English

Përfundoi Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe ai Themelor i Oficerit të Shtabit

Tiranë, 10 dhjetor 2010 NOA - Në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu” u zhvillua ceremonia e diplomimit të 17 oficerëve dhe personel civilë, të cilët përfunduan Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe i 41 oficerëve që përfunduan Kursin Themelor të Oficerit të Shtabit.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral brigade Sandër Lleshi, komandanti i Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Agim Lala, ambasadorë dhe atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Ministri Imami, duke përshëndetur të sapodiplomuarit, theksoi se është kënaqësi e veçantë që marr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme të përfundimit të Kursit të Lartë të Studimeve për Sigurinë dhe Mbrojtjen-2010 dhe të Kursit Themelor të Oficerit të Shtabit. Para së gjithash dëshiroj të shpreh falenderimet e mia për personalitetet dhe miqtë që marrin pjesë në këtë ceremoni përmbyllëse të këtyre kurseve, që pavarësisht nga axhenda juaj e ngarkuar, prezenca juaj sot këtu jo vetëm i bën nder kësaj ngjarjeje, por gjithashtu tregon vlerësimin tuaj për rëndësinë e nismës së organizimit dhe zhvillimit të këtij kursi për çështjet e mbrojtjes e sigurisë dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni ynë, por edhe më gjerë.

“Dua të uroj të gjithë kursantët, ushtarakë dhe civilë në MM, kuadro të institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar, si dhe në veçanti pjesëmarrësit nga shtetet mike dhe aleate si Italia, Turqia, Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova, - u shpreh ministri Imami dhe me tej vijoi: - Është e qartë se rezultati i Kursit të Lartë të Studimeve për Sigurinë dhe Mbrojtjen-2010, nuk mund të arrihej pa përpjekjet dhe angazhimin tuaj të gjithanshëm. Jam në dijeni se ju e keni vlerësuar seriozisht atë, keni shfrytëzuar çdo mundësi për të përfituar sa më shumë nga program i tij me qëllimin për të rritur aftësitë tuaja, të cilat do t’i përdoni në detyrat tuaja të ardhshme. Gjithashtu, ky kurs, do t’ju shërbejë jo vetëm për të lehtësuar marrëdhëniet tuaja sociale. Asnjë kurs ose kualifikim nuk mund të japë përgjigje për gjithçka, por unë shpresoj se ky kurs do t’ju motivojë të kryeni studime dhe eksplorime të mëtejshme mbi çështjet që keni trajtuar gjatë këtyre tre muajve në mënyrë që secili prej jush të përmirësojë më tej cilësitë dhe njohuritë e nevojshme profesionale në të mirë të procesit integrues të vendeve respektive dhe të të gjithë rajonit”.

Ministri i Mbrojtjes Imami shprehu bindjen se mbas këtij kursi, secili prej pjesëmarrësve është bërë më i vetëdijshëm për rëndësinë e sigurisë në përgjithësi dhe për atë të sigurisë bashkëpunuese në veçanti, si dhe për veprimet konkrete që, si drejtues të lartë civilë dhe ushtarakë mund dhe duhet të ndërmerrni.

Imami vlerësoi edhe përfundimin e Kursit Themelor të Oficerit të Shtabit, që përbën hapin e parë të kualifikimit dhe përgatitjes së oficerit në Akademinë e Mbrojtjes. “Natyrisht, - nënvizoi ai, - pjesëmarrësit në këtë kurs kanë një rrugë të gjatë për të bërë, duke kombinuar praktikën me arsimimin në kurset pasardhëse, si ai Oficerit të Shtabit të Përgjithshëm, Kursi i Lartë i Oficerit dhe Kursi i Lartë i Studimeve për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Dua të theksoj se kursi themelor ka vendin dhe rëndësinë e tij në sistemin e edukimit ushtarak”.

Duke folur për rolin dhe misionin që kanë oficerët e rinj, z. Imami u shpreh se, në kushtet e sotme është e nevojshme të kemi oficerë të rinj, të aftë që të kuptojnë jo vetëm aspektet teknike, proceduriale ushtarake, por të kuptojnë se veprimet e nivelit taktik, deri edhe individual kanë rëndësinë dhe efektet e tyre në lidhje me strategjinë. Nga kjo pikëpamje, besoj se kursi themelor u ka dhënë oficerëve pjesëmarrës njohuri dhe përvoja të vlefshme të cilat do t’i ndihmojnë ata në kryerjen me efikasitet të detyrave në formacionet e ushtrisë.

