English

Opozita e Bashkuar: Berisha përgjegjës për përmbytjet, rinisim protestat nesër

Tiranë, 13 dhjetor, NOA –Opozita e Bashkuar e akuzoi sot kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij si përgjegjësen kryesore për përmbytjet që pushtuan Shkodrën dhe zonën e Nënshkodrës. Në një konferencë për shtyp, kryetari i partisë për Ligj e Drejtësi, Spartak Ngjela duke i bërë thirrje shqiptarëve t’i bashkohen opozitës për të larguar qeverinë Berisha nga pushteti ka lajmëruar sot se opozita e bashkuar do të rinisë protestat nesër në qytetin e Durrësit, protesta të cilat u ndërprenë për shkak të situatës së emergjencës civile.

Avokati Ngjela i bëri thirrje qytetarëve të Durrësit t’i bashkohen kësaj proteste pasivisht pasi sipas tij ishte kjo qeveri e korruptuar që me keqqeverisjen e saj bëri që banorët e Shkodrës, por jo vetëm, edhe në qytete të tjera të vendit të përmbyteshin nga reshjet e shiut.

Ngjela theksoi ndërkaq se sot në Shqipëri janë kthyer kënetat duke bërë me dije se qeveria nuk ka para të dëmshpërblejë banorët që përjetuan katastrofën e përmbytjeve dhe as të hedhë hapa për ta përmirësuuar atë, andaj sipas tij e vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë fatkeqësish është largimi i qeverisë Berisha dhe ardhja në pushtet e opozitës së bashkuar.

mit/NOA
KOMENTE