Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Qeveria që vjen nesër
English

Qeveria që vjen nesër

Të dy liderët kryesorë politikë duket sikur kërkojnë t’u thonë qytetarëve që na jepni votën sepse më pas do të ndodhë edhe pastrimi. Por sa i besueshëm është ky premtim?

Nga Armand Shkullaku

Në këtë mot të vështirë të vërshimeve natyrore, Kosova po përmbytet nga lumi i premtimeve që ka dalë nga shtrati e ka pëfshirë gjithë vendin. Diku me rrëmbim e diku më të përmbajtura, premtimet elektorale mund të thuhet se kanë arritur rekord në këtë fushatë. Aq shumë sa vështirë edhe të mbahen mend. Në vorbullën e tyre, ka humbur këto ditë dhe po përmendet shumë pak edhe një premtim tepër i rëndësishëm i dy liderëve kryesorë, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Ata, secili me mënyrën e vet kanë premtuar, nëse fitojnë, qeveri të pakorruptuar. Një kabinet të duarve të pastra, ka thënë se do të krijojë Thaçi dhe një kabinet të ri, me asnjë prej ministrave të dikurshëm, është pasaporta e Isa Mustafës si kryeministër i ardhshëm.
Të dy këta liderë, me këtë premtim duket sikur kërkojnë ndjesë indirekt dhe shfajësohen për listat e kandidatëve dhe përmbajtjen e partive të tyre me të cilat po garojnë duke shpresuar të mposhtin njëri-tjetrin. Ata nuk patën fuqi, e ndoshta as kohë e vullnet, të bëjnë ndryshimet e duhura për t’u dhënë më shumë besueshmëri forcave politike që drejtojnë. Për rrjedhojë, si PDK ashtu dhe LDK nuk hynë në këtë fushatë me performancën maksimale. Ato u shoqëruan nga kritika dhe dyshime për mundësitë që ofrojnë për të ndryshuar për mirë veten dhe gjendjen në Kosovë. Mbi PDK rënduan akuzat për përfshirje në lista të njerëzve nën hetime, ndërsa për LDK se vazhdonte të mbetej nën dominimin e gardës së vjetër.

Thaçi e Mustafa, pavarësisht autoritetit që rrezatojnë në elektorat, brenda partive të tyre më shumë u panë si peng se sa si motorrë të fuqishëm të ndryshimeve. Argumentat se nuk ndërrohet ekipi fitues, vlerat e së shkuarës, shifrat se listat janë rinovuar kaq apo aq përqind, etj, nuk ishin bindëse. Në PDK, kreun e mbajtën të vjetrit, depërtuan pak të rinj në vendet poshtë dhe u ftuan figura të partive të tjera që deri dje ishin akuzuar për korrupsion. Në LDK, figurat e konsumuara mbetën po aty, fryma e vjetër i bëri bllokadë Ukë Rugovës dhe e dërgoi në një tjetër parti dhe po të mos ishte për Isa Mustafën, kjo parti nuk kishte arsye të hynte në garën zgjedhore. Kështu, sa do që u përpoqën Hashim Thaçi e Isa Mustafa për ta tejkaluar këtë moment, mosndryshimi dhe dominimi i së vjetrës ishte handikapi kryesor i forcave të tyre politike.

Duke qenë të vetëdijshëm për kostot elektorale të një performance të tillë, Thaçi e Mustafa bënë një premtim: Qeverinë e pastër pas 12 dhjetorit. Në një farë mënyre ata premtuan të bëjnë në të ardhmen atë që nuk mundën ta bëjnë përpara zgjedhjeve. Ndryshimet në qeveri mund të çojnë edhe në ndryshime në parti, por normalisht veprohet anasjelltas. Të dy liderët kryesorë politikë duket sikur kërkojnë t’u thonë qytetarëve që na jepni votën sepse më pas do të ndodhë edhe pastrimi.

Por sa i besueshëm është ky premtim? Ndërsa Isa Mustafa mund të gjejë një lloj justifikimi tek faktori kohë, për Thaçin është akoma dhe më e vështirë. Të dy formacionet politike duken të betonuara dhe hapja e tyre ngjan me një mision të pamundur edhe pas 12 dhjetorit. Garda e vjetër, një grup politikanësh të mësuar tashmë me privilegjet e pushtetit dhe shumë përfitime të tjera, duket sikur kanë bërë një marrëveshje të heshtur për të mbajtur fort njëri-tjetrin. Thaçi e Mustafa e kanë më të lehtë të emocionojnë turmat e të mbledhin vota, se sa të përballen me rezistencën e ndryshkur brenda partive të tyre. Ky do të jetë problemi kryesor me të cilin do të ndeshet çdo përpjekje për të patur një qeveri të pastër ose me njerëz të rinj në Kosovë.

Thaçi e Mustafa duket se i kanë duart të lidhura edhe për një arsye tjetër. Sipas sondazheve e anketimeve, asnjëri prej tyre nuk mund të fitojë një shumicë bindëse që do ta lejonte të qeveriste i qetë. Një qeveri që do të kishte një opozitë të fortë si LDK ose PDK duke i shtuar edhe energjinë e Vetëvendosjes, konsiderohet tepër delikate dhe e rrezikuar në çdo kohë të binte. A mund të mendojë në këto rrethana kryeministri i ardhshëm të hapë edhe një front të ri brenda forcës së tij politike për të prodhuar një qeveri të pastër dhe pa njolla nga e kaluara?

Tepër e vështirë. Prandaj edhe premtimi i Thaçit e Mustafës, që ka humbur në lumin e madh të premtimeve, është e pamundur të mbahet. Prandaj dhe përkrahja për forcat e reja si Vetëvendosja, që deklarojnë jo mospërfshirje në qeveri por burgim për politikanët e korruptuar, po bëhet më e madhe. Kryeminstri i mandatuar pas 12 dhjetorit do të gjendet nën presionin e numrave për të bërë shumicën, nën ankthin e një koalicioni të brishtë dhe nën grykësinë e të vetëve për t’u bërë ministra. Në këto kushte nuk është çudi që të rikthehet koalicioni i shkuar. Dhe kështu, bashkë me qeverinë e pastër, do të përfundonin në ujërat e turbullta të premtimeve edhe deklaratat për mosqeverisje me Hashim Thaçin dhe me ata që braktisën institucionet. Një qeveri e pastër në Kosovë ka pak shanse të lindë edhe pas 12 dhjetorit. Ajo duhej të kishte nisur të ngjizej kohë përpara, jo me premtime, por duke mbjellë farën e re dhe shkulur rrënjët e vjetra.

KOMENTE