English

Meta: Problemet janë serioze, por çdo gjë është nën kontroll

Shkodër, 7 dhjetor, NOA – Ministri i Energjetikës, Ilir Meta, deklaroi së fumdni lidhur me situatën e përmbytjeve në veri të vendit, se ka ende disa zona problematike, sikurse është komuna e Dajçit, Bërdica, komuna e Trushit, por dhe një pjesë e mirë e komunës së Bushatit, sikurse edhe një pjesë e komunës së Velipojës.

Përmbytjet, raportim minutë pas minute

“Gjithashtu janë regjistruar probleme të tjera edhe në dy fshatra të komunës së Ana Malit, në disa pjesë të rrethinave dhe një pjesë e rëndësishme e qytetit të Shkodrës e cila është ende e përmbytur”, tha ai në një prononcim për mediat.

Duke shtuar se problemi kryesor është mungesa e një komunikimi të lirshëm, në raport me problemet shëndetësorë, asistenca shëndetësore është kudo.

“Ndërsa lidhur me furnizimin me ushqime, me bukë apo me ujë, kjo që tashmë funksionon në mënyrën më optimale të mundshme, edhe brenda qytetit, në sajë të masave të marra nga Bashkia, forcat e policisë dhe strukturat e tjera, por edhe përsa i takon komunave të tjera në të cilët banorët vazhdojnë të jetojnë aty dhe janë të izoluar”, shtoi më pas ai.

Duke vënë në dukje faktin se në dispozicion të të gjithë banorëve janë vendosur nga prefektura 8 numra telefoni, ku banorët mund të telefonojnë për arsye nga më të mundshmet dhe mund të marrin përgjigje dhe asistencën e duhur.

“Problemet janë serioze, por çdo gjë është nën kontrollin e forcave të rendit. Dhe të gjitha zonat nën kontrollin e forcave të ushtrisë. Dhe kuptohet që ky operacion humanitar i cili është i përmasave më të mëdha deri tani, nuk mund të jetë perfekt por është totalisht optimal dhe me përgjegjësi maksimale dhe po vjen duke u përmirësuar çdo ditë”, përfundoi Meta.

n.e/NOA

KOMENTE