English

Të mbrosh nyjet jetësore

Duke u përpjekur të mbrohen nyjet jetësore është bërë një përpjekje e madhe për të furnizuar me ushqim dhe ujë popullatën. Ky ka qenë një aksion jashtëzakonisht i komplikuar dhe duhet të pranojmë se më i komplikuar së kudo ka qenë në qytetin e Shkodrës, ndoshta pothuaj gjysma e tij është Venecia sot,dhe furnizimi më bukë dhe ujë i këtyre familjeve realizohet vetëm me varka. Janë bërë dhe po behën përpjekje të mëdha për shtimin e numrit të tyre

Nga Sali Berisha

Kryeministër
Së pari ju përshëndes përzemërsisht, por dhe ju falënderoj për përkushtimin e plotë dhe total, që keni dëshmuar në këtë periudhë përmbytjesh të mëdha dhe keni bërë të pamundurën në Shkodër, në Lezhë, në Mat, në Krujë, në Durrës, në Tiranë, në Fier, në Vlorë, Elbasan, Berat, Korçë, Gjirokastër, Tropojë dhe kudo, në mënyrë që pasojat e këtyre vërshimeve të papara ndonjëherë në këto përmasa të trajtohen sa më shpejt dhe më mirë. Natyrisht epiqendër kryesore e këtyre përmbytjeve të mëdha ndoshta ndër më të mëdhatë, që janë shfaqur ndonjëherë është Shkodra, qyteti i Shkodrës, zona e nën-Shkodrës. Rrethinat në Shkodër janë të përmbytura jo katër mijë hektarë tokë, se këto i përkasin nën –Shkodrës, por dhe qyteti ku janë dhjetëra mijë, shtëpi, lokale etj.

Kjo përmbytje ka bërë të domosdoshëm shpërnguljen e mbi 12 mijë banorëve nga shtëpitë e tyre, por nga ana tjetër ka ngujuar në pallatet, apartamentet apo shtypit e tyre dhjetëra mijë të tjerë. Theksova këtë moment sepse operacionet kësaj radhe kanë qenë më komplekse se asnjëherë, që në fillim përqendrimi total ka qenë evakuimi i qytetarëve nga zonat e përmbytura. Operacion, i cili ka bërë të mundur deri më sot në këtë moment që po flasim, të mos kemi asnjë jetë të humbur dhe ne përcaktuam që në fillim përparësinë absolute, është ndërhyrë në dhjetëra dhe qindra raste, janë shpëtuar dhe evakuuar jetë njerëzish, janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të përmbajtur ujërat, aq sa ka qenë e mundur. Në mënyrë të veçantë një kërcënim madhor ka përbërë diga e Torovicës, është punuar dhe punohet ditë e natë, në mënyrë që të parandalohet një vërshim me pasoja katastrofave në këtë luginë të ngushtë, e cila do të përcillte ujin drejt derdhjes dhe më tutje. Me një vetëmohim të jashtëzakonshëm janë mbrojtur stacionet e pompimit, depot e ujësjellësve për qytetin e Shkodrës, por edhe për qytetin e Durrësit, të gjithë zonën që mbulon ujësjellësi i Fushë-Kuqes, pasi dhe aty filloi çarja e argjinaturës, dhe aty është bërë punë e jashtëzakonshme. Në këtë sektor është mbrojtur argjinatura nga çarja dhe përmbytja ndoshta në 7-8 mijë hektarë të tjerë, por më e rënda ishte se përmbytej ujësjellësi. Duke u përpjekur të mbrohen nyjet jetësore është bërë një përpjekje e madhe për të furnizuar me ushqim dhe ujë popullatën. Ky ka qenë një aksion jashtëzakonisht i komplikuar dhe duhet të pranojmë se më i komplikuar së kudo ka qenë në qytetin e Shkodrës, ndoshta pothuaj gjysma e tij është Venecia sot,dhe furnizimi më bukë dhe ujë i këtyre familjeve realizohet vetëm me varka. Janë bërë dhe po behën përpjekje të mëdha për shtimin e numrit të tyre.

Jam i bindur se edhe tani që flasim, ka familje në qytet,që nuk kanë marrë dot akoma ndoshta atë furnizim që presin dhe meritojnë, por në mënyrë absolutë edhe bërë gjithçka që të mos humbet qoftë edhe një minutë e vetme për të shpërndarë, ujë, bukë dhe ushqime për çdo qytetar, për çdo familje, kudo, është garantuar ndihmë shëndetësore, fatmirësisht deri më tani është përballuar çdo urgjencë kudo që ka lindur e çfarëdo natyre qoftë, është arritur transporti për në spital i tyre me helikopter apo me mjete të tjera. Situata është e vështirë, e vështirë, sepse kjo përmbytje është parësisht nga liqeni. Mbi dy javë më parë kryetari i Bashkisë së Shkodrës,do të më shprehte shqetësimin se po rritet liqeni dhe sipas specialistëve, po rritej nga burimet e tij të brendshme. Natyrisht kësaj rritje pastaj iu bashkëngjiten vërshimet e pa përmbajtura të lumenjve të Alpeve nga Valbona në Mal të Zi, vërshime të pa regjistruara ndonjëherë më parë, por fakti është fakt, sot përveç 14 mijë hektarë tokë të përmbytura në zonën e nën-Shkodrës dhe rrethinat, sot liqeni i Shkodrës vetë, pa këto ka përmasat e dyfishta. Në zonën e Malit të Zi të Vir Pazarit ka të mbytur fshatra kurrë të përmbytura më parë.

