English

Dalin rezultatet e para të zgjedhjeve, nga Exit-Poll, fiton PDK e Thaçit

Minutë pas minute me zgjedhjet në Kosovë

Lexoni si Thaçi shpalli fitoren

Prishtinë, 12 Dhjetor 2010 NOA Update – Fondacioni Gani Bobi është duke publikuar në këto çaste, rezultatet e exit-poll që ka realizuar gjatë ditës së sotme në territorin e Republikës së Kosovës në qendrat e votimit ku u votua për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Publikimin e të dhënave të sondazhit e bëri drejtuesi i Institutit për Studime Humanistike, Gani Bobi, Shkëlzen Maliqi

Sipas të dhënave të këtij sondazhi rezulton me fitore të ngushtë PDK e kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi me 31 për qind të votave.

Menjëherë pas tij renditet LDK e drejtuar nga Isa Mustafa, me 6 për qind më pak ose 25 për qind se PDK dhe më tej vijojnë Lëvizja Vetëvendosje me 16 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 12.5 për qind.

Në këtë sondazh janë anketuar në të gjithë vendin 2200 vetë dhe marzhi i gabimit sipas fondacionit, është 2 deri në 3 për qind.

Në zgjedhje ishin thirrur për të votuar një milion e gjashtëqind mijë shtetas të Republikës së Kosovës. Paraprakisht, pjesëmarrja rezulton te jetë jo më shumë se 40 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës - 31 për qind të votave

Lidhja Demokratike e Kosovës - 25 për qind

Vetëvendosja - 16 për qind

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 12.5 për qind

Aleanca Kosova e Re – 6.5 për qind

Fryma e Re – 4.5 për qind

Lidhja Demokratike e Dardanisë – 2.5 për qind

Partitë tjera – 2 për qind

***

Më herët kryetarja e KQZ-së, valdete Daka bëri me dije se deri në orën 15.30 pjesëmarrja e votuesve në këto zgjedhje ishte 34.10 për qind e të gjithë votuesve, pra 567 565 votues nga 1 milion e 600 mijë votues që ishin gjithsej.

Në këto zgjedhje votuesit në Kosovë kanë hedhur votën e tyre për 122 deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës, të cilët vijnë nga 29 subjekte politike në Kosovë.

Në të gjithë Kosovën prej orës 07.00 të mëngjesit u hapën 746 qendra votimi me 2280 vendvotime.

Megjithatë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka deklaroi më herët se qendrat e votimit në veri të Kosovës për arsye sigurie janë hapur në orën 09.00 dhe janë mbyllur në orën 16.00, pra tri orë më parë se të plotësohet orari zyrtar.

Janë 14 qendra të votimi të vendosura në veri të Kosovës, një zonë e banuar nga një shumicë serbe.

Procesi zgjedhor dhe ecuria e tij e metejshme në Kosovë po monitorohen nga mbi 32 mijë vëzhgues, nga të cilët 26 mijë janë pjesë e partive politike, 493 janë anëtarë të organizatave ndërkombëtare, 351 zyrtarë të ambasadave në Kosovë dhe mbi 5 mijë vëzhgues në terren vijnë nga organizatat joqeveritare.

Ndërkohë që mbi 6000 policë po mbikëqyrin situatën rreth qendrave të votimit për të siguruar mbarëvajtjen e tyre.

Pas mbylljes së qendrave të votimit në mbarë Kosovën, ka nisur edhe numërimi i votave.

Këto zgjedhje të përgjithshme, cilësohen historike për shtetin e ri, pasi janë të parat që zhvillohen pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të 2008-ës.

i.t/a.b/NOA

Reagon Vetevendosje:

{youtube}CyCGyLfyT1o{/youtube}

KOMENTE