English

Pse përjashtohet diaspora shqiptare?

Jemi në prag të zgjedhjeve, por shqiptarët mërgimtarë, përkundër kontributit të madh të dhënë për familjet dhe vendlindjen, nga diaspora gjithandej Evropës dhe botës, mbeten të zhgënjyer nga trajtimi që u bëhet në zhvillimet politike në vend. Mërgimtarët nuk janë të mpirë nga kompleksi i inferioritetit, siç mund të mendonte dikush, por aq më keq ata pa fajin e tyre, ndjehen të izoluar si në hetuesi sepse dhe pas afro dymbëdhjetë vitesh në liri, nuk gëzojnë apo atyre u pamundësohet edhe e drejta e votës së lirë!


Nga Gani Qarri*


Jemi në prag të zgjedhjeve, por shqiptarët mërgimtarë, përkundër kontributit të madh të dhënë për familjet dhe vendlindjen, nga diaspora gjithandej Evropës dhe botës, mbeten të zhgënjyer nga trajtimi që u bëhet në zhvillimet politike në vend. Mërgimtarët nuk janë të mpirë nga kompleksi i inferioritetit, siç mund të mendonte dikush, por aq më keq ata pa fajin e tyre, ndjehen të izoluar si në hetuesi sepse dhe pas afro dymbëdhjetë vitesh në liri, nuk gëzojnë apo atyre u pamundësohet edhe e drejta e votës së lirë!

Si shkak i veprimtarisë së tyre kombëtare, të përndjekur nga pushtuesi, ata u detyruan të largohen nga atdheu dhe të vendosen jashtë vendit përgjithmonë.

Dhe në pamundësi për të votuar, ata edhe këto zgjedhje do t’i përcjellin, të indinjuar dhe në heshtje, si “vëzhgues” kureshtarë nga largësia, të përjashtuar e përbuzur nga pushteti edhe pse të dashur për familjet dhe popullin shqiptar, të cilit krahas veprimtarisë së tyre të bujshme kombëtare, i ndihmuan edhe financiarisht aq sa mundën, në të gjitha kohët.

Mërgimtarët edhe pse ndiqeshin, burgoseshin, madje atyre u ishte ndaluar edhe kthimi në vendlindje, përkundër kërcënimeve të shumta dhe përndjekjeve të pa reshtura,ata kurrë nuk ndejtën duarkryq por u aktivizuan dhe vepruan gjithandej diasporës për lirinë e vendit duke themeluar shumë shoqëri patriotike klube dhe organizata të ndryshme,për ta luftuar okupimin,ruajtur dhe forcuar ndjenjat atdhetare e deri te krijimi i sistemit shkollor për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe historisë kombëtare, gjithandej vendeve të huaja, ku jetonin shqiptarët.

Edhe pas shpalljes së pavarësisë, njëjtë si edhe më parë, përveç ngarkimit me pagesa të llojllojshme, mërgimtarët njejtë si edhe më parë, edhe kësaj radhe, mbetën të përjashtuar nga zhvillimet e jetës në Vendlindje, ata jo vetëm se janë mbytur nga kompleksi i inferioritetit të pushtetarëve, por në realitet pushtetarët e sotëm ikin nga përgjegjësia që kanë ndaj mërgimtarëve, duke luftuar për funksione dhe pushtet për vete, në emër të meritave, jo çdo herë reale.

Si përfaqësues të kombit të cilit i takonin, mërgimtarët në mënyrë të vendosur, gjatë tërë kohës nën okupim, protestuan dhe u angazhuan me tërë forcën dhe dijen e tyre në mbrojtjen e trojeve të pushtuara, duke kundërshtuar vendimet e padrejta ndaj popullit shqiptar, lobuan për vendin e tyre nëpër zyrat e shteteve të huaja në Evropë dhe botë, organizuan demonstrata e protesta të pareshtura kundër pushtimit të vendit duke u dalluar edhe me pjesëmarrje në kryengritjen çlirimtare, e cila çoi vendin në promovimin e lindjes së shtetit të ri të Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së saj.

Ndaj në vend që ata në ditët tona të shërbejnë si model për shkrimin e historisë më të re të shtetit tonë të pavarur, mjerisht diaspora edhe në rrethanat më të reja të krijuara pas çlirimit të vendit,është përjashtuar pothuajse tërësisht dhe anashkaluar pa të drejtë, për të satën herë që nga paslufta nga zhvillimet e jetës në vend përfshirë edhe përjashtimin komplet, bashkë me familjet e shumta që përbëjnë numër të madh votuesish shqiptar, nga e drejta e tyre e ligjshme për pjesëmarrje në zgjedhje.

