English

Policia konfirmon tri incidente gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Prishtinë, 12 dhjetor, NOA - Policia e Kosovës ka regjistruar të paktën tri incidente që kanë të bëjnë me zgjedhjet e sotme parlamentare, deri në orën 14:00.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se rasti i parë ka ndodhur gjatë natës së mbrëmshme në Zubin Potok, ku është sulmuar me armë zjarri Zyra Ndërlidhëse e Monitorimit, e cila funksionon në kuadër të KFOR-it.

Kelani shtoi se përveç dëmeve materiale, në vendin e ngjarjes është vendosur edhe një letër kërcënuese nga, siç tha ai, një organizatë terroriste serbe, në të cilën bëhet thirrje të mos dilet në votime si dhe kërcënohen zyrtarët policorë.

Në Biti të Shtëprcës ka ndodhur një sulm fizik, ku është rrahur një vëzhgues i Partisë Social-Demokrate Serbe nga një person i komunitetit serb.

Mediat kosovare njoftojnë se sulmuesi është kryetari i komunës së Shtërpcës, por Kelani nuk e konfirmoi një gjë të tillë.

Ndërkohë, pesë persona janë shoqëruar për në polici për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike.

Ata, sipas Kelanit, janë rrahur mes vete ne fshatin Pomorc të Malishevës, përkatësisht në vendvotimin nr 3013.

Ai tha se bëhet fjalë për qytetarë të Kosovës, por nuk ka saktësuar nëse ata ishin zyrtarë të zgjedhjeve apo votues.

Kelani tha se procesi i votimit po vazhdon me rregull në këtë qendër votimi.

NOA/RFE

KOMENTE