e helikopterëve, të cilët janë bërë operative që sot në mëngjes për të ndihmuar kryesisht personat e izoluar, Italinë për paketën e ndihmës që ka dërguar menjëherë, Austrinë, Kosovën dhe të gjithë vendet e tjera të cilët po asistojnë në menaxhimin konkret të situatës.

Ministri Haxhinasto i ka informuar Ambasadorët me shifrat e sotme të situatës përsa i takon tokës së përmbytur, dhe personave të evakuuar, të shtëpive të rrethuara nga uji apo shtëpive të përmbytura dhe ka paraqitur nevojat më emergjente për menaxhimin e kësaj situate.

Zoti Haxhinasto theksoi se ka një reagim pozitiv dhe shprehu besimin se që në orët e ardhshme do të jepen edhe kontributet përkatëse nga secili vend.

Pyetjes se cilat ishin kërkesat më emergjente të qeverisë shqiptare, Ministri Haxhinasto iu përgjigj duke thënë se kërkesat më emergjente për momentin janë varkat e vogla për shpërndarjen e ushqimeve dhe medikamenteve mjekësore, por gjithashtu dhe gjithçka tjetër që bën të mundur strehimin dhe kalimin normal të kësaj situate të vështirë që mund të jenë çadrat apo pajisjet e tjera.

Në lidhje me ndihmat dhe kontributet që priten, Ministri Haxhinasto tha se ato do të vijnë nga vendet anëtare të NATO-s, kryesisht në nivelin bilateral.

{youtube}gG5zkcRwg6M{/youtube}

KOMENTE