Në fund të fjalës së tij ministri Imami falënderoi Qendrën Italiane të Studimeve të Larta të Mbrojtjes dhe Admiral Trevizanin për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme gjatë gjithë përgatitjes dhe zhvillimit të kursit. Të njëjtat falenderime ai përcolli edhe për Qendrën Marshall, për kontributin cilësor të dhënë nga profesorët e saj. Gjithashtu ai falenderoi edhe ambasadorët e Italisë, Gjermanisë, Francës, Anglisë, Hollandës, Turqisë, Malit të Zi, Austrisë, Greqisë dhe Kroacisë për kontributin e tyre aktiv në këtë veprimtari. Ndërsa një falënderim të veçantë bëri për Akademinë e Mbrojtjes dhe stafin e saj, për përpjekjet dhe dedikimin në realizimin me sukses të të dy kurseve.

Të pranishmit u përshëndetën edhe nga zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral brigade Sandër Lleshi, si dhe nga përfaqësuesi i Qendrës së Studimeve të Larta për Mbrojtjen në Itali, gjeneral brigade Bosoti.

***

Ky është Kursi i tretë i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen që ka realizuar kjo akademi. Kursi i parë u hap në vitin 2007, kursi i dytë në vitin 2008, ndërsa kursi që sapo përfundoi ka filluar më 13 shtator 2010 dhe zgjati 13 javë. Kursin e ndoqën 17 ushtarakë dhe personel civilë, të cilët janë ushtarakë me grada të larta të FA Shqiptare, personel nga Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, ushtarakë të lartë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, si dhe ushtarakë të lartë nga FA të Republikës së Turqisë, Serbisë, Italisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Qëllimi i Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes është përgatitja e drejtuesve ushtarakë dhe civilë të pajisur me mirëkuptimin dhe vendosmërinë e nevojshme për t'u ballafaquar dhe për t'u dhënë zgjidhje ndryshimeve dinamike që do të kërkohen në strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë, kombëtare dhe ndërkombëtare, për të dhënë kontributin e tyre në përballimin e sfidave të ardhshme të sigurisë.

Edhe këtë radhë Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes u zhvillua me mbështetjen e institucioneve prestigjioze dhe me vlera ndërkombëtare në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Kjo mbështetje nuk ishte vetëm financiare, por edhe në përgatitjen e programit, sigurimin e literaturës dhe të lektorëve. Rol parësor ka pasur Qendra “Xhorxh Marshall” në Gjermani, Qendra e Studimeve të Larta për Mbrojtjen në Itali, Universiteti i Kolorados i SHBA, por edhe institucionet ndërkombëtare të vendosura në Tiranë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e rajonit, si Turqia dhe Maqedonia. Në funksion të realizimit të misionit dhe programit, përveç marrjes në konsideratë të këshillave dhe sugjerimeve të institucioneve dhe lektorëve pjesëmarrës në kurse, si dhe përvojës së fituar nga stafi i Kolegjit të Mbrojtjes janë ristudiuar programet edhe të disa kolegjeve të huaja homologe, si ai Qendrës Marshall, i Kolegjit të Luftës së SHBA, i Kolegjit të Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, i Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s, i Qendrës së Studimeve të Larta për Mbrojtjen të Italisë, i Kolegjit të Mbrojtjes së Baltikut, Shkollës pas Universitare te Flotës të SHBA-së etj. Gjatë Kursit zhvilluan leksione edhe ambasadorë e zv.ambasadorë të akredituar në vendin tonë si ai i Francës, USA, Britani e Madhe, Holandë, Austri, Turqi, Kroaci, Mali i Zi, Gjermani etj, lektorë të Qendrës “Xhorxh Marshall”, si dhe lektorë nga Qendra e Studimeve Strategjike (CASD).

Ndërsa Kursi Themelor i Oficerit të Shtabit ka filluar më 13 shtator 2010 dhe zgjati 13 javë. Ky kurs ka për qëllim kryesor të përgatisë oficerë në pozicionet e ndryshme të shtabeve të reparteve, si dhe në shtabe të reparteve e nënreparteve shumëkombësh të strukturave të NATO-s dhe ato ndërkombëtare. Këtë kurs e ndoqën 41 oficerë të gradës kapiten. Në përbërje të këtij kursi ishin 5 ushtarakë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, si dhe 4 oficerë nga Garda e Republikës.

Në fund të ceremonisë nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, u shpërndanë diplomat oficerëve dhe personelit civil që përfunduan studimet në këto dy kurse.

e.r/NOA

KOMENTE