English

Hetimi i zgjedhjeve, Konferenca e kryetarëve: Kuvendi do vendosë datën e ngritjes së komisionit

Tiranë, 15 dhjetor, NOA – Kur mbeten edhe dy seanca parlamentare në mbyllje të këtij sesioni parlamentar për vitin 2010 dhe nisjen e të riut pas festave të fundvitit, Konferenca e Kryetarëve e mbledhur sot nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka shqyrtuar kërkesën e riformuluar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për ngritjen komisionit hetimor për hetimin zgjedhjeve të 28 qershorit dhe shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009. Në një deklaratë për shtyp të kryesisë së kuvendit bëhet e ditur se do të jetë Kuvendi ai që do të vendosë tashmë për datën e ngritjes së komisionit hetimor të kërkuar nga Partia Socialiste për hetimin e manipulimeve dhe shkeljeve të bëra nëe zgjedhjet e vitit të shkuar, të cilat mbajnë peng zgjidhjen e krizës politike 18 mujore në vend.

Në mbledhjen e 6 dhjetorit konferenca e Kryetarëve i kishte kërkuar grupit nismëtar, të PS-së të plotësonte kërkesat formale-juridike të kërkuara nga ligji.

Ndërsa në mbledhjen e 13 dhjetorit në konferencën e Kryetarëve opozita dhe mazhoranca u përfshinë në debate të ashpra duke mos arritur të gjenin konsensus për futjen në rend të ditës në seancën e të enjtes, pra nesër, të diskutimit për ngritjen e komisionit hetimor që do të hetojë zgjedhjet e shkuara parlamentare.

Për këtë arsye, Kuvendi i Shqipërisë do të caktojë datën e shqyrtimit të kërkesës së grupit parlamentar të PS-së mbi ngritjen e komisionit hetimor.

Gjatë mbledhjes së shkuar Kryetarja e kuvendit i kishte kërkuar grupit nismëtar, plotësimin e kërkesës lidhur me përbërjen e këtij komisioni, duke argumentuar faktin se formulimi i pikës 3 të kërkesës në lidhje me përbërjen e këtij komisioni ishte në kundërshtim me ligjin e Komisioneve Hetimore.

Sipas saj raporti midis maxhorancës dhe opozitës në komisionin hetimor dhe përbërjen e tij është kriter formal-juridik, pa plotësimin e të cilit kërkesa nuk mund të vihet në lëvizje, andaj ajo iu kthye grupit nismëtar për plotësim dhe korrigjim.

Mazhoranca shprehu edhe gatishmërinë për të asistuar grupin nismëtar për formulimin e kësaj pike në përputhje me ligjin.

Kreu i opozitës, Edi Rama pas mbledhjes se një jave më parë e akuzoi kryetaren e kuvendit, Jozefina Topalli, por edhe kreun e mazhorancës Sali Berisha se me refuzimin e kërkesës se PS, apo kthimin e saj për korrigjim synon të minojë ngritjen e komisionit hetimor e për rrjedhojë të zvarritë procesin e transparencës së tyre të kërkuar edhe nga rezoluta e e posaçme e PE-së.

mit/NOA
KOMENTE