Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Topi dhe gratë e persekutuara: 20 vjet pas diktaturës fëmijët të edukohen me dhimbjen e prindërve
English

Topi dhe gratë e persekutuara: 20 vjet pas diktaturës fëmijët të edukohen me dhimbjen e prindërve

Tiranë, 6 dhjetor, NOA – Kur Shqipëria mbush këtë vit 20 vjet nga ndryshimi i sistemit totalitar në një sistem pluripartiak, Presidenti i Republikës Bamir dhe Zonja e Parë kanë pritur sot në mjediset e Presidencës, një përfaqësi të grave të përndjekura e internuara gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

Përfaqësia e grave ish-të persekutuara gjatë periudhës së diktaturës komuniste falenderuan Kreun e shtetit dhe Zonjën e Parë për pritjen e përzemërt dhe shprehën mirënjohjen për mbështetjen dhe vëmendjen e shtetit dhe të vetë Presidentit Topi për rehabilitimin e plotë të tyre në jetën shoqërore, për përpjekjet e vazhdueshme për nxjerrjen në dritë të të vërtetave të hidhura gjatë regjimit diktatorial, si dhe për vlerësimin e përkujtimin e veprës heroike të mjaft të dënuarve e të ekzekutuarve të këtij sistemi.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Adem Allçi, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Shoqate, Besim Ndregjoni, Kryetari i Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, Adrian Kati, ish-të persekutuar të tjerë, si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.

Gjatë fjalës së tij Presidenti Topi, theksoi se “është kënaqësi e veçantë që takohemi së bashku në vigjilje të një përvjetori shumë të rëndësishëm, sikurse është përvjetori i vitit ’90-të, që padyshim lidhet si një moment i rëndësishëm i ndryshimit të epokave, ku familjet që ju përfaqësoni janë ato që kanë qenë në bazament të aksionit civil, të aksionit qytetar, të aksionit politik, edhe atëherë kur ishte herezi të shpreheshe”.

Në vlerësimin e tij kryetari i shtetit tha se “kanë qenë baballarët tuaj, kanë qenë bashkëshortët, kanë qenë vëllezërit ata, që luftuan edhe në ato kohë shumë të vështira për demokraci, luftuan për lirinë e fjalës. Shumë prej tyre këto i kanë bërë jo në mënyrë të fshehur, i kanë bërë drejtpërdrejt, i kanë bërë nëpërmjet një veprimi shumë kurajoz, intelektual, një pjesë e tyre kanë qenë dhe mbeten në altarin e kombit si elita intelektuale e kombit. Vepra e tyre nuk është thjesht ajo që përcillet gojë mbas goje, por është vepra intelektuale që ata e kanë lënë me dorën e tyre”, rikujtoi presidenti.

Presidenti risolli në vëmendje se shumë nga të persekutuarit e diktaturës kanë qenë njerëz të letrave, njerëz të mendimit, njerëz të veprimit, por patjetër ata e kanë ndërtuar të gjithë veprimtarinë e tyre mbi një bazament.

Në këtë kontekst, tha Presidenti, ka qenë bazamenti i trashëgimisë familjare, ka qenë ajo mbështetje familjare e jashtëzakonshme, që ata e kanë pasur për të ngritur mendimin e tyre, veprimin e tyre qytetar.

“Vërtet kemi vuajtur, por shyqyr që fëmijët kanë mundësi ta jetojnë”, tha Presidenti, sipas tij, duke u edukuar për atë që kanë kaluar prindërit, kanë kaluar familjet, ka kaluar shoqëria, pasi sikundër tha ai, në të kundërt e ardhmja e tyre do të jetë shumë sipërfaqësore.

Në emër të grave, nënave, motrave e bashkëshorteve të burgosura dhe të internuara gjatë periudhës së komunizmit foli Vilheme Vranari, e cila u shpreh se “Më mirë se ne, askush nuk e provoi dhunën e diktaturës, atë dhunë që u shpreh në luftën më të egër të klasave, që nuk mund të krahasohet me asnjë vend të botës”.

Ndërsa, Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Adem Allçi, në përshëndetjen e tij tha se “Ne, vërtet kemi një ‘Nënë Terezë’ që e njeh gjithë bota, por për mua, edhe të gjitha këto zonja që janë këtu janë ‘Nënë Tereza’, sepse kanë dhënë një kontribut të veçantë”.

mit/NOA
KOMENTE