English

Zogaj: Opozita do të bëjë më shumë për liderët e Lëvizjes së Dhjetorit ‘90

Tiranë, 8 dhjetor, NOA – Në 20-vjetorin e Lëvizjes së Dhjetorit Opozita e Bashkuar vlerëson rolin që luajtën studentët në rrëzimin e komunizmit.

Në emër të opozitës, Prec Zogaj deklaroi sot se me ardhjen në pushtet do të bëhet më shumë për evidentimin e protagonistëve të vërtetë të kësaj lëvizje.

“Duke evokuar sot këtë ditë të shënuar, Opozita e Bashkuar dëshiron të nënvizojë se e konsideron lëvizjen e dhjetorit vlerë kombëtare. Opozita e Bashkuar e mbron dhe do ta mbrojë këtë vlerë. Ajo do të bëjë më shumë nesër në pushtet për një njohje me të gjerë të kësaj Lëvizjeje, për nderimin dhe përjetësimin e protagonistëve të saj”, tha Zogaj në një konferencë për mediat.

Ai u shpreh se 8 dhjetori i vitit 1990 është një ditë e madhe e historisë sonë. “Protesta e parë e bërthamës studentore, që u nis atë mbrëmje nga qyteti “Studenti” drejt bulevardit “Dëshmorët e kombit” me thirrjet Liri- Demokraci, është një ngjarje nga më madhoret dhe më të bukurat në rendin e veprave dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri,drejtësi, dinjitet dhe demokraci”, tha Zogaj.

Zogaj u shpreh se Opozita e Bashkuar dhe gjithë shqiptarët kujtojnë sot me respekt dhe nderim të madh atë grup vajzash dhe djemsh që u nisen nëpër terr për të ndryshuar historinë e vendit të tyre.

“Ne përkulemi para kujtimit të pavdekshëm të liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari”, tha Zogaj.

Në deklaratën e tij, Zogaj thekson se në të ardhmen duhet që demokracia në vend të jetë edhe funksionale.

“Opozita e Bashkuar gjen rastin të zotohet dhe të premtojë sot një demokraci funksionale që mbështetet në një pluralizëm të vërtetë, si ai që kërkuan studentët e dhjetorit 1990 dhe jo në pluralizmin e kërkuar e të simuluar që ka prodhuar gjithë këto vite luftë të keqe dhe paqe te keqe politike, që mbështetet në zgjedhjet e lira e të ndershme si themel i demokracisë”, tha Zogaj.

a.k/NOA

KOMENTE