Përkushtimi i mërgimtarëve në diasporë, ndaj çështjes kombëtare dhe pavarësisë së vendit, në Evropë dhe botë, ishte vazhdim i rrugës së pakthyeshme të veprimtarisë politike në favor të pavarësisë së Kosovës, e cila shikuar nga perspektiva e sotshme, duket si zgjidhje normale e drejtë dhe logjike,por atëbotë ajo nuk ishte vetëm e rrezikshme por ishte edhe veprimtari shumë e guximshme atdhetare,e cila vetëm nga frymëzimi i lartë patriotik me karakter të fortë kombëtar mori rrugën e veprimit të drejtë dhe shumë aktivë në momentet më të vështira dhe vendimtare për të mirën e kombit shqiptar.

Arritje e madhe e diasporës, ishte edhe zgjedhja e njëzëshme e përkatësisë perëndimore në veprimet e tyre patriotike,për të cilat vendi kishte nevojë shumë, arritje që nuk e ka vetëm vlerën morale të momentit, por edhe meritën e madhe dhe jetike, për përkrahjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e Evropës dhe botës, edhe pse ajo u arritë me vështirësi të shumta,Pavarësia ishte dhe mbetet kulmi i kurorëzimit të shpresave të kombit shqiptar për të cilën kanë luftuar shumë breza atdhetarësh.

Megjithëse ne jemi të vetëdijshëm se ende nuk ësht arritur liria e plotë kombëtare dhe vuajtjet e pjesëve të copëtuara të kombit, nuk kanë përfunduar tërsisht, ne edhe ato i përjetojmë me dhembje, sikurse që i kujtojmë me pietet për të arriturat e deritanishme, ata që kanë rën, janë munduar dhe kanë vuajtur për këtë ditë e cila na solli lirinë e pjesshme kombëtare dhe lindjen e Shtetit të Kosovës,p ër të cilën janë flijuar njerëz edhe nga diaspora,por se edhe në liri do shkoj kaq gjatë me lënjen pas dore deri në përjashtim të diasporës nga zhvillimi i jetës në vend, nuk e ka besuar kush nga mërgata shqiptare.

Vendi ynë sot është shndërruar në ndërtesë të “paprekshme” të improvizuar vetëm për nevoja të brendshme pushtetarësh, ku diaspora nuk ka të drejtë pjesëmarrje.

Kjo gjendje e paprecedent në fillim të shekullit XXI, i vë shqiptarët në një udhëkryq të çuditshëm i cili të gjithë neve na e kujton kohën e hidhur të përjashtimeve, si në të kaluarën.

Tërheqja zvarrë e të drejtës së votës për diasporën ndoshta është e lidhur edhe me egon tonë të ngushtë dhe formimin në zhvillim, shpirtëror e intelektual të shqiptarëve ,e cila ka për pasojë edhe ecjen e vonuar të kombit shqiptar drejtë Evropës së bashkuar.

Ndaj paraqitja me një imazh të tillë karshi qytetërimeve të botës, nuk i bën nder vendit tonë edhe për arsyen e thjeshtë se demokracia e brisht në vend, duhet të mësohet të respektoj vullnetin e qytetarëve, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë për diasporën shqiptare.

Megjithatë, mospjesmarrja e diasporës në votime sikur nuk ësht breng e askujt,ajo vetëm tek tuk përmendet në mënyrë sipërfaqsore dhe sporadike në fushatën elektorale të këtyre ditve nga ndonjë parti politike, por shqiptarët e mërgatës duhet të kuptohen drejtë nga të gjithë sepse ata nuk e kanë vetëm hallin e votës.

Preokupimi i tyre kryesor,mbi të gjitha, ësht mundësia e përjashtimit të diasporës edhe nga regjistrimi i popullsisë i cili për banorët e Kosovës, do të fillojë në pranverën e vitit të ardhshëm.

Ndaj me të drejtë shtrohet pyetja, nëse “refugjatët serbë” do të regjistrohen, siç thuhet kudo që ata ndodhen, e me kët edhe serbët nga Kroacia e Bosnja, të ”kosovarizuar” nga Millosheviçi, a mund ta kapërdijnë një e treta popullsisë shqiptare të vendit,aq sa ka mërgimtar Kosova në diasporë edhe kët përjashtim, nëse edhe ai më në fund ndodhë?!


*Shkrim i dërguar prej autorit nga Zyrihu i Zvicrës

KOMENTE