English

Ngritja e Komisionit hetimor për zgjedhjet, kuvendi do diskutojë në 23 dhjetor

Tiranë, 16 dhjetor, NOA – Me 126 vota pro kuvendi miratoi këtë pasdite shtyrjen për në datën 23 dhjetor, të kërkesës së Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet parlamentare të vitit të shkuar. Me shtyrjen e kësaj kërkese, që sipas tij u la me qëllim për t’u diskutuar në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar, pra javën e ardhshme, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi e pranoi shtyrjen e ngritjes së komisionit hetimor duke nëvizuar se kjo dëshmon për zvarritjen e procesit nga mazhoranca. “Ne kemi humbur shumë kohë për këtë çështje, pasi unë e di që 10 ditëshit e fundit të korrikut dhe të dhjetorit, siç keni lënë ju datën 23, janë thjesht tentativa për të zvarritur datën e ngritjes së komisionit, andaj le të presim edhe datën 23, por nuk ka asnjë arsye që të shtyni dhe zvarrisni datën, pasi kjo tregon qartë se ju nuk doni të zgjidhni krizën”, theksoi kryetari i grupit të PS-së nga foltorja e Kuvendit.

Sipas Ruçit nuk ka pengesa proceduriale për ngritjen e komisionit hetimor, por vetëm mungesë vullneti.

Por, përkundër deklaratës së Ruçit ka reaguar edhe kreu i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, i cili tha se mazhoranca është e gatshme për ngritjen e komisionit hetimor në datën 23 dhjetor, duke e quajtur ngritjen e këtij komisioni si çarmatosjen më në fund të opozitës nga alibia e ngritur për humbjen e zgjedhjeve të shkuara parlamentare të 28 qershorit të 2009-ës, për shkak të votave të grabitura.

Por, 23 dhjetori është jo vetëm dita kur do të diskutohet për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, pasi pikërisht në këtë ditë të fundit të sesionit parlamentar për këtë vit skadon edhe afati kushtetues i diskutimit në parlament të mocionit me debat për raport-progresin e komisionit Europian, që solli edhe refuzimin e statusit kandidat të BE-së për Shqipërinë në 9 nëntor, edhe ky një mocion me debat i kërkuar nga opozita.

mit/NOA
KOMENTE