Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Disidenti kinez mori Çmimin Nobel prezantuar nga një karrige bosh
English

Disidenti kinez mori Çmimin Nobel prezantuar nga një karrige bosh

Çmimi Nobel për Paqe edhe zyrtarisht iu dha sot disidentit të burgosur kinez, Liu Xiaobo, në një ceremoni të zhvilluar në Oslo.

Xiaobo është dënuar me 11 vjet burg për veprimtari kundër regjimit, pas thirrjeve të tij për reforma politike.

Në ceremoni ai ishte prezantuar nga një karrige bosh dhe një fotografi.

Kina ka dënuar dhënien e çmimit Nobel për Paqe Xiaobos dhe ka vendosur në arrest shtëpiak gruan e tij, për ta penguar që të merrte pjesë në ceremoninë e sotme.

Komiteti i Nobelit tha se dhënia e çmimit Liut është bërë bazuar mbi “vlerat universale”. Kreu i këtij komiteti, Torbjorn Jagland, gjatë ceremonisë deklaroi:

“Na vjen keq që fituesi i çmimit nuk është i pranishëm. Ai është në izolim në veriperëndim të Kinës. As bashkëshortja e tij, as ndonjë nga të afërmit nuk mundën të jenë me ne".

"Asnjë medalje apo diplomë nuk do të paraqitet sot këtu. Vetëm ky fakt tregon se çmimi ishte i nevojshëm dhe i merituar. Ne e urojmë Liu Xiaobon për çmimin e këtij viti“, tha Jagland.

Presidenti Obama, fituesi i çmimit vitin e kaluar, tha se është për të ardhur keq që Liu nuk ishte në ceremoni dhe i bëri thirrje Kinës për lirimin e menjëhershëm të tij.

Kina dhe 18 vende të tjera, në mesin e të cilave dhe Serbia, nuk kanë pranuar të marrin pjesë në ceremoninë e sotme në Oslo. Në momentin e fundit, Serbia dhe Ukraina vendosën t'i dërgojnë përfaqësuesit e tyre në ceremoni.

Kjo është hera e dytë në historinë e Çmimit Nobel për Paqe, ku karrigia e fituesit lihet bosh në mënyrë simbolike, pasi as fituesi e as ndonjë përfaqësues i tij nuk kanë mundur të jenë në ceremoni.

Hera e parë ka ndodhur në vitin 1935, kur Gjermania naziste nuk lejoi Karl von Osietckin të jetë i pranishëm.

Fitues të mëhershëm të këtij çmimi, që nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në të shkuarën, janë birmanezja Aung San Su Çi, polaku Les Valesa dhe Andrei Saharov në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Mungesa e Liut apo e të dërguarve të tij lë të hapur pyetjen se si do t’i dorëzohet medalja e artë dhe çmimi prej 1.5 milion dollarësh.

Si pasojë e censurës së lartë në Kinë do të jetë e vështirë për kinezët që të informohen si e sa duhet për ceremoninë e sotme të ndarjes së Çmimit Nobel. /rfe/

Foto: Oslo - Vendi ku do të duhej të ishte ulur Liu Xiaobo për ta marrë çmimin...

KOMENTE