English

Berisha: Përulje para studentëve të dhjetorit, që vitit ’90 i dhanë vlerë si Pavarësia

Tiranë, 8 dhjetor, NOA/ Irma Toptani – 20 vjet pas natës së 8 dhjetorit të vitit 1990, vitit në kapërcyell të sistemit më të egër totalitar e izolues në Evropë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se qindra studentëve që nisën revoltën ndaj sistemit në atë natë të ftohtë dhjetori iu detyrohemi përulje e mirënjohje. Duke përkujtuar 20 vjetorin e Lëvizjes Studentore që solli rrëzimin e pushtetit diktatorial dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, kryeministri Berisha, asohere shef i kardiokirurgjisë në spitalin e kryeqytetit, iu drejtua studentëve të dhjetorit me një mesazh falenderimi e kujtese për kontributin e tyre të paçmuar në vendosjen e demokracisë shqiptare.

Duke e cilësuar ditë të dinjitetit shqiptar 8 dhjetorin, shefi i qeverisë, theksoi se “Sot është rasti të përulemi me nderimin më të madh, mirënjohjen më të thellë përpara veprës së qindra studentëve, që në natën e 8 dhjetorit në vitin 1990, u përballën në rrugët e kryeqytetit me diktaturën më të egër që mbante vendin nën terrorin më të egër shtetëror, në vendin më të izoluar të planetit, pikërisht për rrëzimin e tij dhe lirinë”.

“Sot pas 20 vitesh vepra juaj e bëri 1990-ën vitin më të rëndësishëm të historisë kombëtare pas atij të Pavarësisë”, vlerësoi kryeministri.

Kryeministri risolli në vëmendje heroin e demokracisë sikundër e ka cilësuar vetë ai, Azem Hajdarin, i cili kryesoi lëvizjen studentore.

“Ata do të ngriheshin nën udhëheqjen e tribunit legjendar, Azem Hajdarit në kërkim të lirisë dhe shpresës. Dua të theksoj se kurrë ndonjëherë në historinë e këtij kombi një grup i vogël i disa qindra studentëve, nuk ishin shfaqur ndonjëherë si atë natë të ftohtë dhjetori, ku ata i qëndruan paralel rregjimit diktatorial si qenie misionare, që dëshironin të sillnin lirinë e munguar”, nënvizoi shefi i ekzekutivit.

Duke vijuar vlerësimet e tij, përballë ish studentëve të dhjetorit ’90, kryeministri Berisha theksoi se ata pushtuan shpirtrat e të gjithëve duke u shndërruar në shpirtin e enutziasmit dhe shpresës për liri.

Në këtë këndvështrim, Berisha shtoi se të gjithë ata që erdhën në jetë në një vend të lirë pas viteve ’90 i detyrohen atyre studentëve historikë, demokracinë dhe fatin e bardhë të qenies dhe rritjes në një vend të lirë e demokratik.

“Kombi shqiptar iu detyrohet juve dhe prijësit tuaj Azem Hajdari, hyrjen në NATO dhe liberalizimin e vizave”, tha kryeministri.

Ndërsa në fund, ish-kardiokirurgu i njohur, i zgjedhur për të drejtuar Partinë Demokratike në krye të disa nismëtarëve të tjera në 12 dhjetor të 1990-ës, u shpreh se “Unë ju detyrohem ju lirinë e dinjitetin e munguar dhe fatin e madh, që u njoha e u takova me ju, e që bashkë me ju e qindra mijëra të rinj shqiptarë arritëm të shndërronim në realitet ëndrrat tuaja evropiane”, deklaroi kryeministri, duke e mbyllur mesazhin e tij në kujtim të 20 vjetorit të lëvizjes studentore shqiptare me bekimin e përhershëm: Zoti i bekoftë shqiptarët!

mit/NOA
KOMENTE