Jua sqarova këtë moment për të theksuar se nuk do të mund të ketë një evakuim afatshkurtër siç do të mund të donim. Në të gjithë këtë përmbytje Ballkanike ana më lehtësuese ka qenë situata e digave, të cilat fatmirësisht u mbajtën nën kontroll. Liqeni i Fierzës në fillim të tetorit ka qenë me 287 metër, por është ulur në mënyrën më të vendosur në 282 metër. Liqeni i Komanit, liqeni i Vaut të Dejës janë mbajtur në nivelet më minimale të efiçencës së tyre. Kështu që ka pasur një menaxhim megjithëse janë derdhur ujëra, pasi vetëm Valbona ka derdhur në liqenin e Komanit edhe 1800 metër kub në sekondë, jashtë çdo lloj imagjinate, pa llogaritur derdhjet e lumit Curraj dhe lumenjve të tjerë që bien në liqe. Përroi i thatë u shndërrua në një lum gjigand dhe të gjitha këto kanë bërë që liqeni të jetë i dyfishuar, në sasi uji dhe në sipërfaqe.

Dje dhe sot koha ka qenë në favor shkarkimet nga kaskada janë të rendit jo mbytës, po ti marrim në kushte normale dhe ka një rënie dhe rënia është në zonën e Berdicës në zonën që ka lidhje me shkarkimet e Kaskadës edhe në liqen ka rënie, por rënia në liqen është e papërfillshme, por liqeni është shumë lart.

Përmbytje të egra pati në Fushë-Krujë, z.Xhaferri dhe Prefekti kanë qenë non stop në shqyrtim të problematikës dhe përballimit të pasojave të këtyre përmbytjeve. Vërshime të egra pati në Mat ku në mënyrë konstante autoritetet vendore dhe deputeti Bedri Hoxha kanë bërë çdo gjë, për të ndihmuar ata që brenda gjysmë ore humbën shtëpitë e tyre. Situatë e rëndë u krijua në Durrës dhe akoma vazhdon në disa zona, përmbytje të thella në plazh, në kënetë, në Zhavzotaj, në Shijak, në komunën e Sukthit, qeveritarët vendorë, deputetët, ministrat kanë qenë në mënyrë konstante në ndjekje.

Parmbrëmë doli nga shtrati Vjosa, shtabi i emergjencës së Fierit dhe Vlorës, deputetët ishin atje dhe unë do ti përgëzoj deputetët e mazhorancës, por aty kishte edhe deputetë të opozitës, që bënë çdo gjë për të mbështetur dhe ndihmuar qytetarët.

Vërshime pati Osumi dhe kërcënoi me jetë në Çorovodë, në Berat, por dhe aty shtabi i emergjencës funksionoi. Vërshime ka pasur Elbasani,shkarje të mëdha dheu pati në komunën e Quksit, deputeti Çota, zyrtarët vendore, komuniteti bënë çdo gjë, banorët dhe familjet shtëpitë e të cilëve u zhduken nga shembja e dheut. Në Korçë janë rreth 1 mijë hektarë të përmbytura në Maliq.

Kjo është situata, unë dua tu informojë se shkalla e mobilizimit ka qenë e plotë dhe totale nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile, u shpall gjendje emergjente në tre qarqe, Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Falënderoj me shumë mirënjohje qytetarët e Shkodrës, nën-Shkodrës dhe rrethinave, të Lezhës, të Fushë-Kuqes, të Lezhës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Beratit, Librazhdit, Korçës, mbarë Shqipërisë për gjakftohtësinë dhe përkushtimin,që kanë dëshmuar në përballimin e këtyre situatave. Të falënderoj me shumë mirënjohje qeveritarët vendorë dhe qendrorë, anëtarët e Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit,të cilët janë 24 orë në krye të detyrës. Një mirënjohje të veçantë unë dua tu shpreh dhjetëra firmave private, të cilat me në krye drejtuesit e tyre kanë ndarë netë të tëra me qeveritarët vendorë dhe qendrorë, në zonat e rrezikut më të lartë. Me mjetet dhe ndihmën e tyre duke dhënë një ndihmë shumë, shumë të çmuar.

Të falënderoj të gjithë ata biznesmen dhe ata qytetarë, që kanë ofruar me bujari ndihmat, për zonat e përmbytura dhe ky solidaritet është jashtëzakonisht, i rëndësishëm dhe dua të deklaroj këtu se ndihem i prekur nga ky solidaritet dhe do të vendos një rrogë timen në fondin e këtyre qytetarëve, ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të kontribuojnë në mënyrat që kanë mundësi, për të lehtësuar gjithnjë e më shumë dhimbjen dhe tronditjen e madhe, që ka krijuar kjo përmbytje qytetarëve të këtyre zonave.

