English

Sulmohet polici roje, grabitet Raiffeisen Bank në Vlorë

Vlorë, 13 Dhjetor 2010 NOA – Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot në qendër të qytetit të Vlorës dhe ajo kishte në shënjestër degën e Raiffeisen Bank që ndodhet në rrugën Transballkanike.

Korrespondenti i agjencisë NOA informon se ngjarja ndodhir në orët e pasdrekes kur dy persona të maskuar dhe të armatosur me automatikë, hynë në derën kryesore të bankës Raiffeisen dhe rrëmbyen aty nën kërcënimet për eliminim fizik, të gjitha paratë që ndodheshin.

Zyrtarisht Raiffeisen Bank nuk konfirmoi sasinë e parave të grabitura por bëhet e ditur se e gjithë xhiroja ditore e qarkulluar është përlarë nga dy hajdutët e armatosur.

Gjatë aksionit të tyre grabitës, dy agresorët kanë izoluar policin roje duke e lënduar atë dhe menjëherë pasi kanë marrë paratë janë zhdukur në drejtim të paditur.

Policia tha se në degën e Raiffeisen Bank ka pasur kamera dhe ata i kanë marrë filmimet por identifikimi i grabitësve bëhet i vështirë pasi ata ishin të maskuar.

Policia tha se po kryen hetime për të zbardhur ngjarjen dhe skemën e përdorur dhe implikim të mundshëm të personave nga banka, konform procedurave rutinë që zbaton ekipi hetimor.

Kohët e fundit ka një shtim të grabitjes së bankave duke përfshirë kryesisht banka si Raiffeisen, Alpha Bank, Credins, NBG, etj.

e.r/NOA

KOMENTE