Dua me shumë mirënjohje të falënderoj qeveritë e vendeve mike Turqisë, Greqisë, Italisë, Kosovës dhe vendeve të tjera, të cilat i janë përgjigjur me shpejtësi thirrjes sonë. Sot një flotilje helikopterësh të ardhur nga vende mike anëtare të NATO-s, Turqia dhe Greqia, po operojnë 24 orë në operacionet e shpëtimit dhe furnizimi në zonat e përmbytura. Po kështu mbrojtja civile italiane ka sjellë ndihma të mëdha dhe të rëndësishme. Vende të tjera po shqyrtojnë dhe po bëjnë gati ndihma të tjera. Ne ju jemi shumë mirënjohës, sikundër unë dua të garantoj qytetarët se, qeveria në bashkëpunim me qeveritë vendore, në bashkëpunim me qytetarët, do të bëjë çdo gjë, për të zvogëluar në maksimumin e mundshëm pasojat e këtyre përmbytjeve të mëdha. I ftoj ata të bëjnë çdo gjë, për të parandaluar rrezikimin e jetës së njerëzve, jetës së tyre dhe familjeve të tyre. I ftoj ata të bashkëpunojnë siç po bashkëpunojnë ngushtë, me të gjitha forcat e Emergjencës Civile, për të zvogëluar për të përballuar pasojat e kësaj përmbytje.

Moti sot është i mirë, por ditët që vijnë të dhënat janë që mund të ketë sërish përkeqësime. Është në detyrën tonë të shfrytëzojmë çdo minutë të këtij moti për të konsoliduar suksesin e operacioneve tona në të gjithë zonat në Shkodër, nën-Shkodër, rrethinat dhe në të gjitha zonat e tjera. Dua ti garantoj qytetarët e Shkodrës, se qeveria krahas ndërhyrjeve imediate ka të gatshme projektet për të nisur ndërhyrjet afatgjata, të cilat padyshim janë ndoshta ndërhyrjet më të kushtueshme të të gjitha kohërave, por ato do të fillohen dhe do të ecet me vendosmëri drejt atyre ndërhyrjeve që bëjnë të mundur zvogëlimin në një shkallë të madhe të përmasave të përmbytjeve. Unë nuk mund të them kurrë se ata nuk do të ndodhin më, çfarëdo që ne të bëjmë, por ne do të bëjmë gjithçka që ato të kenë përmasa sa më të vogla të mundshme. Ky është një projekt i madh, ka lidhje me Bunën, me argjinaturat, me Skavicën dhe në ndërhyrje të tjera, por ne do të bëjmë gjithçka të ecim me shpejtësinë më të madhe të mundshme drejt realizimit të këtij kompleksi projektesh. Sikundër garantoj qytetarët e qarqeve të tjera se ndonëse, përqendrimi më i madh është aty ku fatkeqësia natyrore është e përmasave më të mëdha dhe gjigande, por vëmendja e kësaj qeverie është gjithashtu në çdo qoshe të këtij vendi dhe kudo që ka problematikë.

***

Vetëm pak ditë na ndajnë nga njëra prej ngjarjeve më të mëdha në historinë kombëtare të shqiptarëve dhe kjo ngjatje është themelimi i pluralizmit dhe i Partisë Demokratike. Kërkoj mirëkuptimin tuaj dhe të demokratëve në mbarë Shqipërinë, që këto festime do të shtyhen duke përparësuar para së gjithash angazhimin e plotë dhe total të gjithanshëm në zonat e situatës kritike dhe më pas, sigurisht që ne kemi të gjitha mundësitë për të kremtuar këto ditë me të gjithë dinjitetin që ato meritojnë.

Agjencitë janë të gjitha të orientuara të përkushtuara drejt ndihmës, ndoshta mendoj dhe e gjykoj me vend që edhe ju siç keni qenë gjatë gjithë këtyre ditëve, përparësi absolute të keni këto zona. Unë e kuptoj se në komisione ju presin ligje dhe ato janë shumë të rëndësishme,unë e kuptoj se veprimtaria e parlamentit është themelore, por nga ana tjetër ju jeni të pazëvendësueshme për zgjedhësit dhe qytetarët shqiptarë, prania e deputeti është e pazëvendësueshme, ndaj mendoj se edhe parlamenti mund ta shqyrtojë seancën parlamentare të kësaj jave, mbasi ka shumë nevojë të jemi në krye të një fronti jashtëzakonisht kritik dhe delikat. Në çdo rrethanë dhe për çdo gjë, vendoset por edhe me opozitën mund të shqyrtohet ky moment, sepse prania juaj është e domosdoshme pranë qytetarëve tanë, në këtë fatkeqësi natyrore, e cila e përkthyer është dhimbje, është vuajtje për çdo familje që i ka prekur, i është mbushur shtëpia me ujë, i ka rrënuar shtëpinë moti. Ndaj dhe të bëjmë çdo gjë këto ditë, që kemi kohën në favor për një mobilizim total të të gjitha resurseve burimeve tona për të lehtësuar këto familje.

*Fjala e mbajtur sot, në Mbledhjen e Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike

KOMENTE